Flet deputeti i arrestuar /Prenga: Keqardhje për PS, ra pre e presionit të PD. S’lahet ndërgjegjja duke bërë “kokë turku”

0
129

 

 

prenga ne keshill mbledhja e keshillitDeputeti socialist: Arma ime nuk ka qëlluar askënd në ambientet e komisariatit, kam shtirë vetëm në ajër

 

Gëzim Saliu

 

Deputeti socialist Armando Prenga, i arrestuar për plagosjen e ndodhur në Laç, reagoi dje për herë të parë lidhur me ngjarjen përmes avokatit të tij mbrojtës, Baftjar Rusi. Ky i fundit, në emër të deputetit socialist, mohoi kategorikisht të ketë qëlluar me armë nga Gjon Calit dhe kushërinjve të tij. Por në reagimin e Prengës vihej re një keqardhje e madhe ndaj qëndrimit të PS-së, e cila “lau shpejt duart” me deputetin e saj pas ngjarjes së ndodhur. Sipas tij, PS, duke iu nënshtruar presionit të PD-së, nxitoi duke i futur kokën në gijotinë. “Ndiej keqardhje për kolegët e mi të PS-së që ia lejuan vetes të nxitohen dhe u bëj thirrje të respektojnë të drejtat e njeriut nëse nuk duan të respektojnë Armando Prengën. Kjo që po ndodh mbi mua dhe familjen time është shkelje flagrante e të drejtave më elementare dhe universale të njeriut. E përsëris jam sulmuar, jam agresuar, jam gjakosur si familje dhe po mbahem i akuzuar pse jam vetëmbrojtur. Askush nuk do të lajë ndërgjegjen duke bërë Armando Prengën kokë turku. Është detyrim dhe përgjegjësi e organeve të hetimit dhe drejtësisë të rikthehet urgjentisht tek ligji dhe ti referohet vetëm ligjit pa ndikime, pa i shërbyer asnjë skenari, aq më pak t’i nënshtrohet presionit të një PD që për strategji ka të dobësojë mazhorancën me instrumentalizime të kësaj natyre”, – theksoi Prenga përmes avokatit të tij.

 

Qëndrimi

Sipas Armando Prengës, ngjarja e ndodhur në 4 shtator në Laç, ku mbetën të plagosur 7 persona, ka edhe dëshmitarë të tjerë, të cilët deri më tani nuk janë pyetur as nga policia dhe as Prokuroria. Në versionin e tij, deputeti socialist thekson se fisi Cali është konfrontuar me të vëllain dhe shokun e vëllait të deputetit, pasi u kishin zënë pritë në afërsi të komisariatit të Laçit, në kohën që vetë deputeti Prenga ishte në lokalin e tij në qendër të qytetit. “Jam nisur edhe unë me vrap, duke parë se të bërtiturat dhe klithmat e njerëzve po vinin në drejtimin e komisariatit të policisë që është rreth 500 metra larg dhe aty kam parë të plagosur dhe shtrirë në tokë vëllain tim, Eduartin, shokun e tij, Gazmirin, dhe persona të tjerë, të cilët janë transportuar për ndihmë në spitalin e Laçit. Duke qenë se ishin në rrezik për jetën janë transportuar me autoambulancë për në Tiranë, ndërsa unë i kam shoqëruar me njerëzit e mi me makina të tjera. Unë nuk e di nëse ata përveç thikave kanë pasur dhe armë dhe në përleshje dhe sipër mund të jenë vetëplagosur pasi ngjarja ka ndodhur në errësirë. Mund të deklaroj me përgjegjësi të plotë që arma ime nuk ka qëlluar askënd në ambientet e komisariatit”, – theksoi ai. Më tej, Prenga pohoi se armën e ka përdorur për të shtënë në ajër një herë duke iu kundërpërgjigjur sipas tij agresionit të Gjokë Calit. “U gjeta me datë 4 shtator 2015 rreth orës 23:00 të mbrëmjes në shoqërinë e shtetasve Gjon Preni, Luigj Skura dhe Gazmir Jushi pasi kishin parë ndeshjen kombëtare Danimarkë: Shqipëri. Dhe rrugës në kthim, kur makina sapo kishte përshkuar pak km, me një shpëjtësi marramendëse më pret rrugën tërthorazi një automjet “Mercedes-Benz C-Class”. Nga kjo makinë ka dalë në mënyrë të rrufeshme duke u afruar në krahun tim, një person me një thikë të madhe në dorë duke më kërcënuar për jetën dhe integritetin fizik dhe njëherazi duke kërkuar të hapë xhamin e derës duke fyer dhe sharë apo dalë nga makina. Në këtë moment unë kam njohur se ky person ishte Gjokë Cali dhe duke qenë para një rreziku eventual për jetën dhe integritetin tim, shoqëruar me një sulm të menjëhershëm nga shtetasi Gjokë Cali kam nxjerrë menjëherë pistoletën që disponoj me leje të organeve kompetente dhe kam neutralizuar sulmin duke qëlluar njëherë në ajër. Në këtë moment personi në fjalë ka ikur me vrap dhe ka hedhur thikën”.

 

Rama: T’i heqim urgjentisht imunitetin deputetit që ka punë me drejtësinë

 

Pasi Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi autorizim Kuvendit për arrestimin e deputetit Armando Prenga të përfshirë në përleshjen e armatosur në Kurbin reagoi edhe Kryeministri Rama. Ky i fundit theksoi se i duhet hequr menjëherë deputetit që vjen nga radhët e partisë që vetë Rama drejton për t’i lënë rrugë të lirë sipas kryeministrit drejtësisë. “Përshëndes prokurorinë, tani te heqim urgjent imunitetin e deputetit qe ka pune me drejtësinë! ‪Tolerancë zero për këdo qoftë që shkel ligjin”, – shkruante kreu i qeverisë në rrjetet sociale.

 

Ruçi paralajmëron përjashtimin e Prengës nga grupi i PS-së

 

Partia Socialiste pritet të vendosë përjashtimin e deputetit Armando Prenga nga grupi parlamentar pas ngjarjes së ndodhur në Laç. Ky fakt u konfirmua nga kreu i grupit socialist Gramos Ruçi, i cili në një prononcim për “A1 Report” sqaroi se kjo çështje do të shqyrtohen mëngjesin e ditës së sotme në mbledhjen e grupit kuvendor. Mundësia e përjashtimit të Prengës nga grupi parlamentar u bë e ditur paraprakisht edhe nga Partia Socialiste përmes deputetes Olta Xhaçka e cila në deklaratën zyrtare kur reagoi për ngjarjen theksoi: “Prenga nuk ka më moralin të jetë pjesë e PS-së”.

 

Kundërshtari i Ramës

Pas largimit të Prengës, Eduard Ndocaj merr mandatin e deputetit në PS

 

Me shumë mundësi PS do të përjashtojë Armando Prengën nga grupi, po edhe nëse kjo nuk ndodh, shanset që ai të dënohet me vendim të formës së prerë për ngjarjen në Laç janë të shumta. Në këto kushte, PS do të përfaqësohet me një tjetër deputet nga lista e ligjvënësve në qarkun e Lezhës nga zgjedhjet e 2013-ës. Pasuesi në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për deputetë në qarkun e Lezhës është Eduard Ndocaj. Ky i fundit njihet si një kritik i Kryeministrit Rama dhe qeverisë, ku vetëm pak kohë më parë shprehu indinjatën e tij për mosrespektin e PS-së ndaj tij. “Kontribuova nga ekonomia ime me shpresën se do të vinin ditë më të mira për shqiptarët në përgjithësi dhe për popullin e Lezhës në veçanti, por nuk ndodhi kështu; në këmbim mora pabesinë e Partisë Socialiste, ashtu si shumë shqiptarë”, – ka pohuar Ndocaj. Por nëse do t’i referohemi detyrimit ligjor që të paktën 30% e listës duhet t’i përkasë gjinisë me pak përfaqësues (gra), mandati i takon Mirela Nelit (Syku), e cila u dorëhoq kohë më parë duke i lënë vendit në listë Arben Ndokës. Në rast se ajo do të japë sërish dorëheqjen, atëherë mandati do t’i shkojë Eduard Ndocajt, i cili është i pari në listë për këtë qark.

 

 

 

Pranohet kërkesa e Prokurorisë

 

Këshilli i Mandateve autorizon arrestimin e Prengës. PD, Strazimiri: Shteti i krimit duhet rrëzuar

 

Prenga: Të ishte për të qëlluar mbi Calët, vrisja Gjokën kur më nxori bajonetën

 

Gëzim Saliu

 

 

Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve vendosi dje të pranonte kërkesën e Prokurorisë për hetimin e deputetit Prenga në gjendjen e arrestit. Në mbledhjen e zhvilluar në darkë në Kryesinë e Kuvendit, me votë të plotë, si të anëtarëve të PD-së, ashtu edhe atyre të PS-së, Këshilli vendosi që t’i thoshte “po” kërkesës së organit të akuzës ku, sipas kësaj të fundit, deputeti socialist ka konsumuar veprat penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Kanosje”. Nga ana e tij, Prenga në seancë theksoi se e gjithë ngjarja është një sajesë nga ata që i cilësoi si komisionerë të Partisë Demokratike. “Ky është thjesht një sajim dhe trillim nga komisionerë të PD-së që e kishin Lagunën për 10 vjet dhe shkoni dhe pyesni atje çfarë opinioni kanë në publik. I ka ndodhur vetëm Armando Prengës kjo ngjarje apo u ka ndodhur edhe të tjerëve. Në rast se unë kam bërë një gabim, kam shkelur ligjin do përballëm para ligjit. Por jam i vetëdijshëm për atë që kam bërë dhe bëj. Në rast se do kisha bërë një gjest të tillë, do ta kisha shkruar vetë dorëheqjen nga mandati dhe nuk kishte nevojë të mblidhej as Byroja, as Kuvendi për mua”, – tha ai. Më tej deputeti theksoi se kjo çështje është vetëm një vorbull për të dhe familjen e tij, pasi, theksoi ai, nëse do të donte të vriste një nga familja Cali, do ta bënte me pistoletën që kishte. “Besoj që drejtësia do të flasë dhe nxjerrë të vërtetën, do jem i durueshëm, do pres vendimin e drejtësisë. Po të ishte për të qëlluar mbi Calët, e kisha vrarë Gjokë Calin aty, se e kishte bajonetën kaq për të më therur mua, sikur theri vëllain tim atje vëllai i tij. Kjo ishte ngjarja, trillime të tjera bëjmë gabim. Mos t’i përpunojmë për çështje politike”, – deklaroi ai. Më tej në deklaratën e tij, deputeti socialist nuk ngurroi të ironizonte anëtarët e Këshillit, duke theksuar: “Nëse do të isha një ndër viktimat, mos të them si Fatmir Xhindi, ndoshta ju do të më bënit hero kombëtar. Por sot dal si një i akuzuar me pa të drejtë, unë kam shkuar me vonesë te komisariati dhe nuk kam qenë pjesë e konfliktit fare”.

 

Mbledhja

Në mbledhjen e Këshillit, e cila nisi me thuajse 45 minuta vonesë, anëtarët e tij deputetët e mazhorancës Dokle dhe Hysi dhe ata të opozitës Islami, Strazimiri dhe Dashamir Tahiri, vendosën të pranonin kërkesën e Prokurorisë. Ndërkaq, më parë avokati i deputetit Prenga theksoi se asnjë nga policët në vendngjarje nuk ka pohuar se ka qëlluar Prenga. Sipas Baftjar Rusit, relacioni i Prokurorisë është tërësisht të pabazuar dhe në shkelje ekstreme të Kushtetutës. “Pse nuk doli një polic apo një punonjës tjetër i grupit të gatshëm të thotë që aty ka gjuajtur deputeti me pistoletë, ose kallash. Si është e mundur që ky kishte një pistoletë me leje dhe aty është gjuajtur me një pistoletë tjetër? Po të kishte pasur qëllim të shkonte të përleshej do të shkonte me armën me leje, po kush shkon të përleshet në oborrin e komisariatit? Dhe si shkoi ky person për të bërë denoncimin për goditjen nga zoti. Prenga dhe nga ana tjetër shoqërohet nga Nikolë Cali, me armë të ftohtë, me thikë futet në oborr të komisariatit?”, – tha ai. Po ashtu ai pati një këshillë dhe për anëtarët e Këshillit të Mandateve: “Nëse do të bëjmë një precedent të tillë, nesër, pasnesër, pushteti arbitrar dhe një hetim i padrejtë mund të bëjë viktimë dhe terror çdo lloj deputeti më të lartë të shtetit nga mazhoranca dhe opozita”. Në mbyllje të mbledhjes, në emër të deputetëve të opozitës, ligjvënësi Gent Strazimiri theksoi se kjo ngjarje vërtetoi edhe një herë akuzat e opozitës për deputetë të inkriminuar nga mazhoranca. Sipas tij, shteti i kriminalizuar duhet rrëzuar. “Kemi dy vjet që themi se ky vend drejtohet nga një bandë, Rama-Meta. Nuk pati sot asgjë të re është e njëjta skemë me të njëjtin regjisor dhe producent, Rama-Metën. Nëse do bëni retrospektivë, do shihni se një e nga një po mbushet lista e opozitës. Po na mbyt krimi. Nuk ka nevojë të gjejmë kuaza të tjera, nuk mund të kemi frikë nga shteti i kriminelëve, shteti i kriminelëve është vetëm për t’u rrëzuar”, – pohoi Strazimiri.

 

 

Berisha: Sot de facto i hiqet imuniteti Ramës, revolucion demokratik që të thërrmojmë murin e krimit

 

Ish-kryeministri Berisha reagoi sërish dje lidhur me ngjarjen e ndodhur në Laç si edhe me mbledhjen e Komisionit të Imunitetit për t’i hequr mandatin deputetit socialist Armando Prenga. Për Berishën në të vërtetë ky vendim prek drejtpërsëdrejti kreun e qeverisë, Rama, pasi, sipas tij, deputeti erdhi në Parlament me dëshirën e plotë të kreut të partisë dhe i kreu të gjitha veprimet e tij në tërë këto kohë i mbrojtur nga pushteti. “Komisioni i Imunitetit dhe Mandateve me kërkesë të Prokurorisë së Shtetit, i heq imunitetin de jure deputetit vrasës të Partisë Siçiliste shqiptare, Armando Prengës, por de facto sot, ky Komision, i heq para shqiptarëve dhe botës imunitetin kreut të meduzes së krimit te organizuar, kreut të “qelbësirave”, i cili ka qenë menaxher i akteve kriminale të Prengës dhe e shpërbleu vrasësin duke ju hequr licencën peshkatareve të Patokut dhe duke shpërblyer me të Prengen e tij për veprat kriminale qe Rama e porosiste. Ndaj, sot mbare shqiptaret, ne fytyren e vrasesit Prenga shohin fytyren e vertete te Edi Rames!”, – shkruante Berisha. Më tej ish-kryeministri tha se sot i hiqet imuniteti Kryeministrit që me lidhjet e tij kriminale mbushi Parlamentin dhe administratën publike. “Sot hiqet imuniteti kreut te meduzes te krimit te organizuar Edi Rama, sepse me lidhjet e tij, me bandat dhe krimin ne dy vjet qeverisje nxorri Shqiperine ne vendin e pare per krimin ne rajon dhe ne Europe. Sot ne syte e shqiptareve del pra lakuriq para tyre, morali dhe fytyra e kryebosit te krimit, qe me lidhjet e tij kriminale po vret ne kete vend çdo sekonde, minute, ore dhe dite shpresen e shqiptareve per te jetuar dhe ndertuar te ardhmen ne kete vend dhe, si Asadi i Sirise i degdis ata ne vende te tjera. Kjo dite dhe çdo dite, eshte nje thirrje per çdo shqiptar pavaresisht nga bindjet e tij te ngrihemi dhe me nje revolucion demokratik te thermojme murin e krimit dhe korrupsionit te Edi Rames dhe suites se qelbesirave te tij, qe po shkaterrojne jeten, sigurine dhe te ardhmen tonë”, – theksoi Berisha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here