Besart Berisha shpreson se trajneri Xhani de Biasi do ta ftojë atë që të jetë pjesë e Shqipërisë në kampionatin europian në Francë. Golashënuesi më i mirë i ekipit australian të Melbourne Victory dëshiron shumë që të jetë pjesë e kuqezinjve në kompeticionin e tyre të parë ndërkombëtar. Lojtari 30 vjeçar ka zhvilluar 17 takime me kuqezinjtë, ku për herë të fundit mbajti veshur fanellën në 2009, kur Shqipëria nuk arriti të kualifikohej dot në Kupën e Botës në 2010. Pasi u transferua në Australi ai vendosi që do të ishte më mirë mos të bëhej pjesë e kombëtares për shkak të largësisë. Por një ftese të teknikut italian, nuk do ti thoshte jo. “Për momentin nuk kam dëgjuar gjë për një ftesë….Por nëse unë kam shansin të luaj në europian, mendoj që çdo futbollist dëshiron ta bëjë këtë gjë”. Shqipëria është kombëtarja që në kualifikueset e europianit ka shënuar më pak gola. “Unë kam pasur një sezon shumë të mirë me ekipin në Ligën e Kampioneve aziatike dhe ne tani jemi në ndjekje të titullit kampion. Objektivi ynë kryesor është që të jemi në krye, numri 1. Po bëj një sezon të madh dhe momentalisht i gjithë përqendrimi im është këtu”, u shpreh sulmuesi shqiptar.