Futbollisti mbrojtës i Barcelonës, Javier Mascherano, ka shprehur falënderimin e tij për Rafa Benitez, për të cilin thotë se ia ka shpëtuar karrierën. Argjentinasi nuk arriti ta gjente veten në Evropë pas transferimit te West Hami (nga Corinthians në vitin 2006), mirëpo strategu spanjoll e vërejti potencialin e tij dhe e transferoi te Liverpuli. “Ai është një njeri i shkëlqyer dhe një trajner inteligjent dhe shumë i mirë. Gjithmonë do t’i jem falënderues që më nxori nga vrima e zezë e madhe ku kisha ngecur. Te West Hami, nuk më linin të luaja. Ishte hera e parë që luaja në Evropë dhe atëherë Rafa erdhi te Liverpuli dhe më mori atje. Asokohe njerëzit nuk e kuptonin veprimin e tij, sepse në mesfushë (ku ka luajtur argjentinasi) kishin lojtarë si Xabi Alonso, Mohamed Sissoko e Steven Gerrard”, – ka deklaruar Mascherano për “La Gazzetta dello Sport”.