I shkaktuan shtetit 298.52 mln lekë dëm, KLSH padit ish-dy drejtues të Hipotekës

0
158

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar për ndjekje penale 9 punonjës të hipotekës së Tiranës, mes tyre dy ish drejtues dhe ka dhënë indicie penale për drejtuesin aktual. Pas auditit 5 vjecar në këtë institucion, KLSH ka evidentuar një dëm për buxhetin prej 298.5 milionë lekësh. Sipas raportit, qytetarët kanë paguar për ndjekjen e kërkesave të ndryshme nga ky institucion, ndërsa shërbimi nuk u është dhënë, ndërsa ka pasur edhe raste të regjistrimit me mbivendosje nga vetë hipoteka.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal në Prokurori për 9 punonjës të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Tiranë, mes të cilëve dy ish drejtues, 6 përgjegjës zone dhe 1 specialist. Gjithashtu, KLSH ka dhënë prova për ekzsitencën e një vepre penale për 11 persona të tjerë, mes të cilëve edhe drejtuesin aktual të këtij institcioni, për mosndjekje dhe mosevidentim të pajustifikuar të proceseve gjyqësore dhe administratve lidhur me 37 vendimet marrë nga Gjykatat.

Sipas njoftimit të KLSH, nga auditi i kryer në hipotekën e Tiranës për periudhën nga janari 2012 deri në qershor 2015 janë konstatuar shkelje të shumta, me një dëm për buxhetit e shtetit që arrin në rreth 298.5 milionë lekë. .

Nga auditimi rezultoi një performancë e ulët e këtij institucioni,  në administrimin e praktikave dhe kërkesave në proçes, të cilat për një periudhë rreth 5 vjeçare arrijnë mbi 15.533 praktika dhe për të cilat ndonëse janë marrë nga qytetarët rreth 55,3 milion lekë ende nuk iu ka ofruar atyre shërbimin për të cilin ata kanë kryer pagesën.

Gjithashtu u evidentuan një sërë rastesh të regjistrimit me mbivendosje nga vetë zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të pasurive të llojit tokë, troje, objekte.

Referuar shkeljeve të pasqyruara në kallëzimin penal të përcjell organit të Prokurorisë, KLSH ka konstatuar:

  • Shmangie të detyrimeve të investitorëve të pallateve në lidhje me taksën e kalimit të pronësisë.
  • Heqje të kufizimeve pa asnjë shkak ligjor dhe pa plotësuar dokumentacionin ligjor të kërkuar.
  • Regjistrime në favor të subjekteve private të kontratave për dhënien me qira të tokës bujqësore “shtet”.
  • Regjistrimi i objektit të një qendre tregtare duke mos llogaritur e arkëtuar detyrimin prej 171 milion lekë.
  • Regjistrimi i pasurive “ndërtesë”, në mungesë dhe me parregullsi të dokumentacionit, madje duke regjistruar në disa raste edhe sipërfaqe shtesë.
  • Lejimi i tjetërsimit dhe shitjes së pronës së kthyer “shtet” nga Gjykata.
  • Regjistrimi i pasurisë duke pajisur poseduesin e saj me certifikatë pronësie në një kohë kur dokumentacioni mbi pronësinë ka lidhje me një tjetër pasuri e pronarë të tjerë.
  • Heqje e kufizimit për pasuri të kufizuara si të përfituara në kundërshtim me ligjin pasi nuk mund të cilësoheshin si “tokë pa fryt” pasuri të ndodhura mbi argjinaturën e lumit “Lanë”. 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency