Fotot e Hoxhës në Pezë, ish-të përndjekurit: Nuk mund të vritemi sërish pas torturave që kemi hequr
Vojsava Sota
Ish-të përndjekurit politikë të regjimit komunist protestuan dje pranë bunkerit më të ri në vend, që po ngrihet në hyrje të tuneleve të nëndheshme kundërbërthamore pranë dy ministrive, asaj të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjatë protestës, ish-të persekutuarit teksa tentuan të shkatërronin bunkerin, duke u futur brenda tij, u përballën me ndërhyrjen e forcave blu, ku nuk munguan edhe përleshjet mes palëve. Besim Ndregjoni, kryetari i Unionit Mbarëkombëtar të të Përndjekurve Politikë, deklaroi: “Nuk flitet për dekriminalizim, por për komunistizim. Balili i vogël po vepron si komunist. Balili Saimir Tahiri ndërton bunker përballë Balilit tjetër Erjon Velise, i cili dilte dhe krenohej dje me fotot e Enver Hoxhës në festën e Pezës”, – citoi ai. Të përndjekurit e regjimit komunist shqiptar deklaruan se politika sot është e mbushur me drejtues të regjimit komunist. “Parlamenti sot është i mbushur me ish-sigurimsa. Kemi mazhorancë të re në moshë, por me mentalitet komunist për të rehabilituar diktatorin. Parlamenti i dalë më 23 qershor është i mbushur me ish-sigurimsa, biznesmenë të akuzuar për korrupsion, kryetarin e Komisionit të Ligjeve e kemi personalitet të diktaturës dhe ministrin e Drejtësisë hetues të diktaturës dhe kryetarin e Komisionit të Sigurisë prokuror të diktaturës”, – u shprehën të përndjekurit, që kërkuan zhdukjen e komunizmit dhe dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj. Fatmir Hoxha, kryetar i Partisë së të Drejtave të Mohuara e Re, deklaroi se dallimin me ligj të figurave të diktaturës dhe ndërtimin e një muzeu për të përndjekurit politikë në Tiranë e kërkuan nga sheshi përpara Parlamentit në nisje të seancës parlamentare. Kërkesave të tyre drejtuar qeverisë i shtuan edhe shqyrtimin e 3 mijë dosjeve të patrajtuara dhe miratimin e faturës financiare për të nisur dëmshpërblimin. Po ashtu, në fjalën e tyre, ish-të përndjekurit kanë kundërshtuar fort shfaqjen e fotografive të ish diktatorit Hoxha në festën e Pezës, duke theksuar se nuk mund të vriten sërish pas torturave që kanë vuajtur në kohën e regjimit. Ky grup ish-të përndjekurish kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave deri në grevë urie në ditët në vazhdim pasi dëmshpërblimet janë vonuar tej mase.
Çfarë ndodhi në Pezë?
Nostalgjikët komunistë në përkujtimoren e Konferencës së Pezës festuan me foto të Enver Hoxhës e bashkëshortes së tij duke glorifikuar periudhën e diktaturës komuniste. Nostalgjikët e sistemit komunist brohoritën për diktatorin Enver Hoxha dhe shpalosën fuqishëm pankartat në nderim të tij, si: “Konferenca e Pezës, vepër e PKSH-së dhe Enver Hoxhës”, “Lavdi Enver Hoxhës” etj., shkaktuan irritim të ish-të përndjekurve nga regjimi komunist. Ndërtimin e bunkerit autoritetet e kanë shpjeguar si një simbolikë dhe kujtesë se si pushteti komunist tentonte të mbrohej dhe nuk ishte asgjë tjetër përveçse një hyrjeje që të shpie më pas në tunelet e nëndheshme kundërbërthamore mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme.