Gëzim Saliu
Kryeministri, kreut të PD-së: Thirrjet për komisionerët që të mos lejojnë votuesit nuk kanë lidhje me Kushtetutën
Para nisjes së heshtjes zgjedhore dhe nisjes së garës elektorale të ditës së nesërme, krerët e koalicionit të majtë, Edi Rama dhe Ilir Meta, njësoj si 2 vjet më parë, vendosën të dalin në një konferencë të përbashkët, duke i dhënë rëndësi parësore standardit të zgjedhjeve. Pavarësisht se e pranuan ekzistencën e votuesve fiktivë, krerët e koalicionit të majtë i cilësuan si të padrejta denoncimet e opozitës për tentativa të mazhorancës për blerjen e votës. “Për sa i përket blerjes së votave, kemi vetëm një konstatim konkret, me dëshmitarë konkretë, të cilët janë pjesë e një hetimi konkret. Bëhet fjalë për përpjekjen për të blerë vota nga ana e kryetarit të Bashkisë së Vorës. Nuk kemi asnjë rast tjetër. Historitë me zëra, me video ku nuk duket se kush i thotë çfarë dikujt, duken si të bëra në kinostudion e SHQUP-it. Më vjen shumë keq ta them këtë, po duken tamam sikur janë nga kinostudioja e SHQUP-it. Mund të kenë bazë, mund të mos kenë bazë, por është e kotë që t’i hyjmë këtyre bisedave”, – deklaroi Rama.
Qëndrimet
Ndërkaq, në konferencën krah aleatit kryesor në qeveri, Rama iu përgjigj edhe deklaratës së kryedemokratit Basha, i cili pohoi dy ditë më parë se komisionerët e opozitës nuk do të lejojnë votimin e votuesve fiktivë. “Thirrja për komisionerët që të lejojnë disa votues dhe të mos lejojnë të tjerët është një thirrje që nuk ka asnjë përputhje me Kushtetutën, me ligjin dhe me liritë e të drejtat e qytetarëve. Nuk janë komisionerët ata të cilët përcaktojnë se kush voton dhe kush nuk voton, por janë listat e zgjedhësve. Unë jam i bindur që nuk ka komisioner që të shkelë ligjin dhe të përfundojë përpara Gjykatës për veprën penale të ndalimit të qytetarit për të votuar”, – tha ai. Nga ana tjetër Kryeministri i njohu dy pretendime si të vërteta opozitës, atë për shpërndarjen e lejeve të legalizimit për fushatë nga mazhoranca si edhe për rastin e “Ersekës”. “Pretendimi që në konsideratën time ka qenë i drejtë dhe unë e kam konsideruar të gabuar dhe kemi marrë masa menjëherë, ka qenë përfshirja në dy apo tri raste e kandidatëve në dhënien e lejeve të legalizimit, ka qenë pretendim i drejtë. Po ashtu për pretendimin që kanë qenë të lidhura me akte realisht të patolerueshme si incidenti në Ersekë, ku një person ka hedhur karrigen në drejtim të turmës së kryetarit të PD-së janë raste që janë ndjekur me rigorozitetin maksimal nga policia”. Ndërkohë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, pasi bëri thirrje që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit, tha se nuk do të mbeste i mërzitur edhe sikur PD t’i fitonte të gjitha bashkitë. “Nuk jemi këtu për të bërë orakullin e zgjedhjeve dhe të rezultatit të tyre. Jemi këtu për të shprehur vendosmërinë tonë për t’u shërbyer standardeve më të larta në këto zgjedhje dhe mund t’ju them se nuk do të mërzitesha fare sikur opozita t’i fitonte të 61 bashkitë. Rëndësi për ne ka standardi”, – tha ai.
Rama: Me Dakon Durrësi në drejtimin e duhur, qyteti u harrua nga PD
Aleanca për Shqipërinë Evropiane zhvilloi pasditen e djeshme takimin përmbyllës të fushatës elektorale në qytetin e Durrësit, ku akuzoi qeverinë e kaluar se e la në harresë këtë qytet. “Dy vjet më parë ky shesh ishte fytyra e rrënimit, plot pluhur dhe e harresës prej një qeverie, e cila i braktisi qytetet. Ndërsa tek ato shkallë ku sot, Vangjushi kishte filluar të niste me kursimet e buxhetit të mjeruar të Bashkisë restaurimin e këtij sheshi. Saliu donte ta mbante qytetin të rrethuar. Të rrethuar ishin të gjithë pa përjashtim, edhe banorët e zonës së Durrësit të ri, siç e quajmë ne, ose Kënetës siç e quan PD edhe sot e gjithë ditën. Një pushtet që nuk urrente Durrësin por trupin e qytetit dhe çdo formë urbanizimi që mund ti jepte qytetit. Një pushtet sakat në zemër, dhe bosh në kokë, që ikte dhe vinte nëpër botë nga Aeroporti i Rinasit dhe nuk i bënte përshtypje rruga e hyrjes në Shqipëri e mbushur me ferra”, – u shpreh Rama. Ndërkaq kryeministri theksoi se me punë do të kthehet në drejtimin e duhur të gjitha bashkitë e reja në vend, pas ndarjes së re territoriale. “Plagët e tyre janë ende kudo, para syve tanë. Do duhet kohë, mund e sakrifica, për t’i çuar bashkitë tona të reja në drejtimin e duhur”, – tha Rama. Ndërkohë ministri Blendi Klosi, deputet i Durrësit shprehu mbështetjen për kandidatin Vangjush Dako duke pohuar se ai ka programe konkrete për këtë qytet. “Fitorja jonë do të jetë madhështore. Nëse fitorja jonë do jetë si ajo e katër viteve më parë ne do kërkojmë rizgjedhjen e Vangjushit”, – tha Klosi.
Goro: Votë për drejtimin e duhur për Himarën e re
Kandidati i së majtës për Bashkinë e Himarës, Gjergji Goro, mbylli dje fushatën përmes disa mesazheve ndaj qytetarëve të kësaj njësie, ku theksoi rëndësinë e vazhdimit të rrugës në drejtimin e duhur. Pasi prezantoi të gjitha projektet përmes një spoti të rrjetin social FB, Goro shprehu mirënjohjen për të gjithë mbështetjen e treguar nga qytetarët himarjotë në takimet e zhvilluar në këtë 1 muaj fushatë zgjedhore. “Mes njerëzve gjeta gjithçka që unë mund të bëj. Mes njerëzve kuptova çka ne bashkë do të bëjmë, së bashku. Një rrugë e gjatë është përpara nesh. Rruga e Himarës së re. Gjithmonë në drejtimin e duhur, për Himarë e re evropiane”. Po ashtu ai bëri publike disa nga punët kryesore të bëra në këto katër vite të drejtimit të tij të bashkisë, ku theksoi se mandati i ri që do t’i votëbesohet nga qytetarët do të jetë ai i shndërrimit të Himarës në qytet evropian.
Mbyll fushatën, Çaçi: Fitojmë betejën me ushtrinë e madhe të të papunëve
Kandidati i PSD-së për kryetarë bashkie në Fier, Albert Çaçi, mbylli dje fushatën përmes mitingut ku morën pjesë edhe kreu i kësaj force Skënder Gjinushi dhe ish-deputeti Dritan Prifti. “Unë kam besim se do ta fitojmë këtë betejë për ushtrinë e madhe të të papunëve që nuk kanë bukë të ushqejnë fëmijët e tyre. 50% e rinisë fierake janë pa punë, pavarësisht se kanë mbaruar studimet. Do ta fitojmë këtë betejë për ata qytetar fierak që hanë bukë me listë, nga dashamirësia e dyqanxhinjve të vegjël të lagjeve të Fierit, dhe fshatrave të Fierit. Ata nuk gënjehen me fjalë boshe, sepse barku nuk mbushet me fjalë boshe”, – tha ndër të tjera kandidati për bashkinë”, – tha Çaçi, i cili premtoi investime në infrastrukturë, kryesisht në rrugët që lidhin fshatrat me qytetin si pjesë e bashkisë së re pas ndarjes së re territoriale. Ndërkaq, kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, e cilësoi Çaçin si kryekandidatin e kësaj partie në këto zgjedhje dhe u shpreh i sigurt tek fitorja e 21 qershorit. “S’ka të majtë në Fier që të mos jetë i sigurt se dera e bashkisë do të jetë e hapur për të me Bert Çaçin kryebashkiak”, – tha Gjinushi. Ai theksoi se Çaçi meriton edhe votën e të djathtëve pasi pjesa e ndershme e tyre mbi të gjitha vlerësojnë individin pastaj ngjyrën e partisë.