Aksioni më i fundit i ndërmarrë nga Drejtoria e Tatimeve dhe Inspektorati Shtetëror i Punës, përveçse ka acaruar marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit, ka sjellë jo pak telashe për këtë të fundit. Lufta ndaj informalitetit e ndërmarrë nga qeveria dhe e trumbetuar si luftë ndaj skllavërisë moderne ka shkaktuar jo pak terror te bizneset të cilët janë detyruar të mbyllin aktivitetin. Kërcënimi me burg, gjoba të majme, konfiskim malli, bllokim të aktivitetit ka dëmtuar më shumë bizneset e vogla apo sipërmarrjet individuale. Edhe pse është trumbetuar si një aksion për të shpëtuar punëtorët e pasiguruar të ndërmarrjeve apo biznese, e ka çuar në një handikap të madh aksionin qeveritar pasi nga mbyllja e bizneseve nga frika e kontrollit të tatimeve, shumë punonjës kanë humbur punën e tyre edhe pse rezultonin si punonjës “në të zezë”. Sulmi i tatimorëve në emër të zhdukjes së informalitetit ka sjellë një problem shumë serioz për bizneset që kanë blerë dhe kanë mall stok të pashoqëruar në atë kohë me faturë. Por kjo më parë nuk kërkohej, kurse sot mund të sjellë një gjobë të majme deri në konfiskim të mallit e dërgim për ndjekje penale. Aksioni shtetëror ka paralizuar totalisht veprimtarinë e biznesit pasi puna e ngadaltë në zyrat e QKR-së për regjistrim, çmimi i kasave fiskale, dhe koha e shkurtër për plotësimin e dokumentacionit të bizneseve ka shkaktuar jo pak panik dhe paralizë në veprimtarinë e përditshme të sipërmarrjeve. Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar u vendos që të ndërmerrej aksioni kundër abuzuesve në treg por që ka sjellë jo pak dyshime ku “peshqit e mëdhenj” rëndom thuhet se siç kanë shpëtuar do shpëtojnë dhe se masat shtrënguese po dëmtojë bizneset e vogla dhe individët. Aksioni qeveritar kundër informalitetit i ashtuquajtur si një formalizim i ekonomisë, me qëllim goditjen e abuzuesve dhe favorizimin e biznesit të ndershëm, përkundrazi po jep një efekt shumë të ëndë social si pasojë e masave ndëshkuese shumë të rrepta ku bizneset kanë pësuar një goditje të fortë. Mungesa e parave në buxhetin e shtetit, rritja e inflacionit dhe situate aspak e mirë ekonomike në vend ka bërë që qeveria të vërsulet pa mëshirë ndaj biznesit çka më shumë se gjithçka tjetër po shoqërohet me mbyllje të aktivitetit të bizneseve e shtim të papunësisë sesa me vendosje të shtetit.