Tre djemtë dhe babai i tyre qëlluan për vdekje pjestarët e familjes Çeku pas një konflikti të ashpër. E plagosur në ngjarjen e 5 qershorit të vitit të kaluar mbeti edhe Luçie Çeku, gruaja e familjes. Prokuroria mbyll hetimet, pasi ka zrritur të zbardh dinamikën e ngjarjes
Alma Çuka
Prokuroria e Krujës dërgon për gjykim 8 persona, 4 prej të cilëve për “vrasje në rrethana cilësuese..” dhe 4 të tjerë për “përkrahje të autorit të krimit”, të gjithë të lidhur me ngjarjen e datës 05.06.2015, kur, pas një konflikti të ashpër, kanë mbetur të vdekur me armë zjarri Franc Ceku, Arben Ceku, Eno Rama, si edhe është plagosur Luçie Çeku. Për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, në bashkëpunim dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, akuzohen, Danjel Gurali Kora, dtl. 1987, Besnik Gurali Kora, dtl. 1985, Pëllumb Gurali Kora, dtl. 1989, Gurali Kora,, dtl. 1959. Ndërkohë për veprën penale të “Përkrahjes së autorit të krimit”, në bashkëpunim, akuzohen, Ardjan Gjonaj, dtl.1978, Paris Gjeta, dtl. 1993, Preng Gjeta, dtl. 1961, Shpëtim Nikolli, dtl. 1971. Sipas akuzës të gjithë të pandehurit janë hetuar në gjendjen e arrestit me burg.
Ngjarja
Ngjarja për të cilët gjenden në burg këta 8 persona ndodhi në datën 5 qershor të vitit të kaluar në Thumanë. Pjestarët e familjes Çeku po ktheheshin në banesën e tyre kur burrat e familjes Kora qëlluan me breshëri kallshnikovi mbi ta. Filllmisht për këtë ngjarje u arrestua babai i tre vellezerve Gurali Kora . Disa ditë më vonë u ndalua Danjeli dhe Besniku të cilët morën në ngarkim krimin ,duke shfajësuar babain dhe vëllain e vogël. Por pavarësisht këtyre deklarimeve, Prokuroria kishte faktuar se ata ishin bashkëpunëtor në këtë krim dhe ngriti akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese. Sipas hetimeve sherri mes dy familjeve kishte nisur për motive banale pasi vëllezerit Kora kishin ushtruar dhunë ndaj një miku të familjes Çeku. Arratia e vëllezërve Kora pas vrasjes nuk zgjati shumë. Fillimisht është arrestuar në Lezhë Besnik Kora, ndërsa pak minuta më vonë, në një operacion të kryer në Rrëshen ra në pranga edhe Daniel Kora. Gjithashtu, bashkë me dy të rinjtë e dyshuar për vrasje, në polici përfunduan edhe katër të afërm të tyre.
Si nisi konflikti
Prokuroria e Krujës, në mënyrë të detajuar ka mundur të plotësojë të gjithë skemën e vrasjes dhe më pas largimit të autorëve të dyshuar të krimit. “Rreth orës 22:00, tek lokali ku ndodheshin tre persona është afruar shtetasi Arben Çeku ku i ka kërkuar shtetasit Pëllumb Kora që të ngrihej nga tavolina dhe të sqaroheshin. Shtetasi Pëllumb Kora është takuar me shtetasin Arben Çeku dhe kanë filluar të debatojnë me njëri-tjetrin dhe të shahen me fjalë nga më të ndryshme ndaj personalitetit dhe familjes së tyre dhe kanë tentuar të goditen me grushte mes tyre. Menjëherë kanë ndërhyrë persona të tjerë që kanë qenë në lokal, duke i ndarë. Në lokal pas shtetasit Arben Çeku, është paraqitur edhe babai i tij Fran Çeku, i cili i ka thënë pronarit të lokalit që të mbyllej lokali për shkak të konfliktit të krijuar nga ana e shtetasit Pëllumb Kora dhe djali i tij Arben Çeku”-thuhet në njoftimin e prokurorisë. Por më pas vjen ngjarja më e rëndë, krejt e paparashikuar, që u mbyll me tre të vrarë dhe një të plagosur. Sipas prokurorisë, “gjatë kësaj kohe, shtetasi Pëllumb Kora është larguar me makinën e tij për në banesë, që ndodhet rreth 500 metra larg lokalit. Menjëherë dy shtetasit të cilët kishin pirë me Pëllumb Korën janë larguar nga lokali për në banesën e tyre dhe sapo kanë bërë rreth 300 metra, kanë dëgjuar të shtëna armësh zjarri”. Duket se ky ka qenë momenti kur Gurali Kora dhe tre djemtë e tij vunë në zbatim krimin makabër. “Nga hetimi ka rezultuar e provuar se tek lokali për rreth 10 apo 20 minuta ka ardhur shtetasi Pëllumb Kora, së bashku me babain e tij Gurali Kora, Besnik Kora si dhe Daniel Kora, me makinën e tyre dhe me dy armë zjarri, automatik dhe pistoletë, me të cilat kanë qëlluar në drejtim të shtetasve Arben Çeku, Fran Çeku, nipin e tyre Eno Rama, duke i vrarë menjëherë si dhe kanë plagosur shtetasen Luçie Çeku”, thotë prokuroria, e cila shton së përgjegjësi të plotë për këtë krim kanë Gurali Kora dhe tre djemtë e tij, Besniku, Pëllumbi dhe Danieli.