Partia Demokratike organizon sot protestën e paralajmëruar javë më parë e cila për demokratët s’do të jetë vetëm një përkujtim i lëvizjes studentore të 8 dhjetorit të 25 viteve më parë, por do të shërbejë edhe si një testim për vazhduar me kërkesën e PD-së për zgjedhje të parakohshme.
Por kjo s’do të thotë se skenarët e protestës së sotme do të orientohen drejt dhunës. Burime pranë PD deklaruan dje për “Shqiptarja.com” se për të shmangur çdo incident të mundshëm apo provokim që mund të çojë deri edhe në përdorimin e dhunës, Partia Demokratike do ta monitorojë vetë protestën nga ajri përmes një droni i cili do të filmojë marshimin e protestuesve nga sheshi “Skënderbej” e deri në vendgrumbullimin e tyre në bulevard, përpara selisë së Këshillit të Ministrave.
Monitorimi
Organizatorët kanë menduar që droni të qëndrojë në ajër përgjatë bulevardit, ndonëse nuk dihet nëse ai do të lejohet nga Policia, duke qenë se ngritja e objekteve fluturuese pranë institucioneve shtetërore, është i ndaluar. Monitorimi i protestës nga organizatorët e saj është një tjetër risi, pas asaj të shndërruar në praktikë tashmë nga Partia Demokratike, ngritja e një “kordoni sigurie” me femra, përfaqësuese të Forumit Rinor, përpara kordonit të Policisë së Shtetit. Edhe protesta e sotme, në të dy anët e bulevardit ku ndodhet selia e Kryesisë së Kuvendit dhe ajo e Këshillit të Ministrave, do të “mbrohen” nga femrat e Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Ora 09.15 Ambasada e SHBA-së: Protesta mund të jetë konfrontuese
Ambasada amerikane në Tiranë i ka drejtuar mesazh qyetarëve të ShBA-së që jetojnë në Shqipëri duke u bërë thirrje të kenë kujdes nga protesta që organizohet këtë të martë nga opozita.
“ Edhe pse demonstrata është njoftuar të jetë paqësore, ajo mund të kthehet në konfrontuese,” shkruhet në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të ambasadës. Në të i bëhet thirrje qytetarëve të shmangin zonat e tubimit, përfshirë dhe ato në qytete të tjera dhe të qëndrojnë në shtëpi.
Ora 08.00 Mijëra qytetarë nga rrethet nisen drejt Tiranës
Demokratë e qytetarë të shumtë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, do ta marshojnë sot drejt Tiranës, ku do t’i drejtohen sheshit “Skënderbej” në protestën e organizuar nga Partia Demokratike.
Tubimi masiv pritet të nisë rreth orës 11.00 dhe ashtu siç ka paralajmëruar opozita, ajo do të zgjasë disa orë më rradhë deri në orën 16.00 të pasdites. Lideri i opozitës, Lulzim Basha do t’i bashkohet protestuesëve në sheshin ‘Skënderbej” për vijuar më pas në Bulevardin Dëshmorët e Kombit”, ku do t’i drejtohet podiumit të vendosur para kryeministrisë, nga ku do të mbajë edhe fjalën e tij para protestuesëve.