Maqedoni / Bisedimet me partitë për krizën politike, eurokomisari për Zgjerimin, Hahn, mbetet i zhgënjyer

0
124

 

 

Johannes HahnBisedimet për zgjidhjen e krizës politike të brendshme në Maqedoni dështuan. Komisioneri i BE-së që ishte si ndërmjetës për këtë çështje u zhgënjye për shkak të mungesës së rezultateve. “Jam i zhgënjyer, kjo ishte një ditë e keqe, por ende jam optimist. Liderët e partive politike duhet ta kuptojnë seriozitetin e situatës, në të cilën gjendet Maqedonia. Nuk mundet Evropa të marrë vendime për liderët e Maqedonisë”. Kështu është shprehur eurokomisari për Zgjerimin, Johannes Hahn, pas bisedimeve 12-orëshe në rezidencën e BE-së në Shkup, ku katër liderët e partive më të mëdha në Maqedoni nuk arritën marrëveshje për realizimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Përzhinos. “Unë po kthehem në Bruksel, por ekipi im mbetet këtu në Shkup dhe shpresoj që do të ketë ndonjë marrëveshje konkrete gjatë ditëve të ardhshme”, – është shprehur Hahn gjatë largimit nga Shkupi. Ai shtoi se ky dështim në negociata do të mund të ketë reflektim edhe në procesin e eurointegrimeve, pasi edhe pak ditë pritet të publikohet raporti i progresit dhe ende nuk dihet nëse në të do të ketë rekomandim për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Arsyeja për dështimin e negociatave ka qenë fakti i miratimit të ligjit për mospublikimin e materialeve nga përgjimet insistim ky i VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së por që është kundërshtuar nga opozita. Kjo e fundit kërkon të miratohet pjesa tjetër e marrëveshjes që ndikon në procesin eurointegrues të vendit. Lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev, tha: “Ndalimi i publikimit të bisedave të përgjuara, nuk mund të jetë çështje më e rëndësishme se ardhmëria evropiane e të gjithë qytetarëve. Partitë në pushtet me idetë e tyre, po blejnë kohë për të dështuar negociatat”. Ndërsa VMRO akuzon opozitën për dështimin e negociatave: “Nuk arritëm marrëveshje përfundimtare, edhe pse kishte afrim të qëndrimeve sa u përket temave të caktuara. Opozita nuk po respekton marrëveshjen e 2 qershorit sipas së cilës duhet të miratohet ligj për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjimeve”, – theksoi Ila Dimovski nga VMRO-DPMNE. Ndërsa liderët e dy partive shqiptare, pjesëmarrës në negociata, Ali Ahmeti nga BDI dhe Menduh Thaçi nga PDSH, janë larguar disa orë para përfundimit të raundit të dështuar të negociatave mes liderëve. “Do vazhdojnë grupet e punës për t’i përmbyllur të gjitha mosmarrëveshjet që ekzistojnë. Sigurisht që ka dallime në lidhje me kompetencat, ligjin për qeverinë, ministrat. Sigurisht që është duke u biseduar se si do të afrohen pozicionet e ndryshme. Komuniteti ndërkombëtar është i interesuar dhe është mjaft aktiv në përmbylljen e këtij problemi”, – deklaroi Ahmeti pas daljes nga rezidenca e BE-së, ku zhvillohej takimi i liderëve. Grupi i punës me ndërmjetësim të ekspertit ndërkombëtar Piter Vanhaute, ka arritur pajtueshmëri për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa tani në tryezën e bisedimeve do të diskutohet për emërimin e ministrave të rinj, atij të Punëve të Brendshme, të Financave dhe të Politikës Sociale, që duhet të propozohen nga opozita, por sipas marrëveshjes së 2 qershorit, për emërimin e tyre pëlqim duhet të japin edhe partitë në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BD. Ndërkohë analistët vendas vlerësojnë se dështimi i negociatave për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni në prag të publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë, mund të ketë ndikim tejet negativ për ardhmërinë evropiane të vendit. Profesor Denko Malevski, vlerëson se zhgënjimi i eurokomisarit Hahn duhet të jetë sinjal i mjaftueshëm për politikanët vendas, se Maqedonia gjendet në një situatë mjaft kritike. Nëse dështon i tërë procesi i negociatave, kriza politike në vend mund të kthehet në fillimet e saj por nuk duhet përjashtuar mundësia se mund të kemi edhe konsekuenca të paparashikuara.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here