Sipas kryeministrit të Italisë, Matteo Renzi, duhet punuar më shumë me përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve ballkanike, si Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia. Këtë Renzi e ka thënë gjatë një interviste dhënë për të përditshmen gjermane “Die Welt”.
Sipas tij, anëtarësimi më i shpejtë i vendeve të Ballkanit është gjëja më e mirë që mund të bëjë BE për t’u përballur si duhet fluksi i emigrantëve. “Evropa duhet të ndryshojë taktikë me anëtarësimin e vendeve. Deri më tani Bashkimi është shtrirë vetëm në Lindje. Por përjashtimi i Ballkanit ishte një gabim tragjik dhe historik. Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia duhet të jenë prioritet në këtë bashkësi të madhe”, – ka thënë Renzi. Sipas Renzit, mbyllja e kufijve të vendeve të Evropës do të krijojë një tjetër linjë për emigrantët që do të kalonte nëpërmjet Shqipërisë për të arritur në Itali. Në tërësi, muret, shton ai, nuk janë drejtimi i duhur për Evropën. “Ne nuk mund të ndërtojmë mure të reja. Muret janë ndërtuar për t’u rrëzuar, sepse ato nuk mund të jenë mbrojtje, por kurth. Problemi i refugjatëve duhet të zgjidhet teksa jemi të bashkuar dhe duhet ta kemi të qartë se do të zgjasë për shumë vite”, – vijon Renzi. Renzi nuk u trembet ekstremistëve dhe atyre që i luftojnë emigrantët, por dëshiron të besojë tek ideali i Bashkimit Evropian, teksa thotë: “Kjo është një çështje që nuk prek vetëm Kryeministrin e Hungarisë, Orban, dhe për këtë temë nuk ka një ndarje në të majtë apo të djathtë ndër partitë evropiane. Këtu po përballemi me një ndarje gjeografike, jo politike, ndërmjet atyre qe e njohin Evropën si një ideal të madh e të përbashkët dhe atyre që e shohin atë si përfitim ekonomik. Unë futem tek ata që beson ende tek ideali. Bashkimi nuk mund të ekzistojë pa një menaxhim të përbashkët të sfidave të kohës. BE nuk është thjesht një sistem rregullash dhe ne nuk përbëjmë thjesht një bashkësi tatimpaguesish. Evropa është një vend me 500 milionë banorë. Për botën ajo përbën modelin e qytetërimit dhe ne mund t’ia dalim”.