Dialogu Kosovë- Serbi në një fazë të re

0
178

KS

 

Dështimi që Kosova të anëtarësohet UNESCO, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e përkohshëm të marrëveshjes me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kanë krijuar, përmes medieve, debate të shumta dhe polemika të ashpra ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, por edhe njohësve të zhvillimeve politike në Kosovë. Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar fushatën e Serbisë kundër pranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, si të “fushatë të egër dhe me tone raciste”.  Por menjëherë pas vendimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO për mosanëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë dhënë shenja se e gjithë kjo çështje do ta afektojë dialogun në Bruksel, duke theksuar se pengimi që Serbia i ka bërë anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, tejkalon madje edhe çështjet e fqinjësisë së mirë. Ministrja e Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri,  ka thënë se me këtë rast Serbia i ka shkelur parimet themelore të marrëveshjes së Brukselit.“Serbia, e cila vazhdimisht në dialogun e Brukselit angazhohet për normalizim dhe fqinjësi të mirë, ajo i shkeli parimet themelore të dialogut të Brukselit. Nga ana jonë, si Kosovë dhe si shtet i ri, i cili angazhohet për integrimet në Bashkimin Evropian, në NATO, në OKB dhe të tjera, ne dialogun me Serbinë e bëjmë në kuadër të standardeve të fqinjësisë së mirë”, ka theksuar ministrja Tahiri.Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte shprehur habinë se si Kosova ka tentuar të anëtarësohet në UNESCO, pa biseduar me Serbinë në Bruksel, për këtë çështje.“Për ne, është e rëndësishme që dialogu do të vazhdojë. Por, ju them të vërtetën se kemi qenë aq shumë të zhgënjyer me gjithë atë aksion, se si është zhvilluar, sa që nuk mund të jemi të zhgënjyer se si ka përfunduar. Ndërkaq, kjo që shoh, se një numër i zyrtarëve evropianë gjithashtu po qajnë, çfarë t’iu bëj atyre? Kjo është politikë e tyre dhe ata e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe sillen në përputhje me politikën e tyre. Por, edhe Serbia sillet në përputhje me politikën e saj”, ka thënë Vuçiq. Ndërkohë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë hyrë në një fazë të re, kjo po shpërfaqet pas pezullimit të përkohshëm të marrëveshjes me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të martën e kaluar, më 10 nëntor.Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ka thënë  se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet tërësisht dhe nga të gjithë, përfshirë këtu edhe qytetarët serb të Kosovës.“U bëj kërkesë të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe ata të komunitetit serb, që gjatë kësaj periudhe të mos ndërmarrin asnjë aktivitet në lidhje me Asociacionin, përndryshe, do të bëjnë shkelje kushtetuese”, ka thënë zëvendësministri Gecaj.Por, përfaqësuesit e serbëve në Qeverinë e Kosovës, kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.Dalibor Jevtiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka theksuar se nga ky Asociacion varet e ardhmja e serbëve të Kosovës.“Është fakt që, në qoftë se në periudhën e ardhshme, nëse nuk arrijmë deri te zbatimi i marrëveshjes jo vetëm të Bashkësisë së komunave serbe, por gjithçka që ndihmon relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet popullit serb dhe atij shqiptar, gjithsesi do të ndikojë edhe në procesin e kthimit. Për këtë jemi shumë të shqetësuar”, ka thënë ministri Jevtiq.Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Vuçiq, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke theksuar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është çështje e përfunduar.“Esenca është në atë që ata dëshirojnë që përsëri të hapet tema e Bashkësisë së komunave serbe. Pra, Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut me Prishtinën. Serbia ka biseduar, ka negociuar dhe ka bërë marrëveshjen për Bashkësinë e komunave serbe. Ajo marrëveshje është nënshkruar dhe kjo për ne është çështje e kryer. Ndryshe, nëse ata dëshirojnë që të hapin temën se kush, ku, çka dhe me cilën kushtetutë është në përputhje, atëherë hapet ‘Kutia e Pandorës’ shumë serioze dhe e rrezikshme”, është shprehurVuçiq.Por, sipas zëvendësministrit Gecaj, autoritetet e Kosovës nuk presin që kjo situatë e krijuar pas pezullimit të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të ndikojë në gatishmërinë e Kosovës për dialogun me Serbinë në Bruksel. Ai ka shtuar se është Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë se si do të veprojë, kur do të veprojë dhe çfarë vendimi do të nxjerrë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here