Axhenda në Kuvend/ Sot diskutohet ligji për masat shtesë për sigurinë si edhe ai për transportet rrugore

0
117

kryesiaKomisionet e përhershme parlamentare të Kuvendit, do të diskutojnë sot një sërë projektligjesh të rëndësishme ekonomike. Sipas axhendës të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka në rend të ditës diskutimin e Projektligjeve “Për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor dhe statutit të tij” dhe “Për pranimin e protokollit për ndryshimin e marrëveshjes së Marakeshit që themeloi Organizatën Botërore të Tregtisë”. Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin nis shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar”. Ndërsa Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Ofrimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin”. Ndërkaq Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka në rend të ditës diskutimin e projektligjit “Për masat shtesë për sigurinë publike”. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik do të zhvillojë mbledhjen e së hënës një seancë dëgjimore me zotin Besart Likmeta, gazetar-redaktor për Shqipërinë i BIRN, në lidhje me gjendjen e punësimit të gazetarëve, me fokus kontratat e punës, siguria dhe respektimi i tyre. Komisioni për Integrimin Europian shqyrton projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, ku i ftuar do të jetë Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Edmond Haxhinasto. Ndërsa gjatë seancës së shqyrtimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor dhe statutit të tij”, i ftuar do të jetë Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Axhenda e punimeve të komisoneve, mbyllet me Komisionin për Politikën e Jashtme që do të diskutojë në rend të ditës, miratimin e procesverbalit të mbledhjes së Komisionit datë 18.12.2015; shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor dhe statutit të tij” si dhe çështje të tjera.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency