Ish-kreu i grupit parlamentar demokrat, deputeti i PD-së Astrit Patozi tha dje se debati i vrasjeve të 21 janarit të pesë viteve më parë është një temë që mund ti vlente vetëm atyre që sot “kanë ndryshuar parti, koalicion apo qeveri”. “Ky është debat krejtësisht i panevojshëm, sepse ne këtë debat e kemi bërë njëherë dhe e kemi ezauruar plotësisht. Nuk di të ketë ndodhur asgjë më tepër se 4 viktimat e 21 janarit të 5 viteve më parë. Ka qenë një debat politik që sot mund të vlente vetëm për ata që kanë ndryshuar parti, koalicion apo qeveri dhe jo ne të tjerët. Dhe unë nuk kam dëgjuar sot asnjë prej tyre. Është debat politik i mbyllur mes nesh. Po ky debat ka elementin e vet juridik dhe kur gjyqësori flet politika hesht. Askush nuk ju pengon ju dhe as drejtësinë që të thotë fjalën e fundit”, tha Patozi. Më tej, demokrati theksoi se për PD është mbyllur njëherë e përgjithmonë dita e 1 prillit, kur u firmos marrëveshja e koalicionit mes PD e LSI. “Ky debat ka një element moral, morali i këtij debati është mbyllur një herë e përgjithmonë ditën e 1 prillit kur ju firmosët koalicionin e turpit. Por ju e përdorni sot 21 janarin për të larguar vëmendjen nga problemet që ka sot Shqipëria”, theksoi Patozi.