Qeveria në riformatim / Ja ministritë që Rama-Meta i kanë piketuar për rifreskim, lëvizjet që priten

0
127

 

kabineti-300x2401Ministria e Shëndetësisë, ajo e  Industrisë dhe Energjetikës, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Drejtësisë në qendër të lëvizjeve të mundshme në qeveri. Ministria e Brendshme, dilema e PS-LSI

Gëzim Saliu

 

Takimi i dy ditëve më parë mes Kryeministrit Rama dhe Kreut të Kuvendit Meta ishte përcaktues për vijueshmërinë e koalicionit të majtë, pas krisjes mes palëve që nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Megjithëse rezultatet e këtij takimi nuk janë ende të dukshme, burime brenda mazhorancës bën të ditur se “çmimi” i kësaj “paqeje” të re mes dy aleatëve të majtë do të jenë disa ndryshime në qeveri të shoqëruara edhe me lëvizje në masë në rolet drejtuese apo edhe nënkategori të këtyre roleve në administratën publike. Ndonëse kjo çështje pritet të shtrohet në diskutime të mëtejshme mes Ramës dhe Metës lidhur me emrat specifikë që do preken nga ndryshimet në ekzekutiv, ajo çka dy bashkë-kryetarët e mazhorancës qeverisëse kanë përcaktuar tashmë, me ndonjë ndryshim të mundshëm në vazhdim, janë ministritë që do jenë pjesë e rifreskimit.

 

Krisja që solli riformatimin

Prej thuajse dy muajsh, kryetari i LSI-së, Meta, në prononcimet e tij në media kishte shprehur një kritikë lidhur me performancën e qeverisë, ku nuk kishte munguar kërkesa për më shumë angazhim dhe ecuri në reforma. Këto mesazhe të Kryeparlamentarit janë pritur fillimisht me skepticizëm nga Kryeministri Rama, i cili pavarësisht se kishte pakënaqësitë e tij për disa nga ministrat e kabinetit që drejton, nuk ishte i gatshëm për ndryshime. Por me nisjen e sesionit të ri parlamentar kërkesat e LSI-së janë shtuar gjithnjë e më shumë në kuadër të domosdoshmërisë së riformatimit të ekzekutivit. Kjo gjë e shoqëruar edhe me debatet mes dy partive kryesore të koalicionit që prej zgjedhjeve vendore solli një krisje në mazhorancë. Çështja CEZ ishte edhe pika kulminante e kësaj krisjeje, gjë e cila me takimin Rama-Meta shënoi nga njëra anë mbylljen e përplasjeve të forta mes palëve e nga ana tjetër hapin e madh drejt ndryshimeve në kabinetin qeveritar.

 

Ndryshimet

Janë 4 ministri që burimet brenda mazhorancës bëjnë të ditur se janë vendosur në qendër të rifreskimit, duke nisur nga ajo e Shëndetësisë me në krye aktualisht Ilir Beqen. Kundërshtitë e LSI-së ndaj disa urdhrave apo vendimeve që prekin sistemin shëndetësor kanë qenë të vazhdueshme në këto dy vite të mazhorancës, duke mos lënë mënjanë edhe akuzat direkte ndaj ministrit të PS-së. Ndërkohë, një tjetër ministri për të cilën priten ndryshime është edhe ajo e Ekonomisë dhe Turizmit e drejtuar nga Arben Ahmetajt. Megjithëse ky i fundit është një ndër ministrat e preferuar të Kryeministrit Rama, kërkesa e LSI-së për këtë Ministri pritet të sjellë kokëçarje për socialistët. Po ashtu pjesë e diskutimeve është edhe Ministria e Energjetikës dhe Industrisë e drejtuar nga Damian Gjiknuri. Lëvizja në këtë ministri mund të përfshijë edhe një rokadë me Ministrinë tjetër që pritet të ndryshojë, ajo e Drejtësisë. Pritet që Ministrinë e drejtuar nga Gjiknuri ta marrë nën drejtim një prej përfaqësuesve të propozuar nga partia e Metës dhe kabineti i drejtuar nga Naço në këto dy vite ti kalojë PS-së. Lidhur me këtë lëvizje të fundit, diskutimet kanë qenë të shumta gjatë gjithë kohës së funksionimit të koalicionit, pasi socialistët kanë kërkuar që ky dikaster të jetë nën drejtimin e një emri nga selia e purpurt. Por për këtë çështje duket se LSI i mbetet fort qëndrimit të saj se kjo Ministri duhet të drejtohet nga një përfaqësues i saj, duke i dhënë besim Naços. Në kushtet kur kjo ministri mund të kalojë në duart e socialistëve, atëherë është e pritshme kërkesa e LSI-së për një ministri me peshë në qeverinë “Rama”, duke mos lënë jashtë liste ministrinë e Arsimit apo atë të Mbrojtjes. Ndërkaq zërat janë shtuar për lëvizje edhe në ministrinë e Brendshme, megjithëse gjasat e largimit të Tahirit nga posti numër 1 i rendit dhe sigurisë janë të pakta. Besimi që gëzon tek kryeministri është një armë e fortë e Tahirit, pavarësisht se ai ka qenë një ndër ministrat më të akuzuar nga opozita, por shpeshherë edh nga brenda radhët e mazhorancës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here