Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka sjellë deri më tani tri skema lehtësuese për t’u mundësuar familjarëve dhe bizneseve shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. E ndërsa opsioni më i mirë që është ofruar ka qenë ai i shlyerjes së menjëhershme për të përfituar uljen e kamatëvonesës, ndërkohë që lidhja e një aktmarrëveshjeje për pagesën me këste është opsioni i dytë, duket se ka pasur probleme të shfaqura lidhur me aftësinë paguese, sidomos të familjarëve. Në shumë raste është lakuar pjesa e pamundësisë dhe lidhur me këtë Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, po bëjnë një studim nga afër për të parë mundësinë reale të familjeve për të paguar detyrimet e prapambetura.
Kjo, në fakt, më shumë ka të bëjë me ato familje, që janë të përfshira në skemën e ndihmës ekonomike dhe të cilët pagesa e detyruar e energjisë i bën të jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë, pra poshtë minimumit jetik.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike më herët ka deklaruar se për askënd nuk do të ketë falje të detyrimit dhe se ai do të paguhet deri në fund. Me nota të ngjashme ka folur edhe kreu i qeverisë. Por, megjithëse po kthehet në një fenomen masiv, shoqëruar me rritje të pakënaqësisë popullore, studimi që po kryhet aktualisht nuk ka në thelb faljen për ata që nuk kanë aftësi paguese, por më tepër zbardhjen reale të faktit se sa këto familje në nevojë i kanë mundësitë për të qenë pjesë e një skeme për shlyerjen e borxhit që kanë apo për të paguar faturën e korentit.
Në fund, Ministria, në bazë të rezultateve, së bashku edhe me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë, do të dalin me një skemë të re gjithëpërfshirëse, si dhe dhënien e opsionit për ata, për të cilët aftësia paguese është minimale.