Dy lojtarët e rinj janë shprehur se do të bëjnë gjithçka që t’i provojnë teknikut italian se janë të aftë për të qenë pjesë e skuadrës për në Euro 2016
Kombëtarja rikthehet sërish në qendrën stërvitore të Durrësit, grumbullimi i parë për kuqezinjtë pas kualifikimit në Euro 2016. Dy emrat e rinj të kombëtares, Rey Manaj dhe Frederik Veseli, janë shprehur mjaft entuziastë rreth grumbullimit për vëllazëroren me Kosovën dhe testin me Gjeorgjinë. Manaj e ka të qartë se duhet të tregojë vlerat në sytë e De Biasit, pavarësisht se vesh ngjyrat kuqezi si lojtar i Interit. “Shumë mirë po e përjetoj, e dija, se kisha folur me De Biasin kur erdhi në Milano dhe më takoi dhe jam shumë i kënaqur. Tani është vetëm në duart e mia. Kur vjen në kombëtare, nuk do të thotë asgjë që nëse unë vij nga Interi dhe dikush tjetër nga një ligë më e ulët duhet të luajë titullar. Në bazë të stërvitjes, si është moduli, kush është në gjendje më të mirë, ai që e meriton do të luajë”. Për të ardhmen te zikaltrit, Manaj zbulon se klubi dhe trajneri Mancini besojnë te potenciali i 18-vjeçarit. “Icardi është lojtar shumë i mirë. Unë jam ende i ri, por sigurisht që edhe unë do të bëj punën time për të luajtur në formacion ose të jem i grumbulluar në ekip. Tani do të shohim, vetëm me stërvitje duhet t’i mbush mendjen trajnerit Mancini. Ishin disa skuadra të interesuara për mua, por Mancini tha që nuk mund të lëviz as në janar dhe as vitin tjetër. Mbetet të shohim çfarë do të ndodhë”. Debutuesi tjetër, Frederik Veseli, me një të kaluar në Akademitë e gjigantëve të Mançesterit, te City e United, si edhe kampion bote me Zvicrën për 17-vjeçarë, tregon që edhe pse një afrim i vonuar, Shqipëria ka qenë gjithmonë alternativë e parë. “Është kënaqësi që jam me Shqipërinë. Unë erdha për kombëtaren, Kosova nuk është ende e pranuar nga FIFA. Kur të thërret Shqipëria, për mua është një komb. Kam pasur kontakte prej dy vjetësh me De Biasin, tani të shohim”. Mbrojtësi i Luganos e ka të qartë objektivin. Të tregojë se e meriton vendin në kombëtare, pse jo, me shpresë për të udhëtuar në Euro 2016 me ekipin kuqezi. “Trajneri vendos kush luan dhe kush jo. Unë jam gjithmonë gati, e nëse më aktivizon si titullar apo edhe nëse nuk më merr me vete, për mua njësoj është. Unë jam këtu për të punuar dhe t’i tregoj trajnerit se e kam vendin këtu. Fillimisht jam i lumtur që Shqipëria është kualifikuar në Francë, nëse shkoj edhe unë në Euro 2016 aq më mirë. Duhet të tregoj vlerat e mia në klub, por edhe në stërvitjet me kombëtaren”.
Vazhdon stërvitja intensive
Të besuarit e trajnerit Gianni De Biasi nisën punën për dy miqësoret e radhës në Kosovë dhe në “Qemal Stafa” kundër Gjeorgjisë. Trajneri italian që tashmë duhet të nisë një fazë të re me kombëtaren, nis punën për t’u paraqitur denjësisht në evenimentin ku do të marrin pjesë 24 skuadrat më të mira të kontinentit. Përveç fytyrave të reja, Veseli e Manaj, gjithçka në grupin kuqezi duket se shoqërohet nga rutina e përhershme. Shumë më pak tension dhe buzëqeshje e përshëndetje të shpenguara nuk mungojnë nga çdo lojtar që zbret në tapetin e gjelbër të kompleksit “Tropikal”, aty ku skuadra shqiptare u stërvit gjatë çdo seance në prag të sfidave eliminatore. Të parët që zbritën në fushë për të nisur zyrtarisht seancën stërvitore ishin Ajeti, Aliji, Gjimshiti, Memushaj, Basha dhe Veseli, ndërsa Hysaj dhe Xhaka treguan sintoni të plotë me njëri-tjetrin. Skuadra u plotësua me mbërritjen e të gjithë lojtarëve dhe trajnerit Gianni De Biasi, i cili u zhvendos menjëherë në mesfushë për të nisur punën. Dy mungesat e vetme të stërvitjes së parë ishin Lorik Cana dhe Amir Abrashi, të cilët do të bashkohen me grupin vetëm gjatë orëve të vona të mbrëmjes së martë, ndërsa Bekim Balaj e ndoqi stërvitjen nga stoli, edhe pse mjekët e kombëtares sigurojnë se bomberi shkodran do të jetë i gatshëm për sfidën e Prishtinës. Fillimisht, trajneri italian u përqendrua te loja me top, ku zgjodhi Memushajn, Bashën, Gjimshitin dhe Xhakën për të zbatuar disa nga skemat që ai ka planifikuar të ndërtojë për sfidat e radhës. Veprime të shpejta me top, pasime vertikale dhe shumë shpejtësi në aksionet e lojtarëve të përzgjedhur nga italiani. Pjesa tjetër u vendos nën urdhrat e përgatitësit atletik dhe pas disa minutash grupi u bashkua sërish për një ndeshje në familje. Në fushë të reduktuar lojtarët e ndarë në dy grupe punuan në veprimet me topin. Një seancë stërvitore që hedh themelet e projektit që De Biasi ka në kokë për skuadrën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Euro 2016. Rruga për një tjetër kapitull sapo ka nisur, grupi kuqezi do të marrë formë dalëngadalë, pasi do të jetë trajneri ai që do të thotë fjalën e fundit për emrat tek të cilët do të besojë në evenimentin historik për skuadrën që shkroi historinë.
Box
Duka: Futbollistët janë të lirë të zgjedhin kombëtaren që duan
Kosova është shumë afër anëtarësimit në UEFA dhe FIFA dhe kjo e ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e shumë futbollistëve kosovarë, që luajnë për shtetet e tjera, përfshirë këtu edhe kosovarët e kombëtares shqiptare. Të gjithë ata do të kenë mundësi t’i bashkohen përfaqësueses kosovare pas anëtarësimit në UEFA e FIFA. Por, Armand Duka nuk beson se futbollistët kosovarë që aktualisht luajnë për Shqipërinë do ta lënë atë për t’iu bashkuar Kosovës. “Unë jam ndër ata që kam luftuar shumë që Kosova të anëtarësohet në UEFA dhe FIFA. Dua që kjo të ndodhë sa më shpejt. Futbollistët le të zgjedhin, le të përfaqësojnë kë të duan ata, Kosovën apo Shqipërinë. E rëndësishme është që Kosova të pranohet dhe t’i kemi dy shtete shqiptare në Evropë. Këta që janë besoj se do të vazhdojnë me Shqipërinë”, – deklaroi kreu i FSHF-së. Ai beson se në pjesën e parë të vitit të ardhshëm Kosova do të anëtarësohet në UEFA e FIFA. “Shumë gjëra po ndryshojnë shpejt në Evropë dhe botë. Por, unë uroj që ky vendim, i marrë formalisht për Kosovën nuk do të ndryshojë dhe kam bindjen e plotë se në muajin maj apo qershor Kosova do të pranohet në UEFA”, – u shpreh ai.
Box
Bunjaku: Shqipëria nuk duhet të na marrë më lojtarë
Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku, nuk e ka lënë pa u shprehur për marrjen e lojtarëve nga Kosova në kombëtaren shqiptare. Gjithçka kishte filluar me sulmuesin Albion Avdijaj, i cili ishte marrë nga Shqipëria U-21 pa lejen e Bunjakut, i cili në atë kohë e ftonte rregullisht te Kosova. “Nuk është mirë që kur njëri vëlla ndërton shtëpinë (Shqipëria) t’i marrë gurë prej themelit vëllait tjetër (Kosovës), i cili po mendon të ndërtojë shtëpinë e tij. Ne kemi lojtarë mjaftueshëm që të ndërtojmë dy kombëtare. Ne e kemi përkrahur deri më tani Shqipërinë, por ka ardhur koha që ne të ndërtojmë skuadrën tonë”, – ka thënë Bunjaku. Ai më tutje shtoi se Kosova është e gatshme për këtë ndeshje dhe se do të jetë një ndeshje shumë e mirë për tifozët.