Zgjedhjet, KZLNDQ: Nevojë për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore

0
185

votimet1-578x320Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qëndrueshme (KZLNDQ) prezantoi raportin përfundimtar i cili përmban gjetje, konkluzione dhe rekomandime nga puna vëzhguese gjatë Zgjedhjeve të 21 Qershorit 2015.

“Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qëndrueshme (KZLNDQ) vlerëson se ndërkohë që dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e rregullt, periudha para dhe pas zgjedhjeve u karakterizua nga një sërë mangësish si përballë legjislacionit kombëtar ashtu edhe standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme”, deklaroi Mirela Arqimandriti, drejtuese e KZLNDQ-së.

“Puna e Organeve të Administrimit të Zgjedhjeve (OAZ) u ndikua shumë nga vullneti i partive politike. Një tjetër karakteristikë e punës së OAZ-ve në të gjitha nivelet, ka qenë mungesa e transparencës të konsiderueshme, pasi ato nuk arritën të informojnë plotësisht dhe në kohën e duhur publikun rreth mbledhjeve dhe rezultateve të punës së tyre.”-tha Mirela Bogdani, juristja e KZLNDQ.

“Procesi i numërimit të votave është pjesa më delikate dhe e pasigurt e zgjedhjeve në Shqipëri. Procesi ishte jo transparent duke filluar që nga mbyllja e Qendrave të Votimit dhe transportit të kutive të votimit për në Qendrat e Numërimit të Votave (QNV), e deri te proçeset brenda QNV-ve. Për më tepër që planimetria e QNV-ve, me tavolina dhe me grupe të shumta numërimi, nuk ofroi një pamje të qartë për vëzhguesit, për shkak të distancës të papërshtatshme nga tavolinat e numërimit.” – tha Dhimitër Gjodede, Koordinatori i Vëzhguesve Afatgjatë.

“Partitë politike dështuan në zotimin e tyre për të rritur përfaqësimin e gruas në proceset elektorale; nënpërfaqësimi i grave në Organet e Administrimit Zgjedhor vazhdon të mbetet problem, në veçanti në komisionet e nivelit të dytë e të tretë. Përvec kësaj, megjithëse Kodi Elektoral, parashikon metoda për të asistuar votuesit të cilën nuk mund të votojnë të pavarur, në këto zgjedhje kjo nuk u respektua” -tha Erjona Mulellari Koordinatore e vëzhguesve afatshkurtër.

“KZLNDQ i kërkon Parlamentit Shqiptar që të iniciojë një diskutim publik me të gjithë aktorët në lidhje me Reformën Elektorale e që të adresojnë rekomandimet e kahershme të OSBE/ODIHR dhe çështjet e identifikuara gjatë zgjedhjeve të fundit të organizuara në Shqipëri nga vëzhguesit shqiptarë”, tha Mirela Arqimandriti, drejtuese e KZLNDQ-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here