Basha: Rama hoqi maskën një vit pasi u tall me ndërkombëtarët

0
24

bashaNë një kohë kur ekspertët e PD-së nuk morën pjesë sepse nuk gjetën kompromis me mazhorancën në Tryezën për Reformën në Drejtësi, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se më në fund, “pas një viti sorrollatje dhe tallje nga Edi Rama me opinioniN publik me faktorin ndërkombëtar dhe me përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar në Tiranë, më në fund, dje Edi Rama e hoqi maskën. Është ai që nuk e do reformën në drejtësi, është ai që nuk do institucione të reformuara që luftojnë korrupsionin dhe  pamundësojnë kapjen politike. Sepse Edi Rama ka një tjetër plan. Ka planin e çimentimit të kapjes politike të drejtësisë.”

Megjithatë, vërejti Basha, “ne nuk do të lejojmë kapjen politike, çimentimin e Edi Ramës kryeprokuror, e Edi Ramës kryegjyqtar dhe për këtë ne jemi gati të nisim një betejë pa kthim deri në fitoren e saj”.

DEKLARATA E  KRYETARIT TE PD PER MEDIAT 

Jam sot përpara jush për të informuar opinion publik  përmes medias për  procesin e Reformës në Drejtësi. Ditën e shtunë, në darkë me insistimin e ekspertëve tanë pati një rakordim nga të gjithë ekspertët për të reflektuar rekomandimin e Komisionit të Venecias që pamundëson kapjen politike të drejtësisë.  Bëhet fjalë për rekomandimin numër 55 i cili dikton qartë që vendimet për institucionet e ardhshme dhe emërimet për institucionet e ardhshme nuk mund të merren nga një shumicë e cilësuar që disponohet tashmë nga shumica aktuale politike. Në bazë të këtij rekomandimi të qartë, të zezë mbi të bardhë të Venecias, ekspertët tanë bënë propozimet përkatëse dhe  me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë u arrit një formulë kompromisi, e pas kësaj ekspertët e Edi Ramës u tërhoqën për t’u konsultuar qartësisht me Edi Ramën.

Të nesërmen, me rikthimin e ekspertëve në tryezën e punës ishte e qartë se vullneti i Edi Ramës ishte kapja e drejtësisë dhe jo reforma në drejtësi.  U zhbë formula e kompromisit të së shtunës dhe me kokëfortësi u insistua në shumicën prej 3/5 që është shumica që disponohet nga dyshja Rama -Meta.

Pra mund të themi që pas një viti sorrollatje dhe tallje nga Edi Rama me opinioni publik me faktorin ndërkombëtar dhe me përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar në Tiranë, më në fund, dje Edi Rama e hoqi maskën. Është ai që nuk e do reformën në drejtësi, është ai që nuk do institucione të reformuara që luftojnë korrupsionin dhe  pamundësojnë kapjen politike.

Sepse Edi Rama ka një tjetër plan. Ka planin e çimentimit të kapjes politike të drejtësisë, që ashtu siç ka bërë deri më sot, të diktojë si prokuror dhe si gjyqtar vendimet e nesërme,  të diktojë mosndjekjen penale të korrupsionit galopant të tij dhe ministrave të tij. Të diktojë që deputetët e tij të korruptuar e të inkriminuar të shkojnë në shtëpi por të agresuarit të mbeten në qeli, të diktojë cdo vendim apo mosvendim, duke fituar imunitet mbi ligjin dhe duke përdorur ligjin si shkop për qëllimet e tij politike. Në këto kushte duket qartë se për më shumë se një vit Edi Rama ka qenë de fakto pengesa kryesore për reformën në drejtësi.

Ku na lë kjo ne si opozitë?! Së pari, në kushtet e konfirmimit tonë të plotë dhe absolut për rekomandimet e Venecias si udhërrëfyesi i vetëm për Reformën në Drejtësi.

Së dyti, për ti konfirmuar qytetarëve shqiptarë që ndryshe nga Edi Rama ne kërkojmë që as qeveria e sotme e Edi Ramës dhe Ilir Metës, as qeveria e nesërme e demokratëve të mos kenë mundësinë tu diktojnë prokurorëve dhe gjyqtarëve vendimet që duhet të marrin, por këto vendime të merren sipas ligjit dhe vetëm sipas ligjit dhe në kohën më të shkurtër. Ata që guxojnë të mos i marrin këto vendime sipas ligjit e në kohën më të shkurtër të përballen me pasojat e sjelljes së tyre, të përballen gjithashtu edhe me korrupsionin në drejtësi që është një problem i madh dhe që duhet luftuar deri në zhdukjen e tij.

Ky është vullneti im. Ky është vullneti ynë. Por në të njëjtën kohë, vullneti im dhe i Partisë Demokratike është të mos lejojmë kapjen politike, çimentimin e Edi Ramës kryeprokuror, Edi Ramës kryegjyqtar dhe për këtë ne jemi gati të nisim një betejë pa kthim deri në fitoren e saj në emër të interesave të republikës, Kushtetutës dhe barazisë para ligjit.”

Pyetje:Z Basha, nesër do të dorëzoni një draft tuajin?

Basha: Nuk ka më drafte paralele. Ka një përpjekje të hapur, overte, të Edi Ramës për të diktuar versionin e tij të kapjes së drejtësisë. Ne i përmbahemi rekomandimeve të Venecias dhe e vetmja mënyrë për t’ju rikthyer një procesi konsensual është që njeriu që sot hoqi maskën dhe që tregoi fytyrën e vërtetë nuk do reformë në drejtësi por do kapjen e drejtësisë, të frenohet dhe ti tregohet vendi nga të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë, sikundër edhe nga faktori ndërkombëtar.

Është e kotë të pretendojmë tashmë se cili është problemi me reformën në drejtësi. Problemi për reformën në drejtësi është Edi Rama. Edi Rama nuk do drejtësi të pavarur, Edi Rama nuk do drejtësi të pakorruptuar, Edi Rama do t’I përdorët gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ti kërcënojë me dosjet e korrupsionit në mënyrë që të marrin vendimet që çojnë Prengën në shtëpi dhe lënë Calët në burg, në mënyrë që të marrin vendime që të ndalojnë hetimin për CEZ dhe 600 milionë euro vjedhje, në mënyrë që të ndalojnë hetimet dhe ndjekjen penale për kryehajdutët ministra që janë përgjegjës për vjedhjen e 1.2 miliardë euro vetëm në një vit.

Edi Rama e ka jetike kapjen e drejtësisë. Tashmë ka hequr maskën sepse këtu ka ardhur puna. Ju tregova se cilat janë qendrimet tona. Ne nuk do të vazhdojmë ballon me maska me Edi Ramën.