Emigrantët sirianë /Qeveria ngre grup pune, por mohon negociatat. Bushati: Fals lajmi se do të vijnë 75 mijë refugjatë

0
121

 

 

 

 

kryeministriaQeveria shqiptare ka marrë masat për mundësinë që emigrantë sirianë të strehohen në vendin tonë, duke ngritur një grup pune, por mohon të jetë përfshirë në negociata me palë të treta lidhur me këtë çështje. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili duke iu përgjigjur interesit të CNN-it në këtë drejtim, e quajti fals raportimin se Shqipëria do të pranojë 75mijë refugjatë sirianë. “Nuk ka negociata dhe nuk jemi të përfshirë në asnjë diskutim”, – tha kryediplomati shqiptar. Ndërkohë i pyetur nga mediat, drejtori i Komunikimit pranë qeverisë, Endri Fuga sqaroi se nuk ka asnjë diskutim për këtë çështje me palë të treta. “Qeveria shqiptare, njësoj si të gjitha vendet e Evropës që mund të preken nga kriza e refugjatëve sirianë, ka ngritur një grup pune dhe po punon për një plan të posaçëm, për të qenë të përgatitur dhe në gatishmëri. Kjo është një praktike normale, e ndjekur nga të gjitha vendet e rajonit”, – tha ai. Ndërkaq dy ditë më parë nën drejtimin e zëvendëskryeministrit, Niko Peleshi, u zhvillua një mbledhje me 7 ministra, pikërisht për këtë çështje. “Nuk ka ndonjë zhvillim konkret në lidhje me këtë çështje. Mbledhja kishte për qëllim parapërgatitjen për çdo rast, në qoftë se edhe Shqipëria do të preket nga fenomeni. Deri më tani nuk kemi ndonjë të dhënë për flukse të mundshme refugjatësh drejt Shqipërisë, por për sa kohë që janë prekur fqinjët, ne nuk mund të jemi të papërgatitur”, – pohoi dje për TCH zv.kryeministri. Gazeta gjermane “Bild” dhe ajo britanike “The Telegraph” kishin raportuar se qeveria shqiptare po dakordësohet me BE për të strehuar 75 mijë emigrantë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here