Samiti i Zagrebit/Joe Biden: Ballkani të jetë i plotë në Bashkimin Evropian

0
152

 

Joe BidenNga Zagrebi i Kroacisë, ku ishte ftuar të merrte pjesë në samitin e liderëve të Evropës Qendrore e Juglindore, zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden shprehu mbështetje për anëtarësimin e plotë të Ballkanit në Bashkimin Evropian.
Numri dy i administratës amerikane u tha gazetarëve pas konferencës se një integrim i tillë i rajonit, si një i tërë, do të ishte garancia më e madhe për stabilitetin e tij, por edhe qëndrueshmërinë e të gjithë Evropës. “E presim me padurim një gjë të tillë, sepse një Evropë e plotë, e lirë dhe në paqe ka qenë ëndrra e brezit të cilit i përkas dhe ëndrra e gjeneratës së tim eti. Ashtu siç e shoh unë, por edhe siç është këndvështrimi me realist në këtë rast, stabilitet nuk mund të ketë pa një integrim të plotë në Evropë në pjesën juglindore të saj apo rajonit të Ballkanit”, – tha Biden. Samiti i mikpritur nga Kroacia e Sllovenia e i organizuar çdo vit që prej 2013-ës, synon promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian, e shërben dhe si forum i nivelit më të lartë të mundshëm për diskutimin e çështjeve që kanë të bëjnë me rajonin në tërësi. Biden përmendi gjithashtu krizën e emigrantëve me të cilën përballen prej muajsh tashmë disa prej vendeve të rajonit, të kthyera në rrugë transiti për azilkërkuesit e nisur drejt veriut të Evropës. Rrugëtimi i tyre drejt shteteve perëndimore të kontinentit të vjetër, ka çuar me mijëra refugjatë në dyert e Maqedonisë, Serbisë, Kroacisë e Sllovenisë. “Në takim u diskutua sesa shumë po i tkurr rezervat e vendeve të rajonit kriza e emigrantëve. Do ketë një mbledhje tjetër të liderëve të BE-së këtë të diel, por ndërkohë dimë se këta njerëz kanë nevojë urgjente për ushqim, strehim, veshje të ngrohta tani që afron dimri, dhe këto nevoja të tyre vetëm sa do të shtohen. Kjo është një tjetër sfidë që kërkon angazhimin e të gjithëve. Të gjithë ne duhet të bëjmë më shumë”, – vijoi Biden. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, përsëriti nga ana e tij angazhimin e bllokut për zgjerimin e perspektivës së anëtarësimit për vendet e rajonit, ndërsa komentoi edhe mbi rrëzimin e avionit rus në kufirin me Turqinë, duke i nxitur të gjitha palët të punojnë për uljen e tensioneve e të bashkojnë forcat kundër shtetit islamik.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency