Portugezët të gëzuar, por hedhin sytë nga Danimarka, kuqezinjtë synojnë vetëm triumf

0
136

 

Foto-gjat-ndeshjes-480x333

 

Luzitanët pas ndeshjes janë shprehur se finalja e vërtetë është ndaj Danimarkës, pasi aty mund të thuhet me plot gojën nëse e kanë realizuar objektivin e tyre

 

Objektivi i kuqezinjve për Francë 2016 vazhdon. Edhe pse humbja në minutat e fundit është e hidhur, De Biasi me skuadrën duhet të gjejnë forcat, pasi përpara i pret një sfidë e madhe, ndërkohë që gara në grup është akoma e hapur. Fitorja e vuajtur në “Elbasan Arena” lumturoi portugezët. Trajneri Fernando Santos nuk e fshehu rëndësinë e suksesit ndaj Shqipërisë dhe mendon për sfidën e radhës me Danimarkën. “Fitorja është gjithmonë e rëndësishme. Hodhëm një hap të madh drejt Euro 2016-ës, por ende asgjë nuk ka përfunduar. Sipas llogarive, na nevojitet edhe një pikë në dy ndeshjet e fundit. Megjithatë, me Danimarkën duhet të luajmë si një finale dhe nuk duhet të paraqitemi me mendimin se jemi në Francë”. Miguel Veloso, autori i golit dramatik në portën e Shqipërisë në kohën shtesë, e cilëson të drejtë rezultatin. “Të fitosh është gjithmonë e rëndësishme. Jemi të gjithë të lumtur. Topi erdhi te unë dhe fatmirësisht arrita ta ndihmoja skuadrën. Edhe pse suksesi erdhi vetëm në sekondat e fundit, kjo ishte një fitore e merituar. Tani mendojmë për Danimarkën. I kemi të qarta vështirësitë e çdo ndeshje, pasi rivalët janë të motivuar kur luajnë kundër nesh”. Ai që provon të ndalë entuziazmin është Ricardo Quaresma. Ylli i Beshiktashit i dha një impuls të ri lojës së luzitanëve, ndërsa nga këmbët e tij erdhi harkimi perfekt për golin e Portugalisë. “Fitorja në Shqipëri ishte një hap i rëndësishëm për kualifikimin, por kemi edhe ndeshjen e ardhshme për të fituar. Askush nuk duhet të mendojë se misioni ynë përfundoi. Duam tri pikë kundër danezëve, nuk do të luajmë për barazim. Ka ende kohë për të festuar. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të vazhdojmë me të njëjtin mentalitet”. Cristiano Ronaldo nuk foli për mediat shqiptare apo portugeze. Gjatë largimit nga “Elbasan Arena”, ylli i Realit u mjaftua vetëm me një përshëndetje ndaj gazetarëve në zonën miks.

 

Skenarët e mundshëm të kualifikimit të Shqipërisë

Në rastin e Shqipërisë, ekzistojnë disa skenarë për të siguruar biletën direkte në Francë. Në dy ndeshjet e mbetura, kombëtarja duhet të marrë të paktën dy pikë ose një fitore, për të siguruar vendin e dytë në grupin I. Nëse Portugalia fiton me Danimarkën më 8 tetor, kuqezinjve mund t’u mjaftonte një sukses hipotetik përballë Serbisë. Minimalisht ekipi i De Biasit nuk duhet të humbasë në ndeshjen e fundit në “Elbasan Arena” dhe më pas të synojë një pikë edhe në Armeni. Fati i kombëtares është i lidhur ngushtë me sfidën në Bragë. Situata ndërlikohet, nëse danezët barazojnë në tokën luzitane, duke bërë që Shqipërisë t’i nevojitet patjetër një fitore në dy takime. Nëse Danimarka triumfon në Portugali, atëherë misioni bëhet më i vështirë. Kuqezinjtë do të detyroheshin t’i fitonin të dyja ndeshjet e tetorit për t’u kualifikuar direkt në Francë. Kualifikimi direkt nga grupi synohet, edhe sepse gara për vendin e tretë më të mirë është ndërlikuar. Kroacia është e para me 12 pikë, ndërsa ka edhe dy ndeshje, me Bullgarinë dhe Maltën, me pikët ndaj kësaj të fundit që nuk llogariten, si ekipi më i dobët në grupin H. Përpara kuqezinjve qëndrojnë edhe Ukraina dhe Hungaria, ndërsa rrezik përbëjnë Rusia dhe Republika e Irlandës. Nëse Shqipëria nuk siguron pjesëmarrjen direkte në Francë, rruga më e gjatë, ajo e kualifikimit nëpërmjet fazës “play-off” është edhe më e vështira, pasi në garë janë edhe skuadra si Izraeli, Turqia dhe Estonia.

 

Mediat daneze “urojnë” Portugalinë

 

“Portugalia: Me Danimarkën do të jetë një finale”. Kështu e nis titullin kryesor gazeta daneze “Ekstra Bladet” duke iu referuar sfidës së 8 tetorit në Bragë, ku skuadra nordike do të udhëtojë për sfidën e fundit të grupit eliminator. Kjo e përditshme i kushton një hapësirë të madhe suksesit të Portugalisë në Shqipëri me titullin “Portugalia i jep një dorë Danimarkës”, duke theksuar se skuadra e Olsenit po kalon një moment negativ, pasi në dy ndeshjet e fundit nuk arriti të shënonte asnjë gol dhe tani është e detyruar të luajë një 90-minutësh vendimtar. Gazeta sjell në plan të parë intervistat e lojtarëve dhe trajnerit portugez, sipas të cilëve, sfida e tetorit është vendimtare për kualifikimin në Euro 2016. Edhe gazeta tjetër “Jyllands-Posten” i kushton një hapësirë të madhe fitores së Portugalisë, duke veçuar Etrit Berishën si një nga më të mirët në fushën e lojës. Ndërkohë, në faqen e internetit, televizioni “TV2” bën lojë fjalësh me titullin: “Ndihmë e shpejtë për Danimarkën, Portugalia fiton në kohën shtesë kundër Shqipërisë”, duke shtuar se luzitanët arritën të gjenin trepikëshin ashtu si në “Telia Parken” vetëm në fundin e takimit, duke kryesuar bindshëm me 15 pikë, të ndjekur nga Danimarka me 12 dhe Shqipëria me 11. Kur kanë mbetur 180 minutat e fundit të kualifikueseve, futbolli i luajtur i ngjason një sfide në shah. Taktikat në fushë shkojnë paralel me llogaritë në letër për të arritur objektivin e kualifikimit në Euro 2016.

 

Ronaldo, i mefshtë përballë kuqezinjve

 

Cristiano Ronaldo u paraqit në “Elbasan Arena” si rreziku kryesor për Shqipërinë. Por, ashtu si ka ndodhur shpesh me yje të mëdhenj të futbollit botëror, edhe portugezi ka vuajtur përballë mbrojtjes së ngjeshur kuqezi. Tri herë fituesi i “Topit të Artë” ishte protagonist i një mbrëmjeje nën nivelin e zakonshëm. Pak aktiv në fushë dhe jo shumë i interesuar në pjesën më të madhe të aksioneve të skuadrës. Përfundimi vjen nga statistikat në fushën e lojës. Sipas portalit ndërkombëtar “goal.com”, “edhe pse të gjithë sytë ishin drejtuar nga Cristiano Ronaldo, si lojtari që duhej të frymëzonte fitoren e Portugalisë, ai zhgënjeu”. 30-vjeçari realizoi vetëm dy goditje në kuadratin e portës, të neutralizuara nga Etrit Berisha, ndërsa ishte nën ton edhe për sa u takon pasimeve, me vetëm 67 për qind saktësi në 30 momente kur shërbeu për shpërndarjen e topit te shokët e ekipit. Sipas shifrave, Ronaldo fitoi 75 për qind të dueleve me mbrojtësit shqiptarë, ndërsa ishte i përfshirë edhe në tri aksione të përfaqësueses luzitane. Një mbrëmje relativisht e qetë për yllin e Realit të Madridit në Shqipëri, nga ku Portugalia arriti vetëm në fund të merrte maksimumin e pikëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here