Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot, seancën e fundit plenare për vitin 2015 sipas këtij rendi dite, prezantuar nga kryetari Ilir Meta. Ndër projektligjet më kryesore janë Dekriminalizmi dhe Buxheti 2016, i cili do të diskutohet nen për nen.
BERISHA MERR FJALËN I PARI NË KUVEND: NDRYSHONI RENDIN E DITËS, NDRYSHE REVOLUCIONI NUK NDALET
Që në nisje të seancës plenare, ish-Kryeministri Berisha ka marrë fjalën duke folur nga vendi, që Kuvendi të ndryshojë rendin e ditës, duke marrë shkas edhe protesta që po zhvillohet jashtë Parlamentit. Opozita sot proteston kundër Buxhetit 2016, të cilin e ka kundërshtuar fuqishëm dhe kërkon mos votimin e tij. Berisha i kërkoi kreut të Kuvendit Ilir Meta që të mbledhë Kryesinë me grupet parlamentare dhe të ndryshojnë rendin e ditës, për të diskutuar fillimisht për projektbuxhetin 2016.
“Kërkoj nga deputetët të përshtasin rendin e ditës me kërkesat e popullit të revoltuar. Është gabim me pasoja të rënda nëse ne nuk pasqyrojmë sot në punën e Kuvendit atë revoltë ë thellë që vërshoi dhe cau rrugët e Tiranës pikërisht kundër këtij buxheti, kundër atij zotërie që e ka shndërruar këtë qeveri në organizatë kriminale. Ndaj dhe mos mendoni se ishin flakë për celikun apo betonin, por flakë për urrejtjen që ka mbjellë zotëria e tij, ishin flakë për mjerimin që ka mbjellë në dy vjet qeverisje. Ishin flakë për lidhje e tij me Shullazin dhe krimin, për dekorimin e xhelatëve të diktaturës, për spastrimin etnik që po u bën shqiptarëve, ndaj një njeriu që s’ka asnjë program, asnjë projekt, por u tregon nga mëngjesi në dark hekurat, burgun shqiptarëve. Ndaj dhe mundësisht vjen një moment që njerëzit duhet të kujtohen, mblidhe kryesinë dhe vendosni për të aprovuar këtë rend dite që nuk shkon kurrkund me valën e fuqishme të revoltës. Më 8 dhjetor ja dolëm ta menaxhojmë, bëmë gjithcka që ajo mos fshihte nga vendi ku ndodheshin tempujt e urrejtjes që i ka shndërruar Edi Rama. Por durimi i qytetarëve ka një kufi, ndaj dhe është mirë të marrim parasysh kërkesat, ndryshe revolucioni demokratik s’ka të ndalur”, tha ish-Kryeministri Berisha.
Rendi i ditës
- Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datave 3.12.2015 dhe 4.12.2015 (neni 44, Rregullore)
- Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend (neni 44, pika 3, Rregullore)
- Projektligji “Për vetëqeverisjen vendore” (Nenet 73-77, Rregullore, votim me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit)
- Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar” – shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi – (Nenet 73-77 dhe 84, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë)
- Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar” – shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar” – shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë
- Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” – shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi
- Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.10383, datë 24.2.2011 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” (2 projektligje) – shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi
- Projektligji “Për punëkërkuesit” – shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi – (Nenet 73-77 dhe 84, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë)
- Projektligji “Për buxhetin e vitit 2016” – shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi – (Nenet 73- 77 dhe 84, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë)
- Projektvendim “Për miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e dokumenteve ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes ndërmjet KM të RSH, përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, përfaqësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, për realizimin e programit “Fuqizimi i Qendrës Traumatologjike Kombëtare të Tiranës”, nënshkruar më 12.7.2006”” (neni 28,
Rregullore) - Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin e Kuvendit nr. 96/2014 “Për krijimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë”, të ndryshuar (neni 24, Rregullore)
- 1 Për votim: – Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8738, datë 12.2.2001 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”” (neni 83, Kushtetutë – votim me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit)
– Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” të ndryshuar” (nenet 81, 83, Kushtetutë – votim me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit)
– Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9584, datë 17.07.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj” (neni 83, Kushtetutë – votim me shumicë të thjeshtë)
– Projektligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” (nenet 81, 83, Kushtetutë – votim me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit)
- Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (neni 45, Rregullore)