Sot mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal. 3 milionë e 370 mijë e 206 shqiptarë kanë të drejtën për t’u shprehur me votë, duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit, deri në orën 19:00 të mbrëmjes.
Risi e këtyre zgjedhjeve janë gjithashtu një numër jo i vogël i kandidatëve të pavarur, 36 të tillë. Numrin më të lartë të kandidatëve në këto zgjedhje e ka Tirana me 6 të tillë, paradoksalisht edhe Memaliaj, me po këtë numër kandidatësh në garë.
Risi janë gjithashtu kandidatet femra. 16 të tilla mbështeten nga partitë e mëdha, për karrigen e kryetarit të bashkisë. Spikat Shkodra, me të dyja kandidatet në garë femra.
Risi e kësaj gare zgjedhore gjithashtu janë numri i barabartë i meshkujve dhe femrave që do të ulen në karriget e këshilltarëve bashkiakë.
6699 janë forcat policore të vendosura në gatishmëri për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor.
3 mijë vëzhgues do monitorojnë zgjedhjet. Numrin më të lartë të vëzhguesve ndërkombëtarë, e ka ODIHR me 274 vëzhgues, misioni që do të hartojë edhe raportin përfundimtar për standardet e këtyre zgjedhjeve.