Amnistia për të burgosurit/Ja të dënuarit të cilët përfitojnë nga 1 janari 2016

0
203

i_burgosur-550x360

 

Parlamenti pritet të miratojë një amnisti të përgjithshme për të burgosurit shqiptarë që do të lirohen në prag festash. Projektligji është bërë gati nga Ministria e Drejtësisë, e cila ka përcaktuar dhe kategoritë që përfitojnë nga kjo amnisti. Amnistia do të prekë rreth 1000 të burgosur dhe që do të ulë në këtë mënyrë dhe mbipopullimin në burgje.

 

Ja të cilët të dënuar përfitojnë nga amnistia

Sipas projektligjit përfitojnë amnisti kriteret e më poshtme:

  1. Personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht, me gjobë apo personat, për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën hyrjes në fuqi të këtij ligji, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
  2. Personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me: kusht, me gjobë (për pjesën financiare të pashlyer të dënimit deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji), apo personat, për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
  3. Personat e dënuar me burgim, të cilëve, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
  4. Personat e dënuara femra, që, në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
  5. Personat e dënuar meshkuj, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
  6. Personat e dënuar me burgim të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 103, 104, 139, 140 e 141, të Kodit Penal.

 

Kush nuk përfiton amnisti

Përzgjedhja e kategorisë së personave që përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në këto kritere: lloji dhe masa e dënimit; koha e mbetur e dënimit; mosha aktuale e personit të dënuar; mosha e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale, ku në thelb mbetet rrezikshmëria e ulët e personit apo veprës penale.

Projektligji parashikon në nenin 4, se të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk përfitojnë nga parashikimi i nenit 3 dhe kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji, u amnistohet:

a). 1.5 vjet, për personat e dënuar gra dhe personat që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur.

b). 1 vit për personat e dënuar burra.

Neni 5 i projektligjit ka parashikuar shprehimisht “kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë” që do të thotë një garanci e shtuar për mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në rrezik sigurinë dhe rendin publik. Veprat penale të parashikuara në nenin 5 të projektligjit janë vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për këtë qëllim, këta persona përjashtohen tërësisht nga përfitimi i amnistisë.

Ndërkohë, amnistia pritet të prekë një numër të konsiderueshëm të të burgosurish në vendin tonë, nismë kjo që pritet të ndikojë direkt në uljen e mbipopullimit të burgjeve. Lirimet nga qelia të të burgosurve që përfitojnë nga amnistia e përgjithshme e fundvitit, pritet të aplikohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Këtë fakt e ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency