Ku ndodhet qendra e përgjimeve në Shqipëri?

0
125

r

 

 

Shqipëria nuk ka një histori të mirë me përgjimet, që kanë nisur që në kohën e komunizmit dhe kanë vazhduar gjatë tërë kohës. Por nëse në diktaturë përgjoheshin qytetarët, me ardhjen e demokracisë, përgjimet bëhen për zbardhjen e organizata kriminale, korrupsionit, apo dhe terrorizmit siç ka ndodhur në fund të viteve 1990.

Por vetëm pas vitit 2003, në Shqipëri u tentua të rregullohej disi problemi ligjor i përgjimeve. Në atë kohë, shërbimet tona sekrete i kërkuan Shërbimeve Sekrete Britanike instalimin e një pajisjeje që kryente përgjimet e telefonave celularë relativisht të avancuar për kohën.

Pajisja u vendos në Ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme në fund të vitit 2005, por nuk hyri në përdorim deri në fillim të vitit 2008. Pajisja ishte disi moderne për kohën, por vonesa në instalim dhe revolucioni i telefonave celularë e nxori atë jashtë funksionit.

Ndryshimi i programeve ishte shumë i shtrenjtë dhe strukturat e ngarkuara me përgjimet gjetën një tjetër mundësi. Ato morën me qira një pajisje shumë më të sofistikuar nga një kompani italiane, pajisje që përdoret ende.

Celula e Përgjimit ndodhet në Prokurorinë e Përgjithshme. Aty ndodhet pajisja dhe atje kryhet përgjimi nga një bërthamë prej 3 oficerësh të Prokurorisë. Përgjimet e policisë, bëhen po në atë ambient, por në prani të oficerëve të Ministrisë së Brendshme. Struktura e përgjimit ka një personel prej 30-35 personash.

Shërbimi Sekret nuk përgjon në ambinetet e Prokurorisë, por në selinë e vet, por ai nuk përgjon dot, nëse sinjali i përgjimit nuk i lejohet dhe autorizohet nga Prokuroria. Eshtë prokuroria ajo që i jep linjën shërbimit Sekret dhe kontrollon përgjimet që bën ai.

Makina e përgjimit ka një kapacitet të madh numrash të vendosur në përgjim, por një kosto mjaft të lartë të zbardhjes dhe transkriptimit të të dhënave. Ajo bën përgjimin e telefonave dhe sms dhe identifikon vendin prej nga janë kryer ose nisur ato.

Përgjimi lë gjurmë në pajisjet e kompanive celulare që dinë me saktësi që numri i tyre është nën përgjim, por nuk kanë hyrje në përmbajtjen e bisedës. Kompanitë celulare janë të detyruar sipas ligjit t’i krijojnë mundësinë e ndërhyrjes prokurorisë për përgjimet.

Përgjimi lë gjurmë në soft për një kohë të gjatë, për të mos thënë të përhershme. Numrat e përgjuar mbeten aty, ndërsa ata që janë përgjuar indirekt, ruhen vetëm për pak kohë.

Nuk dihet se si vepron celula e përgjimit me aplikimet e tjera të sofistikuara.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency