Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, emëruan drejtoren e re të Burgut të Grave në kryeqytet, Zoja Jakaj. Gjatë prezantimit të drejtoreshës së re ministri Manjani deklaroi se Ministria e Drejtësisë do ti jap fund emërimeve politike në nivelin e drejtuesve të lartë. “Jam sot në këtë institucion, sigurisht pak të veçantë për shërbimet që ofrojmë ne, që është institucioni i vuajtjes së dënimit për gra, për të prezantuar drejtoreshën e re, të cilën e kam emëruar sot me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm dhe që është Zoja Jaka. Ky është një institucion riedukimi, prandaj zonja drejtoreshë projektet tuaja dhe të gjitha idetë që keni patur do të keni mundësi që t’i ndiqni këtu dhe për këtë do të keni gjithë mbështetjen time, në radhë të parë, do keni mbështetjen e Drejtorit të Përgjithshëm dhe personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, sepse pa mbështetje nuk bëhet gjë, të jemi realistë. Bashkë me ju në krye të këtij institucioni dëshiroj të shpall standardin e ri të emërimeve dhe të drejtimit të burgjeve. Dua ta theksoj këtë gjë, sepse sistemi i burgjeve dhe i paraburgimit është pjesë e sigurisë kombëtare dhe një pjesë e menaxhimit politik, e theksoj këtë gjë. Nuk ka punë asnjë parti politike në këtë menaxhim, insistoj dhe do ta kryej këtë detyre, për sa jam betuar në Kushtetutën e Republikës, që i gjithë standardi drejtues, standardi im i menaxhimit, është me njerëz të cilët nuk kanë lidhje me partitë politike, me njerëz të cilët kanë kontribut në CV-të e tyre personale, kanë krijuar CV profesionale dhe nga kjo pikëpamje unë mbështes këtë lloj zgjidhje”, – theksoi ministri Manjani. Ndërsa Drejtoresha e re e institucionit “Ali Demi” në fjalën e saj shprehu vendosmërinë për të ndryshuar pamjen e këtij institucioni “Vij nga bota akademike dhe jam marrë shumë edhe me aktivitete televizive, me median e shkruar dhe median vizive. E kam marrë si detyrë për të ndryshuar pamjen e këtij institucioni. Duke qenë se vij nga bota akademike, mendoj që një mësimdhënëse që ka dhënë mësim në sektorin e arsimit të mesëm dhe atë të lartë, nuk ka institucion që nuk do dijë të ketë një qasje të bukur, sigurisht pa devijuar asnjëherë nga ligji dhe e drejta, por për t’i ndryshuar faqen dhe për mos t’u marrë fare me pjesën politike, por gjithmonë me ligjet, zbatimin e tyre dhe ndryshimin e këtij institucioni”, – theksoi Jakaj. Prezantimi i drejtoreshës së re vijoi me stafin e institucionit, të cilët e njohën atë me situatën aktuale, programet dhe ecurinë e deritanishme të punës.