Trajneri katalanas është shprehur se duhet pasur kujdes ndaj Celta Vigos, sepse ka bërë ndeshje shumë të mira në këtë fillim sezoni
Benitez në daljen e fundit ka deklaruar se Ramos do të mungojë në sfidën ndaj Bilbaos, ndërkohë që është shprehur se vetëm Ronaldo është i pazëvendësueshëm te skuadra e galaktikëve
Liga spanjolle ka filluar me spektaklin e saj. Dy pretendentet, Real dhe Barcelona, vijnë pas një jave që është shoqëruar me dëmtime. Tjetër transfertë delikate për Barcelonën. Pas atyre ndaj Athletic Bilbaos dhe Atleticos së Madridit ku “blaugranat” regjistruan dy fitore me rezultate të ngushta, sot të besuarit e Luis Enriques do të sfidojnë Celta Vigon ish-skuadrën e trajnerit asturian. Celta që sezonin e kaluar e mundi në një rast Barçën brenda në “Camp Nou”, e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer kampionatin, duke grumbulluar 10 pikë në 4 javët e para. Këtij fakti i trembet edhe vetë Luis Enrique. “Na pret një ndeshje e vështirë, por edhe shumë interesante për ne, pasi kundërshtari ynë ka treguar në këto javë të para të kampionatit se po kalon një moment të mirë. Celta ka treguar efikasitet të madh përpara portës dhe ka një sulmues të frikshëm si Nolito, kështu qe ne duhet të tregohemi të kujdesshëm”. Më tej trajneri foli edhe në lidhje me rikthimin në fushën e lojës të mbrojtësit Gerard Pique, i cili ishte ndëshkuar me 4 ndeshje pezullim, për shkak se ofendoi arbitrin anësor në ndeshjen kundër Athletic Bilbaos e vlefshme për Superkupën e Spanjës. Enrique shtoi gjithashtu se penalltitë do të vazhdojë t’i godasë Lionel Messi, edhe pse 4-herë fituesi i Topit të Artë ka gabuar 2 11-metërsha gjatë këtij sezoni. “Rikthimi i Pique-së është një lajm shumë i mirë për skuadrën. Ai bëri një gjest të cilin dhe mund ta shmangte, por gjithsesi tani që periudha e pezullimit përfundoi jam shumë i lumtur. Për sa i përket çështjes së penalltive, mund t’ju them se ato do të vazhdojë t’i godasë Leo Messi”. Në përfundim të konferencës 45-vjeçari foli dhe në lidhje me blerjet e kësaj vere, dyshen Arda Turan dhe mesfushorin Aleix Vidal, të cilët nuk kane mundur të bëjnë debutimin e tyre, për shkak të pezullimit që ka marrë Barcelona nga FIFA. Për sa i përket një ndarjeje të mundshme të Katalunjës nga Spanja dhe mundësive që Barça të mos jetë më pjesë e La Liga-s, Luis Enrique u përgjigj në këtë mënyrë: “Barcelona jashtë La Liga-s? Në këto momente nuk mund ta imagjinoj dot një gjë të tillë. Në lidhje me Ardën dhe Alex-in dua të them që ata ndodhen në një situatë të çuditshme, edhe pse nuk kanë bërë asgjë të paligjshme u duhet të vuajnë pasojat”.