Viti i shkrimtarit të madh/ Mbyllet restaurimi, shtëpia e Kadaresë gati për vizitorët

0
158

 

kadareShtëpia e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare ka përfunduar së restauruari në Gjirokastër dhe më 28 janar pritet të hapet për vizitorët. Kjo datë përkon me  80 vjetorin e lindjes së shkrimtarit shqiptar të përkthyer në mbi 50 gjuhë. Arkitekti Agron Doraci, që ka punuar  për restaurimin e shtëpisë thotë se vetë shkrimtari, kur e ka parë projektin,  e ka gjetur në përputhje me përfytyrimet  e krijuara prej tij nga rrëfimet e gjyshes. “Shtëpia e Kadareve, thotë zoti Doraci, ka qenë mjaft e amortizuar pasi gjysmën e parë të shekullit te kaluar familjet gjirokastrite  e humbën fuqinë ekonomike dhe Familja Kadare mundi të mbajë në këmbë gjysmën e banesës  në pjesën veriore”. Duke folur për  shtëpinë,  që  gjatë viteve te tranzicionit u dogj dhe gati u rrënua,  zoti Doraci thotë se ajo  është trekatëshe, me një pjesë nën dhe. “Stera e ujit zë pjesën qëndrore të banesës në bodrum. Pjesa tjetër shërben  si një qilar për depozitimin e rezervave ushqimore të dimrit. Nën tokë, ngjitur me qilarin e vogël, thotë Agroni, gjendet dhe një galeri e fshehtë me qemere guri ku hyrja bëhej përmes një vrime të maskuar”. Ky mjedis shërbente për ruajtjen e sendeve të cmuara, armëve dhe madje edhe njerëzve në rast rreziku. Në katin përdhe, në pjesën e prapme Arkitekti Doraci thotë se shtëpia  ka dy mjedise  sejcili me dalje të vecantë në rrugë që kanë shërbyer për mbajtjen e  bagëtive dhe rezervave ushqimore. Në katin përdhe në anën veriore ndodhet qilari i madh i cili shërbente për mbajtjen e prodhimeve bujqësore. Pronarët gjirokastritë merrnin nga fshatarët detyrimin në natyrë dhe prodhimet ruheshin dhe thaheshin në qilarin e lartë dhe mbuluar me qemer guri,rrëfen arkitekti. Nëndivani (nënmesorja që pëlqen ta quajë shkrimtari) në katin përdhe është i hapur  dhe realizuar me katër harqe mahnitëse. Në këtë hapësirë bëhej dalja në oborr. Në katin perdhe duket stera e ujit e restauruar ku një litar varet në pusin e thellë. Në katin e sipërm gjenden katër mjedise banimi dhe një shërbimi. Mjediset që gjenden në pjesën ballore quhen “oda” në Gjirokastër  dhe rezervohen për miqtë. Ne njërën prej odave,  thotë Agroni, ka ardhur në jetë edhe Ismail Kadare dhe familja e arkitektit, fqinje me shtëpinë, e ruan  ende djepin e Kadareve. Odatë  sot kanë rifituar mjaft elementë si tavanet dekorativë të gdhendur me motive floreale e gjeometrike, oxhaket e stolisur, musandaratë(sic i quajnë gjirokastritët   dollapet e  brendshme të drurit ngjitur me murin)  ku viheshin rrobat,  kornizat  dhe mjaft elementë. Dy mjediset e tjera të vendosura në pjesën e pasme të katit të tretë  janë dhoma zjarri ose dimërore , sic quhen në Gjirokastër. Arkitekti Doraci e vlerëson këtë banesë  të realizuar me një rregull të plotë e harmonik ngritur  mbi module të sakta gjeometrike. “Masa voluminore është në harmoni me peisazhin e Lagjes “Palorto”, ku rrinë afër shtëpi të tjera të famshme të Gjirokastrës si ajo e Cicove, Ficove, Torove, Xhaxhiajve,Kokalarajve…Shtëpia, thotë Agroni, ka kontraste të fuqishme dritë hijeje ,në të ndjehet simetria, asimetrias, ritmi dhe shpërndarja e dimensionimi i gjithë elementëve. “Edhe në këtë  shtëpi si në gjithë banesën gjirokastrite  nuk kemi të bëjmë me projektime nga arkitektë profesionistë,” thotë Agroni, por me krijimtari të pastër nga mjeshtërit popullorë”. Shtëpia e Kadaresë u restaurua pas gati 30 vitesh dhe do të administrohet nga Bashkia e Gjirokastrës dhe Ministria e Kulturës. Të dy institucionet e shpallën 2016 si Vitin Kulturor të Ismail Kadaresë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency