Prokuroria /  Kërkohen 74 vite burg. Zbardhet rruga si trafikoheshin shqiptarët drejt SHBA-së

0
130

 

Prokuroria

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 74 vjet burgim në total për 5 persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kalonin shtetas shqiptarë në mënyrë klandestine nga Shqipëria në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Trafikonin klandestin nga Shqipëria drejt Amerikës kundrejt pagesës prej 25 mijë eurosh, prokuroria kërkon 74 vite burg për 5 të pandehurit e grupit të strukturuar kriminal. Nga konkluzionet e akuzës me nga 16 vite burg duhet të dënohen Nertil Previzi, Fatos Fasko me 15 vite Enver Karaj, 14 vite Fatmir Bakalli dhe 13 vite burgim për Nikoll Kolaj. Sipas hetimeve të akuzës në krye të këtij grupi rezulton shqiptaro-maqedonasi Nertil Previzi i cili me 4 të njohurit e tij gjenin shtetas shqiptar që kërkonin të iknin në Amerikë në pamundësi të një vize.

 

Dosja e prokurorisë

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 74 vjet burgim në total për 5 persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kalonin shtetas shqiptarë në mënyrë klandestine nga Shqipëria në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në përfundim të procesit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda i konsideron fajtor për veprat penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, dhe kërkon dënimin, për të pandehurit, si më poshtë: Nertil Previzi, të dënohet me 16 vjet burgim, Fatos Fasko, të dënohet me 16 vjet burgim, Enver Karaj, të dënohet me 15 vjet burgim, Fatmir Bakalli, të dënohet me 14 vjet burgim dhe Nikoll Kolaj, të dënohet me 13 vjet burgim. Sipas të dhënave të administruara në dosje rezulton se procedimi penal në ngarkim të të pandehurve ka filluar pas marrjes së informacionit për kryerje vepre penale nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sipas informacionit të marrë shohim se veprimtaria e të pandehurve shtrihet që në muajin dhjetor të vitit 2013 e në vijim, dhe konsiston në organizimin e emigracionit të paligjshëm, me destinacion SHBA-në. Personat që nisen me drejtim ShBA-në janë nga zona të ndryshme të Shqipërisë por kryesisht nga zona e Shkodrës dhe e Malësisë së Madhe. Me qëllim gjetjen e personave dhe krijimin e kontakteve me ta rezultojnë të pasqyruara udhëtimet e të pandehurve në drejtim të qyteteve të ndryshme, konkretisht përmendim udhëtimet e të pandehurit Fatmir Bakalli për të realizuar takime me bashkëpunëtorët e tij, të cilët sigurojnë klientelën.

 

Pagesat për lëvizjen

E gjithë lëvizja e personave kryhet nëpërmjet dhënies së një pagese, e cila varion nga 24 mijë $ deri në 25 mijë $. Për realizimin e veprimeve aktive i pandehuri Fatmir Bakalli bashkëpunon me të pandehurin Enver Karaj, me të cilin ka njohje të mëparshëm, me të pandehurin Fatos Fasko, me të pandehurin Nertil Pervizi, Nikoll Kolaj si dhe me shtetas të tjerë. Për realizimin e veprimtarisë kriminale nënvizojmë përfshirjen në të të pandehurit Nertil Pervizi, i cili nuk është shtetas shqiptar, por shtetas maqedonas (me kombësi shqiptare). I pandehuri Nertil Pervizi realizon pritjen e personave me destinacion SHBA-në në Maqedoni ose Bullgari. Personave që nisen nga Shqipëria, iu sigurohet paisja me dokumente identifikimi bullgare të falsifikuara. Klandestinët e pajisur me këtë dokumentacion, udhëtojnë, kryesisht me autobus, për në Itali dhe më pas për në Spanje. Nga Spanja ata udhëtojnë me avion për në Meksikë, ku paraqiten me dokumentet bullgare. Nga kryeqyteti i Meksikës, Mexico ose nga qyteti Kankunit (Cancun), klandestinët udhëtojnë me autobus për në vendin nga ku do të kalojnë ilegalisht kufirin për në SHBA me ndihmën e lidhjeve meksikane të të pandehurit Fatos Fasko, i cili është i pajisur me pasaporte Meksikane.

 

TË ARRESTUARIT:

Nertil Previzi, të dënohet me 16 vjet burgim

Fatos Fasko, të dënohet me 16 vjet burgim

Enver Karaj, të dënohet me 15 vjet burgim

Fatmir Bakalli, të dënohet me 14 vjet burgim

Nikoll Kolaj, të dënohet me 13 vjet burgim

 

Fshehën të ardhurat

Pranga biznesmenit dhe inspektorit të tatimeve

Pronari i një kompanie në Tiranë si dhe një inspektor i Drejtorisë së Tatimeve të kryeqytetit, u arrestuan nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, me akuzën e fshehjes së të ardhurave dhe shpërdorimit të detyrës. Një inspektor tjetër i Drejtorisë Rajonale të Tiranës, u shpall në kërkim nga policia për të njëjtën akuzë. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës (Njësia Task-Force), gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Petrit Hajdini, administrator i kompanisë “ALB 01”, me aktivitet import-eksport dhe shitje me shumicë e pakicë cigare, pasi dyshohet se ka fshehur të ardhura të paktën 27 milionë lekë të reja, ndërkohë që po hetohet edhe për fshehjen e shumave të tjera. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin në bazë të informacionit të Hetimit Tatimor dhe në bashkëpunim me këtë të fundit. Sipas materialit hetimor, rezulton se më datë 22.05.2014 ne zbatim te Urdhrit te Punës, sektori i hetimit tatimor ka filluar hetimet në subjektin “ALB -01” shpk, me administrator shtetasin Petrit Hajdini, me adresë ushtrimi aktiviteti Lagjja “Ali Demi”, me aktivitet tregtar “Import-eksport të mallrave të ndryshëm me shumicë dhe pakicë (cigare)”. Pas verifikimeve të kryera në sistemin tatimor (libra blerje –shitje), rezultoi që subjekti kishte tepricë të madhe kreditore, pra gjendje në magazinë. Për një hetim objektiv, nga hetimi tatimor janë kryer disa veprime kontrolluese në adresën e deklaruar të këtij subjekti. Pas verifikimeve, nuk u bë e mundur gjetja e vend-ushtrimit të aktivitetit të ketij subjekti, pasi në adresën e deklaruar në QKR të shoqërisë, rezulton të mos ushtrohej aktivitet. Nga ana e Prokurorisë së Tiranës janë kryer verifikime në lidhje me aktivitetin tregtar të viteve të fundit të këtij subjekti, si edhe janë administruar transaksionet bankare të këtij subjekti. Po ashtu, Prokuroria Tiranë ka propozuar për kontroll të thelluar të këtij subjekti pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, e cila, pas përfundimit të kontrollit, ka konstatuar se subjekti tregtar “ALB-01” ka fshehur të ardhurat në shumën 26.906.733 lekë. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, është arrestuar edhe inspektori i Tatimeve, Tiranë, Nertil Dura, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi gjatë kontrollit qe ka zhvilluar disa muaj më parë në subjektin ‘Alb 01″ të Petrit Hajdinit, nuk ka raportuar mbi problemet e kësaj kompanie dhe ka dyshime se kontrolli është kryer fiktivisht.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here