Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka dhënë udhëzimet e fundit për të gjithë drejtuesit lokalë dhe gjatë gjithë ditës së djeshme ka zhvilluar takime intensive për të grumbulluar sot sa më shumë njerëz në sheshin “Skënderbej”. Kreu demokrat u ka dërguar të gjithë anëtarëve të PD-së një SMS, ku i ftoi për të marrë pjesë në protestën e sotme.
“Ti që je pa punë, ti që nuk siguron dot bukën e fëmijëve, ti që nuk kurohesh dot në spital, ti që terrorizohesh për kuponin, dritat dhe ujin, ti që nuk shet dot prodhimet e tua, ti që mbyll qepenin, ti që vidhesh dhe poshtërohesh, ti që mbitaksohesh, është koha të protestosh bashkë me ne. Më 8 dhjetor, ora 11:00, në sheshin ‘Skënderbej’, për t’i treguar kësaj bande hajdutësh se durimi ynë ka mbaruar! Duam një rrugë të re për Shqipërinë! Lulzim Basha”, mbyllet mesazhi.
Protesta e opozitës është parashikuar të nisë në orën 11:00 nga sheshi ‘Skënderbej’ e për të masrshuar më pas në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ku dhe është ngritur podiumi mes Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit. Mijëra simpatizantë e qytetarë demokratë nga të gjitha qytetet e vendit pritet që të mblidhen në protestën e sotme. Degët e PD nëpër rrethe janë marrë me organizimet për marshimin opozita si dhe kanë krijuar mundësitë për udhëtimin drejt kryeqytetit.
Në podium, krahas fjalës së Bashës pritet të marrin fjalën mbi 20 persona, zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, ish-studentë të dhjetorit dhe përfaqësues të kategorive të ndryshme shoqërore. Ashtu si edhe në protestat e kaluara, nuk është parashikuar që ish-kryetari i PD Sali Berisha të mbajë fjalim. Protesta pritet që të zgjasë disa orë dhe kryedemokrati Lulzim Basha do të jetë i pranishëm dhe nuk do të largohet edhe pas përfundimit të fjalës së tij.
Nga ana tjetër, policia ka ndërmarrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste. Burimet thonë se policia ka informacione se mund të qëllohet me vezë godina e Kryeministrisë, por edhe efektivët e policisë. Kjo për shkak se në protestë do të jenë të pranishëm edhe studentë e ish të përndjekurit politikë. Këto dy kategori kohët e fundit kanë qenë aktivë përsa i përket protestave me vezë. Ashtu si dhe herët e tjera, kordoni i parë i policisë do të jetë me police femra, një taktikë kjo për të shmangur dhe evituar përplasjet me protestuesit. Vetë kryetari i PD Basha ka thënë se protesta do të jetë paqësore dhe demokratike, por nuk do të ndalen deri në largimin e Qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme. Në vjimësi të masave të policisë, janë bllokuar edhe disa rrugë.
Do të ketë bllokim të pjesshëm të disa rrugëve në kryeqytet nga ora 11:00 deri në orën 16:00, kohë që do të zhvillohet marshimi i Partisë Demokratike. Policia bën me dije se do të bllokohen rruga e Kavajës, rruga e Dibrës, rruga e Elbasanit, bulevardi Bajram Curri dhe bulevardi Zogu i Zi. Në këto akse rrugore do të ketë trafik të kufizuar të lëvizjes së automjeteve. Kurse do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i makinave nga sheshi Skënderbej, bulevardi Dëshmorët e Kombit deri te sheshi Nënë Tereza nga ora 10:00 – 16:00.