Josa është shprehur se ekipi ka akoma punë për të bërë dhe se është i lumtur me afrimin e Salihit
Tifozët e Partizanit do të mobilizohen për të mbështetur skuadrën e tyre, në mënyrë që të kenë edhe një shtysë më shumë për të përmbysur rezultatin
Ekipet shqiptare janë të mobilizuara në kulm. Kjo, pasi kupat evropiane janë përpara dhe u duhet që të jenë sa më të përqendruara për të ecur në këto kupa. Skënderbeu është rikthyer në Shqipëri për të vijuar përgatitjet për sfidën e parë të raundit të dytë të Ligës së Kampioneve. Kampionët e vendit kanë zbarkuar në aeroportin “Nënë Tereza” për t’u nisur më pas drejt Korçës, ku do të vijojnë përgatitjet për prezantimin në kompeticionin evropian. Skuadra ka zbarkuar e veshur me uniformën zyrtare, teksa për kamerën e “Sport News” ka folur trajneri Mirel Josa, i cili ka bërë një analizë të ecurisë së ekipit në këtë fazë përgatitore. Si gjithnjë, Josa shfaqet edhe këtë herë me kritika për grupin, duke ulur entuziazmin që mund të ketë kapluar kampionët e vendit. “Faza përgatitore na tregoi se kemi ende punë për të bërë. Ekipi nuk më ka kënaqur plotësisht dhe kjo periudhë në Korçë do të na shërbejë për të përmirësuar grupin”. Afrimi i fundit i kampionëve, Hamdi Salihi, nuk ka udhëtuar me ekipin, kjo për shkak se kërkon të tërheqë dokumentacionin për të qenë i gatshëm për sfidën e parë me Skënderbeun. Josa e vlerëson shumë këtë afrim dhe përqendrohet tek dy sfidat e Championsit, duke shmangur dhënien e mendimit për kampionatin e ri. “Salihi është një afrim cilësor që do t’i shërbejë shumë skuadrës. Ne jemi të përqendruar për sfidat e Champions League. Më vonë do të përqendrohemi tek kampionati”. Skënderbeu do të zbresë në fushë të mërkurën pasdite për të vijuar përgatitjet përpara publikut, ku kërkon të marrë dozat e duhura të karikimit, por edhe të ambientohet me klimën.
Tifozët e kuq, përkrahje masive ndaj nordikëve
Partizani po përgatit sfidën e kthimit ndaj Stromsgodsetit njësoj sikur të ishte një sfidë derbi ndaj rivalëve të Tiranës. Impenjimit të skuadrës i shtohet ai i drejtuesve të klubit, por edhe i tifozëve, të cilët kanë premtuar përkrahje masive në përballjen e së enjtes, ku synimi është fitorja dhe përmbysja e rezultatit. Nga drejtuesit është menduar që sfida e kthimit ndaj norvegjezëve të zhvillohet në orën 20:00 dhe ky orar pritet të jetë një bonus për tifozerinë, e cila parashikohet të jetë e shumtë në shkallët e “Qemal Stafës”. Ora e përzgjedhur për zhvillimin e ndeshjes sigurisht që është një sinjal pozitiv, duke parë temperaturat e larta që kanë pushtuar vendin tonë. Perëndimi i ditës së enjte i jep mundësinë tifozerisë së kuqe të jetë më e shumtë, pasi sfida praktikisht do të zhvillohet nën dritat e projektorëve. Një tjetër lehtësi për tifozët janë çmimet e biletave, që janë pak a shumë të njëjta me ato të cilat vendosen për ndeshjet derbi. Për tribunat D1, D2 dhe D3 është vendosur një çmim simbolik teksa është menduar që për tifozet femra hyrja të jetë falas. Të gjitha këto kanë bërë që kërkesat për një biletë të jenë të mëdha dhe dalja e biletave që ditën e hënë në treg është tregues për një interesim të jashtëzakonshëm që kanë tifozët e Partizanit, për të parë skuadrën e zemrës që rikthehet të luajë në “Qemal Stafa” për një sfidë evropiane pas 7 vitesh mungesë. Dhe për ta shijuar, tifozët dëshirojnë të jenë aty, në radhë të parë dhe në mbështetje të skuadrës. Spektakli në tribunë është i garantuar, ekipi duhet të bëjë pjesën e vet, në një stadium që deri më tani ka shitur gjysmat e biletave.
Jovetiç pranë marrëveshjes me Interin
Interi thuhet se ka arritur marrëveshje me Mançester Sitin për transferimin e Stevan Jovetiçit, bëjnë të ditur mediat italiane. 25-vjeçari nuk ka arritur të tregojë veten te klubi anglez në dy sezonet e kaluara, pas transferimit nga Fiorentina. Ai ka pësuar edhe disa lëndime dhe në sezonin e fundit pati vetëm nëntë ndeshje si startues. Interi ka siguruar shërbimet e lojtarit në formë huazimi për një vit, ndërsa do të paguajë 15 milionë euro verën e ardhshme për të siguruar një transferim të përhershëm.
Pedro bën gati valixhet, Interi dhe Liverpuli në garë
Pedro Rodrigez ka nxitur spekulime se mund të largohet nga Barcelona, kështu që i ka vënë në alarm klubet e interesuara për të. Lojtari sulmues nuk ka hapësira në “Camp Nou” dhe minutazhi i tij do të zvogëlohet akoma më shumë pas transferimit të Arda Turanit. Favorit për nënshkrimin e spanjollit është Liverpuli, mirëpo edhe Interi kërkon shërbimet e tij. Çmimi që kërkojnë “blaugranët” për Pedron është 20 milionë euro. Në edicionin e kaluar, ai shënoi 11 gola dhe dhuroi nëntë asiste në 50 ndeshje me katalanasit që fituan tripletën.
Porto ofron 10 milionë euro për Kasijasin
Duket se aventurës shumëvjeçare të Iker Kasijasit te Reali i Madridit i ka ardhur fundi, pasi raportohet se Porto ka bërë një ofertë të mirë si për lojtarin, ashtu dhe për klubin spanjoll. Sipas “Metro”, klubi portugez i ka ofruar Realit të Madridit 10 milionë euro për shërbimet e Iker Kasijasit. Kurse Kasijasit i ka ofruar 5 milionë euro në sezon dhe një kontratë dyvjeçare, por me opsion për ta vazhduar edhe për një vit. Besohet se edhe Real Madridi është i gatshëm ta lejë të lirë portierin spanjoll, por duke ditur se Kasijas ka edhe dy vite kontratë, Porto dhe Reali ende nuk kanë arritur marrëveshje për shumën e lirimit të tij.
Perisiç dëshiron Interin
Agjenti i mesfushorit të Volfsburgut, Ivan Perisiç, ka bërë të ditur se klienti i tij dëshiron transferimin te Interi. Pasi Mohamed Salah u bë një objektiv problematik, Interi është shumë afër të nënshkruajë me mesfushorin e Volfsburgut, Ivan Perisiç. “Interi është një destinacion i mirëpritur për Ivanin. Shpresoj që ky transferim të mbyllet sa më shpejt, pasi unë personalisht dua që ta shikoj atë duke luajtur për Interin”, – ka thënë fillimisht agjenti Tonci Martiç. “Tani negociatat janë duke u zhvilluar vetëm në mes Interit dhe Volfsburgut”, – shtoi ai. Gjetja e një gjuhe të përbashkët me klubin gjerman nuk do të jetë e lehtë për Interin, pasi Volfsburgu nuk është i gatshëm të largojë mesfushorin kroat.
Juventusi nënshkruan me Zazan
Skuadra e Juventusit e ka blerë edhe zyrtarisht Simone Zazan nga Sasuoloja për një shumë rreth 18 milionë euro. Mediat italiane patën raportuar tani e një kohë të gjatë se Zaza është në radarin e kampionit të Italisë, ndërsa dje është zyrtarizuar transferimi i tij nga të dyja klubet. Juventusi e ka konfirmuar lajmin përmes një komunikate, ku kanë raportuar se do t’i paguajnë 18 milionë të shpërndara në tri vite për sulmuesin italian. 24-vjeçari ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me “Zonjën e Vjetër”.
Bajerni ofron Robenin dhe Mylerin për Di Marian
Mediat angleze raportojnë se Bajerni i Mynihut është duke përgatitur një ofertë sensacionale për mesfushorin e Mançester Junajtidit, Angel di Marian. Sipas raportimeve të mediave gjermane, superylli argjentinas është objektivi kryesor i Bajernit në këtë afat kalimtar dhe skuadra bavareze është e gatshme që të bëjë të pamundurën për ta sjellë atë në “Allianz Arena”. Në anën tjetër, “Daily Mail” raporton se bavarezët janë të gatshëm t’i sakrifikojnë dy yjet Tomas Myler dhe Arjen Roben, për ta bindur Junajtidin që ta shesë Di Marian. Ky transferim pritet të kushtojë më shumë se ai i Kristiano Ronaldos, kur u transferua për 94 milionë euro te Reali i Madridit.