Racizmi – Teksa debati i racistëve të dikurshëm që ende nderohen edhe sot është më i fortë se kurrë në SHBA, disa shkolla po ndërmarrin të parat hapin e veçimit të racistëve nga lidhjet me studentët Një gjimnaz në Pensilvani e hoqi librin “Aventurat e Hakëllberri Fin”, një romani i autorit Mark Tuein i vitit 1884 nga programi mësimor i klasës së 11, pas ankesave nga nxënësit. Sipas nxënësve, romani i bënte ata të mos ndiheshin mirë.
“Shkolla ‘Friends’ në Uiniud, një periferi e Filadelfias, nuk do të japë më mësim mbi këtë libër, që është një klasik i letërsisë amerikane”, tha drejtori i shkollës, Art Hall.
“Dolëm në përfundimin se kostot e komunitetit për leximin e këtij libri në klasën e 11, i kalojnë përfitimet letrare”, shkroi Hall në një letër te prindërit e nxënësve.
I publikuar në vitin 1884, “Aventurat e Hakëllberri Fin” ka qenë shpesh shënjestër e përpjekjeve për ndalim, veçanërisht për shkak të gjuhës së përdorur e sidomos përdorimit të fjalës ‘zezak’. Romani arriti në listën e bibliotekës amerikane si një nga 10 librat më të sfiduar në 2002-shin dhe 2007-n.
Përpjekjet për të censuruar librin janë bërë po aq të vjetra, sa dhe vetë libri. Ironikisht, kritikat e hershme të romanit kishin në fokus qëndrimin kundër skllavërisë dhe portretizimin e miqësisë mes Xhimit, një skllavi afrikano-amerikan që ia ka mbathur dhe Hak Fin, një djali të bardhë.
Sot, është përdorimi i fjalës zezak në libër, ai që has kritika të ashpra. Në vitin 2011, një botues publikoi një botim që e zëvendësoi fjalën zezak me skllav dhe u kritikua ashpër për heqjen e kontekstit të vërtetë kulturor të librit.
“Hakëllberri Fin do të qëndrojë në librarinë e gjimnazit dhe do të zëvendësohet në programin mësimor nga libri ‘Rrëfimi i jetës së Frederik Dagllas’, një skllav amerikan.”
Hall, drejtori i shkollës, e mbrojti vendimin për të hequr librin nga programi. “Nuk besoj se po bëjmë censurë”, tha ai. “Besoj vërtet se kjo është një mundësi që shkolla të bëjë një hap përpara dhe të dëgjojë nxënësit.”
Racizmi në sulm
Në muajin nëntor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përfshinë nga një debat i gjerë për figurat e çmuara të kombit që kanë pasur të shkuar të lidhur me skllevërit, kanë mbështetur racizmin apo kanë nxitur ligje diskriminuese.
Xhorxh Uashington, i pari president amerikan, u vu përballë kritikave të ashpra, për shkak se posedonte skllevër. Një shkollë në SHBA vendosi të ndryshojë emrin e shkollës që mbante emrin e tij dhe ta ndryshonte atë sipas një kirurgu të famshëm me ngjyrë.
Debati është ndezur, pasi një grup aktivistësh për të drejtat e personave me ngjyrë, zaptuan një fakultet të universitetit të famshëm Princeton, duke kërkuar ndryshimin e emrit të fakultetit që nderonte Presidentin amerikan, Uillson, njëkohësisht edhe ish-president i Princeton në një moment të caktuar.
Sipas aktivistëve, Uillson kishte mbështetur politika diskriminuese ndaj popullatës amerikane me ngjyrë dhe uli pozicionin shoqëror të këtyre personave. Debati, jo vetëm që ka futur në të thella bordin e shkollës, studentët dhe profesorët, por i gjithë kombi amerikan po kërkon gjetjen e një të mesmeje të artë.
Gazeta prestigjioze “New York Times”, shkroi një editorial, ku thuhej: “Pesha dërrmuese e provave tregon se duhet shfuqizimi i nderit që universiteti i ka bërë dekada më parë një racisti të papenduar”.
Në një artikull të titulluar “A duhet t’i nderojmë racistët”, profesori i shquar, Peter Singer, i bioetikës në Universitetin Princeton, argumentoi se lëvizja studentore kishte sjellë në vëmendjen publike ndryshimin e standardeve morale dhe mënyrën se si këndvështrimi për një person historik merr kuptime të tjera me kalimin e kohës.
Sipas profesorit, Uillson ka dhënë kontribute të pamohueshme në shtetin amerikan dhe politikën globale, gjëra që nuk mund të fshihen nga historia, por gjithsesi, racizmi i Uillson është ai që po spikat më tepër dhe që po errëson vlerat për të cilat presidenti ishte i rëndësishëm për Universitetin Princeton.
Singer argumenton se kontributet e Uillson duhet të “njihen si një mjet që krijon një bisedë me nuanca rreth vlerave në ndryshim dhe përfshin si arritjet e tij pozitive dhe kontributet e tij ndaj politikave dhe praktikave raciste të Amerikës”.
Rezultati i bisedës përfundon duke pohuar se duhet të bëhet edukimi i studentëve për këtë aspekt të panjohur të Presidentit, si dhe fakti se emri i tij në shkollë nuk përçon mesazhin që institucioni përfaqëson aktualisht.
Burimi: Los Angeles Times & New York Times