Parlamenti do të shqyrtojë në seancën e së enjtes kërkesën e grupit parlamentar të demokratëve për plotësimin e vendeve vakante në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Ky qëndrim i kryeparlamentarit Meta erdhi pak minuta pasi opozita i’u drejtua me një shkresë këtij të fundit.
Në kërkesën e tyre demokratët vlerësojnë se reforma zgjedhore duhet të sigurojë forcimin dhe konsolidimin e procesit si dhe ndërtimin e shkallës së besueshmërisë për zgjedhje të lira.
Sipas opozitës, përmbyllja në një kohë të shpejtë e saj dhe reflektimi i të gjitha Rekomandimeve të OSBE/OHDIR-it apo shqetësimeve madhore të ngritura prej tij në raportet përfundimtare të viteve 2013 dhe 2015 për zgjedhjet në Shqipëri, janë premisë e domosdoshme për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta.
Edhe Kryetari i Kuvendit në kundërpërgjigje të kërkesës së demokratëve shprehet se, Reforma Zgjedhore duhet trajtuar me seriozitet dhe në përputhje me frymën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR si dhe të kryhet në kohën e duhur dhe transparencë të plotë.
Demokratët kanë propozuar si bashkëkryetar të komisionit bi-partizan për reformën Oerd Bylykbashin, ndërsa Eduard Halimi, Arben Ristani dhe Gent Strazimiri do të jenë anëtarë. Fatmir Mediu do të jetë përfaqësues i PR-së nga rradhët e opozitës.