Miratohen brenda pak minutash amendimet e Kushtetutës për dekriminalizimin

0
206

komisioni-per-dekriminalizimi

 

 

 

Komisioni i posaçëm parlamentar për dekriminalizimin miraton amendamentet kushtetuese të nevojshme për t’i hapur rrugë procesit të dekriminalizimit të politikës dhe administratës publike.

Kryetari i komisionit për dekriminalizmin, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi bëri një përmbledhje të 4 amendimeve kushtetuese të cilat pas miratimit do t’i kalojnë më tej seancës plenare për votim. Ndërsa nënkryetari i komisionit Talulan Balla kërkoi ndihmen e mediave për të shperndare amendimet e miratuara, në mënyrë që publiku te kete mundësi te njihet me to.

4 amendamentet synohen të votohen deri në 21 dhjetor, në mënyrë që nga janari të nisë dekriminalizimi. Sipas ndryshimit të nenit 179/1, i lihet kohë deri në 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, titullarit të institucionit publik dhe vetë personave që preken nga ligji, të verifikojnë pastërtinë e tyre.

“Funksionarët e organeve të parashikuara në Kushtetutë dhe subjektet e ligjit të posacëm që rregullon garantimin e integritetit të personave, që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruar të përmbushin detyrimet e përcaktuara në atë ligj, brenda 3 muajve nga hyja në fuqi e tij”, thuhet në nen.

Amendamentet detyrojnë gjithashtu titullarët e institucioneve ku konstatohet se ndodhen individë me të kaluar kriminale , që brenda 5 ditëve të shpallin të pavlefshëm mandatin ose të nxjerrin aktin e shkarkimit ët tyre.

“Funksionarët publik që janë emëruar në detyrë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që ushtrojnë funksionin e tyre me ose pa mandat, shkarkohen menjëherë nga detyra nëse konstatohet se përfshihen në rrethin e subjekteve që janë të përjashtuara sipas ligjit të posaçëm nga e drejta për t’u zgjedhur, emëruar apo për të mbajtur një funksion publik. Organi përgjegjës është i detyruar të nxjerrë aktin e shkarkimit nga detyra brenda 5 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit”, – theksohet në amendamente, ku saktësohet gjithashtu se nëse titullari i institucionit nuk vepron brenda 10 ditëve, çështja i kalon për interpretim gjykatës kushtetuese.

Nëpërmjet një amendamenti të posaçëm shfuqizohen një seri nenesh të tjera kushtetuese të cilat i referohen zgjedhjes së funksionarëve publik.

“Pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozitat e tjera të kësaj Kushtetute, është e ndaluar zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në këto organe, nëse verifikohen rrethanat që cenojnë integritetin e personit, sipas kushteve të përcaktuara nga ligji”, -thuhet në të.

Ndërsa në mbledhjen e 23 nëntorit të këtij komisioni e cila zgjati deri në mbrëmje, palët politike ranë dakord që propozimet për ndryshimet kushtetuese të përmblidhen në 4 nene në mënyrë që të mos preken shumë nene të dokumentit themeltar të shtetit. Fillimisht ishin parashikuar ndryshimi i 17 neneve.

Më herët opozita dhe mazhoranca miratuan në komisionin e dekriminalizimit një draft të përbashkët për këtë proces. Opozita kërkonte që politikanët t’i nënshtroheshin edhe testit të drogës por kjo pikë u rrëzua nga mazhoranca në komision.

Ndryshimet kushtetuese parashikojnë kategoritë e zyrtareve që nuk mund të zgjidhen në poste të larta ose duhet të lenë mandatet në rast se kanë kryer shkelje në të shkuarën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency