Inovacioni / Në Evropë mendohet të krijohen tri kompeticione kontinentale

0
179

 

Është hedhur ideja e krijimit të një lige e motër si Champions League apo Europa League

 

Në Evropë mund të kemi sërish tri kompeticione kontinentale për klube. Lajmi i bujshëm publikohet nga mediat ndërkombëtare, sipas të cilave UEFA po mendon seriozisht t’i bashkëngjisë Ligës së Kampioneve dhe Europa Ligës një tjetër kompeticon evropian për klube. Për këtë temë krerët më të lartë të UEFA-s kanë diskutuar me 54 federatat që janë pjesë e qeverisë së futbollit evropian dhe bisedimet janë një stad të avancuar. Nëse të gjithëve në mendje u vjen Kupa e Kupave, në fakt formula e kompeticionit të tretë evropian që pritet të bëhet realitet nga UEFA do të jetë e ndryshme. Në këtë turne të ri nuk do të marrin pjesë fitueset e kupave kombëtare, por klubet që nuk arrijnë të sigurojnë një biletë për në dy kompeticionet madhore, Champions League dhe Europa League. Për të konfirmuar gjithçka se qeveria e futbollit evropian po mendon seriozisht të organizojë një tjetër kompeticion evropian për klube ka mjaftuar një deklaratë e presidentit të Federatës Skoceze të Futbollit, Stewart Regan. Ky i fundit në prononcimin e tij për mediat është shprehur: “Po, është e vërtetë që po diskutohet për një kompeticion të tretë evropian, dy janë skenarët e propozuar: t’u japim një tjetër shans të gjitha atyre klubeve që eliminohen nga play-off-et e Champions League-s dhe Europa League-s ose të organizohet një turne ekskluziv vetëm për vendet e vogla që e kanë të vështirë të kualifikojnë qoftë edhe një skuadër të vetme në dy kompeticionet që zhvillohen aktualisht, por hipoteza e dytë është më pak e mundur”. Në fund të fjalës së tij Stewart Regan shtoi se duhen marrë konsideratë edhe kostot dhe nëse këto klube janë të gatshme të marrin pjesë në një kompeticion shumë më inferior për sa u përket të ardhurave në krahasim me Europa League-n.

 

Messi, 100 sfida sa një shekull

 

Ndeshja e së mërkurës mes Barcelonës dhe Romës, e cila përfundoi në barazimin 1-1 shënoi aktivizimin e 100 në kompeticionin e Champions Leagues të yllit argjentinas Lionel Messi. Ikona e Barcelonës sërish dhuroi një performancë mjaft të mirë në “Olimpico” duke qenë shumë pranë golit në minutën e 78-të. Gjithsesi, edhe pse sulmuesi 28-vjeçar nuk e gjeti rrjetën në këtë sfidë, shënoi një sukses personal historik duke qenë i pari lojtar me një moshë kaq të re që arrin kufirin e 100 ndeshjeve, që mund të përkthehen si një shekull ndeshjesh. Por si gjithnjë, kapiteni i Argjentinës nuk ndalet dhe në një postim të tij në Facebook ai deklaron se është i etur për të tjera suksese. “Jam shumë i lumtur që kam luajtur plot 100 ndeshje në kompeticionin më të mirë të klubeve në botë. Kam përjetuar net të gjata evropiane për të mos u harruar dhe shumë net të tjera magjike na presin”. Sulmuesi i blaugranave i bashkëngjitet në këtë mënyrë listës së kufizuar të lojtarëve që kanë arritur një numër ndeshjesh treshifrore me pjesëmarrjen e tyre në Champions League, vetëm 33 të tillë. Messi ka fituar plot katër herë titullin e Championsit me Barçën, por ish-shoku i tij skuadrës Xavi mban rekordin për skuadrën nga “Camp Nou” me 57 ndeshje më shumë se sa Messi në këtë kompeticion. Pas një sezoni fantastik me Barcelonën në edicionin e shkuar, Messi rezultoi të ishte në majën e listës së golashënuesve përkrah Neymarit dhe Cristiano Ronaldos, si dhe fantazisti më i mirë me plot 6 asiste.

 

 

Shkurte

 

Cavani: I lumtur që zgjodha PSG-në

 

Shumë klube evropiane treguan interes të madh për sulmuesin e PSG-së, Edinson Cavani, por në fund lojtari preferoi të mbesë në Paris, duke zgjedhur projektin e PSG-së. Juventusi u paraqit me oferta bindëse, ndërsa Arsenali tentoi të shpenzojë gjithçka për Cavanin, por të dy klubet dështuan të transferojnë sulmuesin. Në një intervistë për “Journal du Dimanche”, Cavani ka rrëfyer objektivat e tij dhe të ardhmen. “Mendoj të fitoj sa më shumë kampionate me PSG-në, si edhe do ta marrim seriozisht Ligën e Kampionëve për të shkuar sa më larg. I falënderoj të gjitha klubet e interesuar për mua, por dua të mbetem gjithnjë një lojtar i PSG-së dhe mund t’ju them se këtu mund të mbyll edhe karrierën time. Jam krenar për mbështetjen e fansave, si edhe më lumturon prezenca në Paris, ndaj dhe do të ishte çmenduri nëse do të zgjidhja klub tjetër”, – ka thënë Cavani

 

Pirlo: Buffon, më i miri në histori

 

Andrea Pirlo beson që portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, është portieri më i mirë i të gjitha kohërave. Portieri tregoj një performancë të jashtëzakonshme kundër Mançester Sitit dhe për këtë mesfushori italian që tani luan në SHBA beson që ai është më i miri. “Jam me fat që kam luajtur me të që nga mosha 15 vjeçare”, – ka thënë Pirlo për “Sky”. “Për mua është unik dhe ndoshta më i miri në histori. Ta shohësh atë në stërvitje është e jashtëzakonshme”, – nënvizoi Pirlo. Pirlo dhe Buffon kanë luajtur se bashku në nivel klubesh për katër vite, por ky i fundit la Juventusin për të ikur te Neë York City. Dyshja kanë fituar së bashku Kupën e Botës në vitin 2006, ndërsa Buffon ka deri tani 150 paraqitje për Italinë, kundrejt Pirlos që ka 116.

 

Costa: Fitorja ndaj vetëbesimit

 

Sulmuesi i Çelsit, Diego Costa, ka deklaruar se takimi ndaj Arsenalit i jep mundësinë perfekte “Bluve” për t’u rikthyer në formë pas startit të dobët në Premier Ligë. Londinezët shkatërruan Makabi Tel-Avivin me rezultat 4 – 0 të mërkurën në Ligën e Kampionëve. Çelsi pas pesë xhirove të para në Angli ka vetëm katër pikë të tubuara, ndërsa të shtunën pret Arsenalin në “Stamford Bridge”. “Nuk ka më mirë se një ndeshje ndaj Arsenalit për të fituar dhe për të rregulluar këtë situatë, – ka thënë spanjolli. – Nëse ne fitojmë do të bëjmë hap përpara në kuadër të vetëbesimit dhe pikëve. E dimë rëndësinë e ndeshjes. Duhet të jemi të qetë. Kemi mjaft kualitet për të rregulluar situatën”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here