Itali/ Arrestohen në bunker dy të kërkuar të “Ndrangheta”-s, kërkoheshin prej 10 vitesh

0
210

italiIshin vënë nën ndjekje policore prej më shumë se 10 vitesh, por mëngjesin e së premtes, skuadra e lëvizshme e policisë së Reggio Calabrias i ka zbuluar që të dy brenda një bunkeri, në një zonë malore të fshatit Agro të komunës Maropati. Ata janë Giuseppe Crea, 37 vjeç, djali i bosit Teodor dhe kreu aktual i grupit mafioz të Rizziconit, si dhe Giuseppe Ferraro, 47 vjeç, një prej protagonistëve të armiqësisë së Oppido Mamertinas, që ka nisur prej viteve ’50.
Ferraro njihet veçanërisht për shkakun se ka qenë gjithnjë i armatosur, gjurmët e të cilit u humbën në vitin e largët 1998, por emri i tij shfaqej gjithnjë pas çdo aksioni kriminal të kryer në zonat e thella të kontrolluara prej tij. Ferrari kërkohej për komplot dhe vrasje, u arratis gjatë operacionit të fundit të emëruar “Erinni”, një hetim që hodhi dritë mbi një seri vrasjesh të ndodhura në 2012-n në Oppido Mamertina. Ndaj tij dhe bandës që drejtonte, magjistratët e Antimafias së Reggio Calabrias ngarkojnë një seri krimesh, mes të cilëve edhe atë kundër bosit Domenico Bonarrigo, kreu i familjes që së bashku me familjet Mazzagatti-Polimeno ishin në luftë me ato Ferraro-Raccosta.

Disa eksponentë të këtyre familjeve kishin kryer vjedhje në kishë, e për këtë ishin qortuar nga Bonarrigot. Një shkëndijë që shkaktoi hakmarrjen. Persona të bandës Ferraro-Raccosta i zunë pritë Domenico Bonarrigos dhe e vranë me armë gjahu. Përgjigjja ishte dramatike dhe e tmerrshme: Francesco Raccosta, i konsideruar si autor i vrasjes së Bonarrigos u kap rob dhe iu hodh si ushqim derrave i gjallë. Lufta mes këtyre familjeve mafioze në Oppido ka shkaktuar në të kaluarën edhe viktima të pafajshëm, siç ishte ajo e minorenes Maria Angela Ansalone, 9 vjeç, e cila u vra teksa ndodhej në makinë me gjyshin e saj, Giuseppe Maria Bicchieri, sepse automjeti i tyre u ngatërrua me atë të armiqve vrastarë.

Edhe Giuseppe Crea, i dënuar për pjesëmarrje në grup mafioz, ishte kthyer në një kapo, pavarësisht se në moshë tepër të re. Pas kapjes së të atit, i njohur ndryshe si “u toru”, ishte pikërisht ai që drejtonte bandën Rizziconi. Gjatë viteve të fundit, policia e ka pasur shpesh nën këmbë, por pa mundur ta kapnin. Ishte objektivi kryesor i skuadrave të lëvizshme, sepse Crea konsiderohej si një pjesëtar kryesor i “Ndrangheta”-s.

Dy të arratisurit kishin zgjedhur të jetonin së bashku. U pikasën pas disa muajsh mbikëqyrjeje. Vendi ku ishin fshehur ishte një bunker, i fshehur brenda një kreshte mali, jo lehtësisht i arritshëm. Një konstruksion metalik i modernizuar dhe tepër i rehatshëm për të jetuar. Brenda tij, policia gjeti një arsenal të fuqishëm armatimesh dhe dokumente, të cilat tashmë u vlejnë prokurorëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency