Incidenti   / Turp! Turp! Studentët qëllojnë me vezë Ramën, 8 orë në polici e vihen në akuzë

0
131

 

Një studente me flokët bjonde, me shall të kuq, ngre dorën dhe qëllon në drejtim të Ramës, i cili ecën në këmbë në oborrin e Fakultetit duke iu drejtuar makinës së tij. Tetë studentë janë shoqëruar nga policia për këtë incident. Ata janë anëtarë të “Lëvizjes për Studentët” dhe tre të tjerët nga “Lëvizja Studentore në Prishtinë”.

12200593_10208274845009164_628334219_n

Rreth 8 orë pas shoqërimit, policia e Tiranës ka liruar studentët që mbaheshin në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndërkohë që, autoritetet do të ndjekin penalisht në gjendje të lirë 8 studentët që kishin shoqëruar me akuzën e kundërshtimit të punonjësve të policisë. Ky fakt është pohuar nga vetë studentët, të cilët thanë se u morën në pyetje dhe është policia ajo që dhunoi studentët para Fakultetit të Shkencave Sociale. “Në ambientet e komisariatit të policisë nuk kishte dhunë, por dhuna është bërë para Fakultetit. Do të hetohemi që kundërshtuam policinë, por ishte e kundërta që policia ka ushtruar dhunë ndaj studentëve. Të gjithë janë pyetur, do të ndiqemi penalisht në gjendje të lirë. Do t’i qëndrojmë besnikë kësaj kauze deri në fund, reforma për arsimin e lartë nuk kalon”, – tha njëra nga studentet sapo doli nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.

 

Lirimi i studentëve

Studentët e shoqëruar në polici u pritën jashtë nga shokët e tyre, pedagogë dhe shoqëria civile, të cilët ishin mbledhur para Policisë së Tiranës në mbështetje të tyre që qëndronin prej më shumë se 8 orësh brenda në komisariat. Për përkrahje kishin ardhur edhe studentë nga Kosova, të cilët deklaruan se mbështesin shokët e tyre. Këta të fundit, pasi u liruan nga policia bënë thirrje se protestat dhe kauza e tyre do të vazhdojnë edhe ditët në vijim kundër reformës në Arsimin e Lartë, të cilët paralajmëruan se kjo reformë nuk do të kalojë.

 

Protesta te Drejtoria

Studentë, pedagogë dhe qytetarë të tjerë u mblodhën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës duke kërkuar lirimin e studentëve të Shkencave Sociale që qëlluan me vezë Kryeministrin Rama kundër reformës në Arsimin e Lartë. Me kalimin e orëve, në mbështetje të tyre vijonin të mblidhen akoma më shumë persona, të cilët qëndronin ulur këmbëkryq në oborrin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Me pankarta në duar “1 vezë 100 vezë nesër” studentët kërkonin lirimin e shokëve të tyre. “Duam arsim e jo burg. Me vezë me vezë studenti do ju presë”, – ishin thirrjet e protestuesve, duke kërkuar nga Kryeministri Rama dhe ministri Tahiri lirimin e tyre. Edhe Rektorati i Universitetit të Tiranës reagoi kundër sjelljes së policisë, duke thënë se ndalimi për një kohë të gjatë është i papranueshëm.

 

Vezë Ramës

Disa studentë kanë qëlluar me vezë kryeministrin Edi Rama. Ata ka pritur momentin kur kreu i qeverisë po dilte nga ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë ku mbajti një aktivitet me biznesin e vogël, për të qëlluar me vezë në drejtim të makinës së shefit të mazhorancës. Pasi janë ndaluar, studentët janë dërguar në ambientet e Policisë së Tiranës. Këtu është organizuar një tjetër protestë që ka vazhduar deri në orët e vona dhe ata kanë kërkuar lirimin e studentëve nga burgu. Momenti kur një studente me flokët bjonde, me shall të kuq ngre dorën dhe qëllon ne drejtim të Ramës, i cili ecën në këmbë në oborrin e fakultetit duke ju drejtuar makinës së tij. Tetë studentë janë shoqëruar nga policia për këtë incident. Ata janë anëtarë të “Lëvizjes për Studentët” dhe tre të tjerët nga “Lëvizja Studentore në Prishtinë”. Në videot e publikuara në Facebook nga Lëvizja për Universitetin shfaqet edhe përplasja e të rinjve me policinë. Truprojat e kryeministrit dhe forcat e policisë, – shkruan kjo lëvizje – ushtruan dhunë ndaj studentëve të cilët qëlluan me vezë në drejtim të makinës së Ramës. Ka pasur video të shumta edhe nga shoqërimi i studentëve në polici.

 

Reagimet e studentëve

“Sot (dje) janë arrestuar në mënyrë të dhunshme dhe të padrejtës disa studentë. Një kundërshti që vazhdon prej dy vitesh por që ka ndeshur në shurdhërinë e qeverisë. Ishte një protestë spontane e lajmëruar 30 minuta para ardhjes së kryeministrit Rama në fakultetin tonë. Kjo ishte për t’i thënë kryeministrit se heshtja e tyre nuk mjafton për ta ndaluar aksionin e Lëvizjes për Universitetin. Ky akt ishte shprehje e shpalljes non grata të kryeministrit dhe të ministres në ambientet e Fakultetit. Ne nuk mendojmë se ky është akt antiligjor, akt anti-kushtetues është veprimi që kanë marrë sot policia, dhe vetë ligji për arsimin e lartë”, u shpreh për mediat një nga studentët. “Në momentin që Rama doli pas mbarimit të konferencës ju drejtuan me thirrje indinjate në lidhje me reformën për arsimin e lartë. Më pas është qëlluar me vezë në drejtim të kryeministrit. Në ato moment janë sulur badigard policia ka ardhur me shpejtësi rruge. Ka qenë një skenë brutale, terror, janë kapur për flokësh. Siç organizuan atë konferencën me biznesin të vijën të organizojnë një konferencë me studentët”, u shpreh një tjetër studente. “Për mendimin tim duhet t kishin gurë jo vezë, i janë përgjigjur mjaft butë arrogancës së kryeministrit. Do jemi këtu derisa studentët të lirohen”, – u shpreh aktivisti Besjan Pesha i cili u gjend para drejtorisë së Policisë në mbështetje të studentëve të shoqëruar.

 

Autorësia e sulmit

Lëvizja për Universitetin ka marrë autorësinë e sulmit me vezë ndaj makinës së kryeministrit, kjo në shenjë mosdakordësie ndaj ligjit të arsimit të lartë të bërë nga qeveria. Në një shkrim në faqen zyrtare të kësaj lëvizje në Facebook, thuhet se policia gjatë shoqërimit të studenteve ka përdorur dhune. Duke listuar emrat e studentëve të arrestuar, Lëvizja për Universitetin kërkon nga policia lirimin e tyre.

 

Studentët që u shoqëruan në polici:

1-Anita Lushi

2-Bora Mema

3-Klodi Hoxha

4-Viki Cipi

5-Liri Kuçi

6-Durim Jasharaj

7-Dardan Konjufca

8-Valton Marku

 

 

BOX

Thirrja e studentëve: Po na trajtojnë kafshërisht

 

Një nga studentet e shoqëruar në komisariat, ka treguar përmes një statusi në profilin e saj në Facebook se policia i ka dhunuar gjatë protestës së tyre. Viki Cipi bën apel përmes këtij statusi që të bashkohen edhe të rinj të tjerë kauzës së tyre. “Nga komisariati numër 2 tani! Të gjithëve që na njohin dhe e dinë kauzën e përbashkët për të cilën po luftojmë, ju bëj thirrje të bashkohen tani! Na trajtuan kafshërisht, na dhunuan paturpësisht dhe ende vazhdoj e thërras Arsim Publik Falas. Dua dhe unë të arsimohem. Arsimi është e drejtë dhe jo privilegj për të pasurit”, shkruan Cipi. Forca te shumta policie mbërritën në vendngjarje, ku nga fotot e publikuara shihen efektivet me skafandra dhe studentët të cilët janë shpërndarë.

 

Policia: Nuk ushtruam dhunë ndaj studentëve, bëmë vetëm detyrën tonë

 

Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me shoqërimin e 8 studentëve. “Policia e Tiranës ka shoqëruar 8 persona pas incidentit të ndodhur mesditën e sotme (dje), ku disa të rinj kanë qëlluar me objekte të ndryshme në drejtim të mjetit të Kryeministrit të Republikës”. Policia thotë se ka shkuar në ndihmë të Gardës: Në zbatim të ligjit, Policia ka ndërhyrë menjëherë, së bashku me forcat e Sigurisë së Gardës së Republikës duke shoqëruar studentët në rajonin më të afërt. “Pas kësaj, 8 të shoqëruarit, janë dërguar në ambientet e Drejtorisë Vendore ku po merren në pyetje për rrethanat e ngjarjes. Sqarojmë publikun se nga Policia e Shtetit nuk është keqtrajtuar askush, si dhe përgënjeshtrojmë çdo pretendim të cilësdo Partie politike që akuzon Policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve”, – theksoi policia duke hedhur poshtë akuzat për dhunë. Në njoftimin zyrtar thuhet se “Policia e Tiranës ka ushtruar detyrën brenda normave dhe procedurave standarde të punës, duke angazhuar efektive femra policie për të kryer shoqërimin e femrave që u përfshinë në incident, si edhe forca të tjera për shoqërimin e të rinjve”. “Theksojmë se gjatë shoqërimit nuk është përdorur në asnjë moment dhunë fizike. Policia e Shtetit ka bërë detyrën, edhe në kushtet kur ndaj punonjësve të policisë që po bënin ndalimin e studentëve, disa të rinj u përpoqën fizikisht t’i ndalonin të zbatonin ligjin”, – tha policia.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here