Akordi/Bashkia e Shkodrës dhe FSHF bien dakord për administrimin

0
32

 

 

duPas shumë mosmarrëveshjesh të dyja institucionet kanë rënë dakord për mënyrën se si do të administrohet stadiumi

 

Miratohet kontrata mes Bashkisë së Shkodrës dhe Federatës Shqiptare të Futbolli për administrimin e “Loro Boriçit”, çka i hap rrugë përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e plotë të këtij impianti, i financuar nga qeveria shqiptare dhe Federata, me mbështetjen edhe të UEFA-s dhe FIFA-s. Këshilli Bashkiak i Shkodrës vendosi në mbledhjen kësaj të premteje t’i pranojë kushtet e vëna nga Federata, duke u tërhequr nga kërkesat për ndryshimin e disa pikave, ku më kryesorja ishte kohëzgjatja e kësaj kontrate. Federata Shqiptare e Futbollit do të ketë të drejtën që për 20 vitet e ardhshme, duke nisur që nga momenti i hyrjes në fuqi të marrëveshjes, t’i organizojë në “Loro Boriçi” ndeshjet e kombëtares apo të përfaqësueseve të moshave, ndërsa Bashkia e Shkodrës, që do të administrojë stadiumin duhet t’ia vërë në dispozicion institucionit të futbollit 3 ditë para zhvillimit të takimeve, sigurisht në kushtet e përcaktuara në kontratë. Me miratimin e kësaj marrëveshjeje pritet të lëvrohen fondet e bllokuara nga FIFA dhe UEFA, çka do të reflektohet me një ritëm më të lartë të punimeve për ta bërë sa më shpejt gati shtëpinë e re të Vllaznisë. Skuadra kuqeblu, përpos problemeve financiare që po i vuan prej disa sezonesh, i është dashur që ndeshjet brenda t’i luajë në Pukë dhe së fundmi në “Reshit Rusi”, duke shënuar rezultatet tepër negative. Me përfundimin e punimeve në “Loro Boriçi” ekipi shkodran do të ketë një mbështetje më të madhe të tifozerisë si dhe më shumë të ardhura për të përballuar një sezon të nisur keq. Ecuria e punimeve në impiantin e ri në Shkodër u vu në dyshim, prej mosmarrëveshjeve të Federatës Shqiptare të Futbollit me Këshillin Bashkiak të qytetit të Shkodrës. Ndërsa pritej nënshkrimi i kontratës për stadiumin ku punimet po ecin prej muajsh me ritme të ngadalta, FSHF nuk ka pranuar asnjë prej pikave të propozuara nga komisioni ad-hoc i ngritur nga Këshilli Bashkiak i kryeqendrës së veriut. Në tre mbledhjet e zhvilluara, jo vetëm që nuk u formulua asnjë ndryshim nga propozimet e paraqitura deri më tani nga Bashkia, por u vendosën edhe kushte të tjera. Pika e parë, e hedhur poshtë nga federata ishte ulja e kohëzgjatjes së kontratës për shfrytëzimin e “Loro Boriçit” nga 20, në vetëm 15 vjet. Tjetër propozim i refuzuar nga FSHF lidhet me pikën ku parashikohet penalitet në rast të mos dorëzimit të objektit në afatet e përcaktuara sipas kontratës. Sipas propozimit të komisionit ad-hoc, federata duhet të paguajë gjobë në vlerën 0,025 për qind mbi vlerën e përgjithshme të investimit, për çdo ditë vonesë. Tani diskutimi do të spostohet në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, në mbledhjen e parashikuar të zhvillohet më 4 Dhjetor. Prej dy muajsh, Bashkia e qytetit u ka premtuar krerëve të federatës firmosjen e kontratës. Gjetja e një zgjidhje që do ti hape rrugën punimeve normale në rindërtimin e stadiumit “Loro Boriçi”, ndërsa në Federatën e Futbollit janë optimistë se gjithçka do të zgjidhet.