Shumë shpejt, përdoruesve të iPhone nga Apple do të mund t’u monitorohet presioni i gjakut, temperatura dhe pulsi nëpërmjet telefonit të tyre dhe rezultatet do t’i dërgohen mjekut.
Kompania ka zbuluar aplikacionin e quajtur “HealthKit”, i cili mund t’i dërgojë të dhëna mjekut të familjes. Ky aplikacion do të mbështetet në pajisje shtesë, si një monitorues i zemrës, që do të vendoset në kyç dhe që do të lidhet me valë me iPhone-in.
Zëvendëspresidenti i Apple, Craig Federighi, tha se një tipar kryesor i aplikacionit është aftësia e tij për t’i dërguar një mesazh automatik mjekut, nëse dallon nivele të rrezikshme të ritmit të zemrës. Ky nuk ishte njoftimi i vetëm i bërë publik nga firma ditën e djeshme.
Prindërit, po ashtu, do të mund të marrin një mesazh nëse fëmijët e tyre do të përpiqen të blejnë muzikë ose lojëra në rrjet. Shefi i kompanisë, Tim Cook njoftoi se tipari i ri “Family Sharing” (ndarja me familjen) do t’u lejojë anëtarëve të familjes të ndajnë aplikacione, muzikë ose lojëra online nëpërmjet iPhone-eve dhe iPad-eve e tyre. Ky funksion u lejon prindërve të kursejnë para, pasi nuk do t’u duhet të blejnë aplikacione për vete dhe për fëmijët.