Dekriminalizimi i arsimit

0
153

 

mmmmmmmmmmmmmDr. Ndriçim Mehmeti

 

Sa herë që mendojmë mirë apo keq për një njeri, mendja na shkon tek shkolla. Nëse vërejmë një shkallë të pëlqyeshme të intelektit dhe sjelljes, themi me vete: “Ka qenë edhe i zoti, por ka pasur edhe mësues shumë të mirë”. Nëse nuk di të flas, shpreh habi për gjërat që ka rreth vetes, nuk koncepton drejt, paragjykon etj., atëherë themi se “fajin nuk aq shumë personi, sesa fakti që nuk është shkolluara”. Shifrat dhe statistikat, flasin qartë se pjesa më e madhe e krimeve ordinere, grabitjeve, madje edhe vrasjeve, kryhen nga njerëz pak ose aspak të shkolluar. Ka qenë mjaft e njohur parulla e rilindësve të parë, “Nëse hap një shkollë mbyll një burg”.

Po kur vetë shkolla bëhet kaush burgu, çfarë ndodh? Kush e ka fajin? Kush është përgjegjës?

Nuk besoj se e zmadhoj fare gjendjen, as bëj propagandë, kur them se po rritet me shpejtësi numri i shkollave, te cilat, janë kthyer në një kaush burgu, që prodhojnë dhe rritin tendencat e nxënësve, drejt të qenit kriminel, i varur prej drogave, dallaveraxhi, njeri që përpiqet të fitojë në mënyrë të padrejtë, i paedukatë, që kërkon të shtypësh me këmbë këdo, sa të kesh pak pushtet. Nëse deri tani jemi në rrafshin teorik, mund të japim shembuj praktik. Nga shtypi kemi mësuar se: Në një nga shkollat më të njohura të Tiranës, një nxënës shëtiste prej një jave me pistoletë në brez pa u shqetësuar prej askujt, në Vlorës, një djalë hyn në shkollën e mesme, qëllon në kokë një vajzë që më pas shpëton mrekullisht dhe del pa u shqetësuar prej shkollës, në Elbasan hyn e del një njeri i droguar, që më pas ekzekuton një nxënëse, në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, mediat vizive dhe ato të shkruara e shënjestrojnë si vendi ku shiten, droga të rënda, siç janë, heroina dhe kokaina. Mësuesja e djalit të kryeministrit i dërgon një letër ku i shpjegon se arsimi është kriminalizuar dhe se ajo largohet si rezultat i “terroristëve politik”, siç i quan ajo drejtuesit e arsimit. Kreu i arsimit të Lushnjës, merret dhe emërohet pa asnjë procedurë transparente, në kundërshtim me ligjin, e pa shkolluar për postin që zuri dhe rezultati ishte, marrje ryshfeti, duke i shënuar me kujdes emrat në bllok. Po ashtu vetëm një muaj më parë, mediat mediat nxorën në pah një vendim gjyqi për korrupsion, për një prej drejtuesve të shkollave 9-vjeçare më me traditë në qytetin e Tiranës. Duke shkuar më tutje, burime të besueshme të Policisë së Shtetit, bëjnë me dije, se shkollat po kthehen në një treg mjaft fitimprurës të shitjes së drogave të lehta si kanabisi, por edhe drogave si heroina dhe kokaina, si dhe doza të shumta ekstazi. Grupet kriminale, kanë mundur të rekrutojnë nxënës të shkollave, që kryejnë shërbimet e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Shkolla është e pasigurt, madje shumë më e pasigurt se edhe në vitin 1997. Drejtori i DAR Tiranës, së paku siguroi në atë kohë një mbarëvajtje shembullore të vijimit të shkollës, nën kontrollin e rreptë të policisë, me të cilën, kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.

Po zullumi është më i madh se kaq. Ka të dhëna nga mësues të cilët, nuk kanë dëshirë të dalin hapur pasi rrezikojnë vendin e punës, se brenda shkollës, ka rritje të shkallës së degjenerimit, në pikëpamje të etikës dhe keqpërdorimit të postit prej drejtuesit. Në shkollën “Jeronim de Rada”, ish-gardiania e burgut, e emëruar si drejtoreshë, godiste kë i dilte përpara dhe nuk pyeste njeri. Drejtoresha e Arsimit në Librazhd akuzoi një kolektiv të tërë në shkollën e Hotolishtit se po ushtronte dhunë. Në një shkollë të Divjakës, mësuesi arrestohet pas dyshimeve se abuzonte me të miturën 13-vjeçare. Shtypi po ashtu raporton se në shkolla të ndryshme në vend, mësuesit e dinë mirë se kush është dashnori/ja e drejtorit/eshës dhe madje ka “edhe nga ato të përzgjedhura”, që u vihen në dispozicion politikanëve.

A janë të gjitha faktet e provuara? Pjesa më e madhe po. Drejtuesja në Lushnjë tashmë është e dënuar. Drejtuesja e “Shkollës së Kuqe” dhe shkollës “Jeronim De Rada” kanë dhënë dorëheqjen, mësuesi në Lushnjë është i dënuar, duke pranuar fajësinë e vet. Po ashtu krimi në radhët e të miturve është shtuar ndjeshëm. A është vetëm faji i shkollës? Natyrisht që jo. Porse shkolla aj nj barrë të rëndësishme në këtë drejtim, njerëzit që drejtojnë arsimin po ashtu dhe ata që bëjnë politika, pa njohur realitetit kanë akoma më shumë përgjegjësi.

Përse është më emergjent për shoqërinë, dekriminalizimi i arsimit, sesa i politikës?

Nëse ligji i dekriminalizmit zbatohet shpejt, shumë – shumë deri në janar, parlamenti dhe një pjesë e administratës, do të ikin në shtëpi. Zëvendësimi i tyre është po ashtu një proces që mund të kryhet shpejt. Edhe nëse procesi do të zgjatet, atëherë për një e shumta dy vjet, gjërat do të vihen në vend. Nëse nuk nisim urgjent dekriminalzimin e arsimit, do të na duhen dhjetëra vjet për ta sjellë në gjendjen që duhet, e pale të flasësh për reforma të thella. Duhet që tani, të largohen nga drejtimi, njerëz që mburren se kanë qëlluar me grusht ish-kryetarin e opozitës në vitin 1992 dhe sot janë këshilltarë të ministres së arsimit. Duhen larguar nga arsimi, njerëzit që me një firmë vjedhin miliona, duke stolisur studiot e tyre të avokative, pasi nuk u bëhet shumë vonë për arsimin. Duhen larguar nga arsimi shitës syzesh, brekësh, tangash e peshqirësh, që e shohin shkollën si dyqanin, ku duhet që në darkë të numërojnë lekët që kanë fituar. Duhen larguar drejtues që kanë bërë pakt me krimin dhe djallin njëkohësisht, duke lejuar që nën hundën e tyre, pluhuri i bardhë të kalojë dorë më dorë tek nxënësit. Duhen larguar drejtuesit që thyejnë tavolinat me grushtet e tyre, e që ulërijnë se “tani e kanë radhën ata dhe se këmbë demokrati nuk do të mbetet në shkollë”. Nuk duheshin emëruar magazinierë të Drejtorisë së Shëndetit Rajonal, në gjimnazin emblemë të Tiranës, që mban edhe emrin e atij që është bërë foto zyrtare në të gjitha institucionet e shtetit. Duhen larguar pa ngurrim, aktorë, artistë, këngëtarë tallavaje, që zbresin prej podiumeve të humorit, e ngjiten menjëherë në karrigen e drejtoreshës së shkollës në mes të Tiranës. Po kështu duhet të ketë një refleksion për dëmet e pa llogaritshme, që i janë bërë cilësisë në arsim, duke larguar mësues të aftë dhe duke futur mësues të paaftë, vetëm e vetëm sa të marrin rrogën se shtetit.

I takon Ministrisë së Arsimit t’i thotë ndal, sa nuk është vonë, rajonizimit të shkollave në të LSI, PS, PDIU, bashki etj. Por me shumë gjasa Ministria e Arsimit, e përfshirë vetë në këtë llum, nuk do t’ia dijë shumë dhe ndoshta nuk ka fuqi për ta bërë. Atëherë i takon prindërve, nxënësve, sindikalistëve, komunitetit, OJF-ve, t;i thonë nda barbarisë dhe shkatërrimit të vlerave arsimore në këtë vend. Ashtu sikundër natyrshëm, u lind e drejta të përmirësojnë, atë që nuk është bërë mirë ndër vite, të luftojnë arbitraritetin, paaftësinë, politizimin e shkollës etj. Nëse po kënaqemi vetëm se i kemi fëmijët në shkollë, nesër do të jemi të pakënaqur nga dijet që marrin. Nëse mendojmë se duke shkuar në shkollë dhe kurset private që gëlojnë anembanë vendit, i kemi fëmijët më të përgatitur për jetën, nesër do të zhgënjehemi rëndë, kur të na vijën me valixhe në dorë, duke na thënë se nuk janë të ende të gatshëm për jetën. Nëse i shohim pas hekurave, fëmijët, nxënësit, në kronikat televizive, tek rubrika e krimeve, të mos psherëtijmë “sa gjynah”, për një gjë që e lejuam vetë.

Ndokush mund të ngrihet e të thotë, “mos po na rëndon më shuam se ç’duhet”? Uroj të jetë kështu. Por faktet dhe e vërteta, flasin më shumë se hamendësimet dhe hatër mbetjet.

Kur një shoqëri shkon deri aty sa të kriminalizohet edhe arsimi, atëherë, do të thotë se ajo ka humbur vlerat e saj dhe për pasojë, humbet pa e kuptuar shpirtin e saj, identitetin rreth të cilit shqiptarët, janë mburrur se janë komb; shuan atë pak shpresë të rilindësve të hershëm se “Drita e diturisë përpara do të na çojë”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency