Kryeministri Rama darkë me gazetarët, Lut Dervishi: Faleminderit që nuk ke ftuar Donald Lu, se do kërkonte dekriminalizim të pushtetit të katërt

0
20

 

 

 

lutfi-dervish1Kryeministri Edi Rama ka organizuar një darkë me gazetarët e medias së shkruar, radiotelevizive dhe elektronike. Fjalën përpara të ftuarve, e kanë marrë dy prej gazetarëve të njohur si Lutfi Dervishi dhe Iva Tiço. Ndryshe nga vjet që ishte Rama që thumboi gazetarët, sivjet kanë qenë këta të fundit që kanë thumbuar raportin që ka qeveria me median, ndërsa kanë cekur edhe deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili ka qenë i ashpër dhe kritik në deklaratat e tij në lidhje me dekriminalizimin e pushteteve.

“Një falenderim i veçantë për kryeministrin që sonte nuk ka ftuar ambasadorin amerikan dhe ju e dini që Donald Lu intensivisht gjatë 2015 u mor për dekriminalizimin e tre pushteteve, legjislativit, ekzekutivit dhe drejtësisë.

Por druaj se po të ishte këtu, do të fliste për dekriminalizimin e pushtetit të katërt, medias, e do thoshte prova ime për korrupsionin është e thjeshtë, nëse keni kërkuar ndonjëherë tendera apo leje ndërtimi në shkëmbim të favoreve për një politikë më të mirë editoriale, keni humbur besimin e publikut ose do thoshte akoma më thjeshtë, ulni kokat dhe shikoni kyçet e dorës, nëse ora që mbani është më e shtrenjtë se rrogat e papaguara apo të vonuara të gazetarëve, jeni të korruptuar para ligjit dhe në shpirt.

Sugjerimi për kryeministrin do të ishte mos shko në televizionet ku nuk paguajnë rrogat e gazetarëve apo i vonojnë. Shqipëria është një vend i NATO­s, dhe nuk shkon që gazetarët më kollaj të marrin kredi në bankë se sa rrogën në vendin e punës”,­ tha Dervishi.