Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, zgjidh konfliktin mes dy klubeve të kryeqytetit,Tiranës dhe Partizanit, për dëmet e shkaktuara nga tifozët e kuq në derbin e “Selman Stërmasit”, që u mbyll në barazim 0-0. Në mbledhjen e radhës të këtij Komisioni ku u vlerësuan problematikat e shënuara në javën e 15-të të Superiores, u vendos që klubi i Partizani duhet të paguajë me vlerën e tregut dëmin që shkaktua nga dëmtimi i 70 stolave nga ultrasit e kuq në tribunat H1 dhe H2. Por masat për sjelljen e gabuar të tifozerisë së kuqe në derbi shkojnë më tej, pasi Partizani, përveçse duhet të dëmshpërblejë Tiranën, gjobitet edhe me 100 mijë lekë. Me të njëjtën shifër gjobitet edhe Tirana për sjellje të gabuar të tifozerisë së saj në derbi. Në sfidat e tjera të javës së 15-të, zyrtarët e ndeshjen kanë raportuar parregullsi në sjelljen e tifozerisë vendase edhe në sfidën Skënderbeu – Laçi 4-0, ndaj klubi korçar dënohet me 50 mijë lekë gjobë. Në vendimet e dhëna për kategoritë më të ulëta bie në sy pezullimi 4 ndeshje i zyrtarit të Shkumbinit Astrit Isaj për sjellje të gabuar ndaj zyrtarëve të ndeshjes.