Mbi 3 orë fjalim në Parlament/Rama: Revolucioni i PD, zjarr në pantallona të lagura. Shteti juaj kashtë e ko.., ne rritëm ekonominë

0
139

 

rrethimi i rames nga opozitaProjektbuxheti, Rama: Ekonomia pritet të rritet në 3.4 %, borxhi do ulet në nivel historik. Këtë vit shqiptarët kishin 7.5% më shumë të ardhura nga ulja e taksave. S’do ketë rritje të sigurimeve shoqërore për profesionet e lira

Gëzim Saliu

Përmes një fjalimi që zgjati për 3 orë, Kryeministri Edi Rama prezantoi dje në parlament projektbuxhetin e qeverisë për vitin e ardhshëm, ku konfirmoi se ekonomia do të rritet në 3.4% dhe se borxhi publik pritet të ulet në një nivel historik. Por ajo që u vu re në fjalën e kreut të qeverisë ishte fjalori i përdorur ndaj kundërshtarëve politikë, gjë e cila solli edhe momente tensioni mes palëve që çuan deri në ndërprerjen e seancës parlamentare. Duke iu referuar kundërshtive të opozitës dhe protestës së pritshme më 8 dhjetor, kryeministri tha se revolucioni i demokratëve do të jetë thjeshtë një zjarr në pantallona të lagura. “Sa i përket atyre që kanë një xhiro nga 50-80 milionë, me ta kemi shlyer përfundimisht detyrimin kontraktual të 23 qershorit 2013: Heqjen e taksës mbi biznesin e vogël dhe përgjysmim të tatimit mbi fitimin. Vetëm pesë përqind e paguajnë me tre kushte: Që të sigurohen për pensionin dhe shëndetin, të kenë në gjendje në njësinë e tyre tregtare çdo mall me faturë tatimore dhe të japin kuponin. Pse të mos e japin kuponin kur i plotësojnë këto tre kushte apo për dhënë zjarr revolucionit tuaj, një zjarr që mund të ndizet vetëm në pantallona të lagura. Dua të sqaroj edhe një mjegull të madhe që keni përhapur: Paskemi rritur ne, ju kanë hequr taksën shiko çfarë flake në pantallona! …sepse këta bëjnë garë kush gënjen më shumë, sepse sa më shumë të gënjesh aq më shumë i afrohesh të zotit të shtëpisë që është pastaj gjenerator i zjarrit në pantallona”. Më tej kreu i qeverisë vazhdoi akuzat dhe ofendimet ndaj demokratëve duke pohuar,: “E bëtë shtetin kashtë e koqe. Si mund të luftohet varfëria me rrush e kumbulla?! Ju nuk kopjoheni. Jeni të pakjopueshëm dhe të papërsëritshëm në llojin tuaj, sepse vetëm flisni për atë që s’dini dhe s’dini atë që flisni. Në këtë përplasje në mes të reformatorëve dhe deformatorëve janë të varfëritë që abuzohen nga skizofrenia politike edhe më keq se varfëria”. Ndërkohë duke iu referuar kritikave të opozitës se masat kundër informalitetit sjellin vetëm burgun për biznesin, Rama theksoi se gjobat janë të larta sepse janë për ata që shkelin ligjin. “Po burgu për çfarë është bërë, për çfarë është bërë burgu? Është bërë t’ju presë ju?.Dhe…qeshni, qeshni, qeshni se i vetmi pushtet që keni në dorë është thjeshtë dhe vetëm të qeshni, nuk keni pushtet tjetër. Nuk ju ka mbetur pushtet tjetër. Keni pushtetin të qeshni pa arsye. Nuk keni pushtet tjetër, i jepni urdhër gojës që të shqyhet pa arsye. Ky është pushteti juaj që ne nuk jua kontestojmë dot, edhe kur e shqyeni për të shpif edhe kur e shqyeni për të qeshur. Qeshni, qeshni dhe prisni revolucionin”, pohoi ai.

Shifrat për buxhetin

Sipas kryeministrit Rama ky buxhet është pasqyrim real për rritjen ekonomike në vend përkundrejt të gjitha kundërshtive. “Në rast se edhe me projektin e 2016, gjë që ndodh sot, do të vazhdonte në këtë rrugë vitin e ardhshëm, do të ketë një tjetër rritje të vlerësimit në notën e agjencive vlerësuese ndërkombëtare”, tha ai duke shtuar nga ana tjetër se mosrealizimi i të ardhurave në 10 muajt e parë të këtij viti ishte i lidhur me ndikimin e konjukturës ndërkombëtare. Ndërkohë sa i përket rritjes së borxhit publik, Rama deklaroi se kur socialistët erdhën në qeverisje e gjetën 75% dhe e legalizuan këtë shifër. “Ne kemi marrë borxh vetëm 280 mln euro në vit, ndaj mesatarshit 460 mln ero në vit që u morën borxh në 8 vite. Ne njohëm borxhin e legalizuam”, theksoi ai. Ndërkohë sa i përket sigurimeve të profesioneve të lira, kreu i qeverisë dha një tjetër version duke premtuar se nuk do të paguajnë më shumë se aktualisht. “Nuk ka asnjë qindarkë më shumë rritje sigurimesh sepse kanë bërë zgjedhjen e duhur në 23 qershor. Një pagë mesatare si referencë, një pagë mesatare që është një pagë mesatare e një nëpunësi të republikës së Shqipërisë”. Po ashtu pjesë e fjalimit të kryeminsitirt ishte edhe ligjin për pronat, i kritikuar ashpër nga opozita, ku kjo e fundit e krahason atë me të njëjtën reformë të regjimit komunist pas Luftës së Dytë Botërore. “Kanë kurajo të përmendin ‘44 dhe ’46. Në ’44 dhe ‘46 u bënë gjakderdhje dhe rrëmbyen me ideologji të drejtpërdrejtë pronat e shqiptarëve, kurse nga ‘91 e deri më tani që vijmë tek ky ligj, tjetër është thënë dhe tjetër është bërë”, u shpreh Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency