KZLNDQ: 60 % e qendrave të votimi u hapën në kohë

0
16

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qendrueshme (Koalicioni) prezantoi gjetjet e vëzhgimit të procedurave të hapjes së qendrave të votimit, që pasqyrojnë situatën në të gjitha Qendrat e Votimit në mbarë vendin.

KZLNDQ ka shpërndarë 1000 vëzhgues të palëvizshëm e të paanshëm sipas një kampioni të rastësishëm dhe përfaqësues në të gjithë Shqipërinë si dhe në bashkitë e Tiranës, Shkodrës, Durrësit dhe Himarës. Kjo metodologji i mundëson Koalicionit ekstrapolimin e gjetjeve të vëzhgimit për të gjithë vendin në përgjithësi si dhe më vete për katër bashkitë e përmendura. Të dhënat cilësore të KZLNQD-së kanë nivel besueshmërie prej 95 %, me marzh gabimi prej +/- 4 % në rang kombëtar.

“Bazuar në informacionin e marrë nga vëzhguesit jopartiake, hapja e Qendrave të Votimit në nivel kombëtar në përgjithësi u krye në mënyrë të rregullt me perjashtim të disa vonesave dhe problemeve procedurale” – tha Mirela Arqimandriti, Drejtuesja e Projektit të Zgjedhjeve të KZLNDQ.

“Sipas të dhënave të KZLNDQ, pak mbi 60 % e Qendrave të Votimit në të gjithë vendin u hapën në kohë. Megjithatë, u duk se anëtarët e komisioneve nuk po duronin të nisnin procesin dhe në rreth një të katërtën e vendit Qendrat e Votimit u hapën përpara orës 7.00. 15 % e Qendrave të Votimit në të gjithë vendin u hapën me vonesë” – tha Mirela Arqimandriti,

Koalicioni gjithashtu shprehu shqetësim për rreth 10 % të Qendrave të Votimit në Shqipëri ku jo të gjithë anëtarët e Komisioneve të QV-ve ishin prezentë për hapjen e procesit.

KZLNDQ deklaroi se procedurat e votimit u respektuan gjerësisht në Qendrat e Votimit në mbarë vendin. Nga të gjitha shkeljet e shënuara deri më tani, më shqetësuesja ishte mosshpërndarja e kopjeve të procesverbaleve të vulave të sigurisë për vëzhguesit partiakë në 17 % të Qendrave të Votimit. Kjo gjë pengon mundësinë e vëzhguesve partiakë të verifikojnë vulat e sigurisë më vonë, gjatë proceseve të numërimit dhe ankimimit.          

Znj. Arqimandriti theksoi se të drejtat e vëzhguesve u respektuan gjerësisht dhe se në 99 % të rasteve, vëzhguesit e KZLNDQ-së mundën të vëzhgojnë procesin zgjedhor pa u penguar. Vëzhguesi i KZLNDQ në QV nr. 19781 në Tiranë ka raportuar se ka hasur vështirësi në marrjen e të dhënave të duhura nga komisioni. KZLNDQ iu bëri thirrje administruesve të zgjedhjeve të inkurajojnë anëtarët e komisioneve që t’u japin vëzhguesve akses në ushtrim të plotë të të drejtave të tyre si vëzhgues.

Vëzhguesit e Koalicionit deri tani nuk kanë vërejtur ndonjë shkelje të rëndë e cila do mund të ndikonte tek rezultatet e zgjedhjeve. Grupi i punës i KZLNDQ-së është në këtë moment duke verifikuar katër raste të pretenduara parregullsish, dhe do të njoftojë publikun në kohën e duhur për to” – tha znj. Arqimandriti.

Koalicioni theksoi përfaqësimin e ulët të grave në komisionet e qendrave të votimit. “Në 36 % të Qendrave të Votimit në mbarë vendin, nuk ka anëtare femra në Komisionin e Qendrës së Votimit, dhe në vetëm 15.2 % të Qendrave të Votimit ka një grua për kryetare të komisionit” – shtoi znj. Arqimandriti.

Fatkeqësisht, 55% e qendrave të votimit në mbarë vendin, u vlerësuan nga vëzhguesit e Koalicionit  si të paaksesueshme nga votuesit me aftësi të kufizuar. Si rezultat, shumë votues me aftësi të kufizuar nuk do të jenë në gjendje që të votojnë në mënyrë të pavarur dhe të fshehtëKoalicioni gjithashtu vërejti se në 55 % të qendrave të votimit në mbarë vendin, nuk do jetë e mundur që votuesit e verbër të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të pavarur si dhe në fshehtësi, me anë të përdorimit të fletëve të votimit braile, të cilat përdoren për herë të parë në këto zgjedhje.

Koalicioni do të raportojë rreth pjesëmarrjes dhe zhvillimeve të procesit zgjedhor për pjesën e parë të Ditës së Zgjedhjeve në orën 17:00 tek Hotel Rogner. KZLNQD nuk do të ofrojë vlerësim të të gjithë procesit zgjedhor përpara përfundimit të të gjithë procesit, por do të vendosë informacion rreth zhvillimeve në vazhdimësi në faqen e internetit dhe do të bëjë një raportim paraprak me fokus Ditën e Zgjedhjeve ditën e hënë, ora 9:30.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here