Moti i keq me stuhi ere dhe reshje të shumta shiu ka krijuar avari në furnizimin me energji elektrike. Përkundër masave të marra nga OSHEE, mjaft zona rurale në qarqet e Beratit, Durrësit, Shkodrës, Fierit, Gjirokastrës, por edhe kryeqytetit janë pa energji elektrike. Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, brigadat e OSHEE po bëjnë maksimumin për riparimin e defekteve brenda kohe të shkurtër. Në 10 Drejtoritë Rajonale dhe ne terren po punon një personel prej 1650 punonjësish për riparimin e defekteve, të ndara në 26 grupe për ndjekjen e regjimit të punës dhe 26 inxhinierë të sigurisë në punë. Sipas të dhënave të OSHEE, situata vijon si më poshtë: Nga avaritë te Tensioni i Lartë janë prekur këto zona: Nënstacionet (Nst) Rrogozhinë ( jashtë pune çelësi 10 kV i transformatorit (tr) të fuqisë) dhe Nst Shkozet (TR 5 160 MVA jashtë pune), Nst Reps (dëmtuar tr i fuqisë). Jashtë pune linjat 35 kV, L 35 kV Kuç – Himarë dhe L 35 kV Shijak – Ndroq. Vazhdon puna nga brigadat e mirëmbajtjes për kthimin në gatishmëri të nënstacioneve dhe linjave 35 kV që janë jashtë pune. Nst 35/6 kV TEC ka rritje të nivelit të ujit dhe rrezikohet përmbytja në nenstacion. Nga avaritë në Tensionin e Mesëm, janë prekur si më poshtë: Berat, zonat pa energji, Divjakë dhe Mertish (Lushnjë). Durrës, zona pa energji, Shijak, Fushë Krujë, Golem, Rrogozhinë, Komuna Gosë, Luzi i Madh, Malësia Rrogozhinë dhe një pjesë e periferisë së Durrësit (ish-Kënata, Spitalla). Shkodër, zonat pa energjia, Kallmet në Lezhë, Iballë, Arës, Miliska në Pukë, Bushat, Rrethina,Velipojë dhe një pjesë e qytetit Shkodër. Fier zona pa energji, Levan, Libofshë, Frakull, Cakran dhe një pjesë e Mifolit. Gjirokastër, zona pa energji, Lazarat, Dropull dhe Kardhiqi, Himarë, Livadhia, Jalë, Vuno, Dhërmi, Palasë, Pilur.