Mbledhja e KDK-së/Meta: Ka një përpjekje për të dëmtuar imazhin e LSI-së, goditje korrupsionit edhe brenda radhëve

0
127

 

 

mbledhja e KDK e LSIKreu i LSI-së: Pas dekriminalizimit duhet konsensus për reformën në drejtësi, platforma e LSI-së për transparencën e financimit, sepse s’mund të bëhet politikë e pastër në forma të dyshimta financimi

 

Gëzim Saliu

 

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI-së, kreu i kësaj force, Ilir Meta, foli për një përpjekje për prishjen e imazhit politik të partisë që ai drejton. Duke vënë theksin tek platforma e LSI-së për transparencën, Meta theksoi se ajo do të jetë përgjigjja kryesore ndaj këtyre përpjekjeve si edhe goditja e ndëshkimi i korrupsionit sidomos brenda radhëve të partisë. “Ka një përpjekje për të dëmtuar imazhin politik të LSI-së në mënyrë të padrejtë. Përgjigjja jonë ndaj gjithë atyre që janë të shqetësuar për rritjen e LSI-së është transparencë maksimale dhe në çdo gjë. Goditje pa mëshirë ndaj korrupsionit dhe në radhë të parë kur këto shfaqen tek përfaqësues të LSI-së. Kush dëshiron të jetë qeveritar merr përsipër të bëjë një shërbim publik jo ta kthej aktivitetin në një qendër të vënies së gjobave. Është mesazh shumë i qartë për ish-drejtoreshën e arsimit të Lushnjës dhe për cilindo që kërkon të abuzoi me funksionin publik. Askush s’do ketë mbrojtjen më të vogël por do marri përbuzjen tonë. Askush s’të detyron me zor të bëhesh zyrtar”, – tha Meta.

 

Dekriminalizimi

Në mbledhjen e djeshme, Kryeparlamentari foli edhe lidhur me konsensusin politik për ligjin e dekriminalizimit, i cili, sipas tij, do t’i shërbejë edhe realizimit të reformës në drejtësi. “Më në fund tashmë po ecim drejt ekzekutimit të fjalës dekriminalizim, në kuptimin e heqjes së saj nga tema e bisedimeve, diskutimeve për vendin tonë, sepse nuk mendoj që qytetarët tanë e meritonin këtë problematikë. Ne kemi qenë të qartë, dekriminalizim, reformë në drejtësi, çelje e negociatave me Bashkimin Evropian. Dhe tani kur besoj se e kemi të mbyllur pengesën e parë, besoj do të realizojmë me përpjekje edhe me të mëdha, edhe më bashkëpunuese, edhe më konsensuale, reformën në drejtësi, pasi të vijnë edhe opinionet e Komisionit të Venecias”, – theksoi ai. Në këtë kontekst Meta theksoi se edhe kur u fol për procesin e dekriminalizimit, LSI ishte një forcë politike që nuk kishte frikë nga transparenca. “Edhe kur kemi mbështetur procesin e dekriminalizimit, nuk kemi bërë e as nuk bëjmë llogari se kë na prek e si na prek. Njerëz të cilët kanë pasur apo kanë probleme me drejtësinë, kanë të drejtët të kenë jetën e tyre pa asnjë diskutim, por absolutisht që ne e kemi për detyrë të ngremë standardet e përfaqësimit publik”.

 

Terrorizmi

Duke iu referuar ngjarjeve tragjike të një jave më parë në Paris, kreu i LSI-së u shpreh krenar për pozicionimin e qartë dhe të kahershëm të Shqipërinë në luftën kundër terrorizmit. “Jemi krenarë për faktin se Shqipëria ka qenë në vijën e parë të luftës kundër terrorizmit përpara 11 shtatorit të vitit 2001, kur ndodhi tragjedia e dy kullave binjake. Dhe Shqipëria vazhdon të jetë në linjën e parë të luftës kundër terrorizmit, sepse është një kërcënim për njerëzimin është një kërcënim për vendin tonë”, – theksoi ai. Më tej, lideri i LSI-së pohoi se Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s dhe si një vend kandidat i Bashkimit Evropian, do të vazhdojë të koordinojë të gjitha përpjekjet që të kontribuojë në luftën kundër terrorizmit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency