Letërsia shqipe në greqisht në ’30-’40-ën

0
164

Romeo Çollaku

Romeo ÇollakuNë numrin 34, të revistës letrare Poeteka, verë 2015, poeti Romeo Çollaku në një vështrim kritik mbi letërsinë shqiptare në greqisht gjatë viteve ’30-’40. Më poshtë, marrë nga rrjeti social i kësaj reviste, fragmente ku flitet për jetën letrare të atyre viteve, mes të tjerash për revistat letrare, të përkohshmet kulturore dhe për disa “virtyte” që i trashëgojmë më së miri edhe sot – paragrafi 3). Po në këtë numër të verës prezantohen ese nga Agim Baçit, Gëzim Qendros,poezi të Lindita Ahmetit, Natasha Lakos,si dhe krijimtari të autorit Marko Pogačar nga revolucioni permanent i gjuhës së poezisë së dashurisë. Trockistëve të lodhur.

***

Në periodikët letrarë të Athinës së viteve 1930-1940 nuk mungon informacioni mbi zhvillimet letrare të kohës në gjuhën tonë. Mjaft interes paraqet shembulli i Vatrës së Re (Nea Hestia), ndër revistat më të rëndësishme letrare në Greqi dhe më jetëgjata ndër to, tek vazhdon të dalë dhe sot.

…«Pas themelimit të shtetit të pavarur, Shqipëria iu përvesh me vrull promovimit dhe zhvillimit të kulturës kombëtare, sikurse ndodhi me gjithë vendet që dolën prej luftës botërore; rinia filloi të studiojë në universitete vendas apo të huaj […]…

…”Ajo çka duhet qortuar është mungesa e frymës së bashkëpunimit mes njerëzve shpirtërorë, të cilët, deri më sot, nuk kanë arritur – dhe as që janë përpjekur – të bashkohen, të përbëjnë një trup, të vendosin a të kërkojnë diçka. Megjithatë, shteti, edhe pa ia kërkuar, kujdeset për ta; shumica janë arsimtarë, kurse të tjerët nëpunës ministrish. Studimi i folklorit të pasur shqiptar është lënë tërësisht pas dore. I vetmi që merret me të, është Ilo Mitko Qafëzezi, punës së të cilit nuk i jep kush rëndësi. Një nismë e bukur – por që mbeti përpjekje – u ndërmor nga Lumo Skëndoja, për krijimin e një shoqërie letrare – njëfarë Akademie – që do të mbështeste letrat dhe zhvillimet kulturore”…

…“Hylli i Dritës” është një e përmuajshme e vëllimshme, që botohet nën kujdesin e klerit katolik, megjithatë ka lëndë të pasur filozofike e poetike. Në faqet e saj botohen përkthime nga Homeri, nga Virgjili, diskutohen çështje të ndryshme, ndiqet me seriozitet lëvizja kulturore europiane. Një tjetër e përmuajshme dinjitoze, “Leka”, është e pavarur nga pikëpamja fetare, por lëndën nuk e ka më të pasur se e para. Një e tretë, “Cirka”, duket më popullore, por nuk i mungojnë bashkëpunëtorët seriozë. Edhe në Korçë nuk mbeten mbrapa. Prej vitesh qarkullon e përditshmja “Gazeta e Korçës”, që është e hapur për çështjet kulturore. Një revistë serioze letraro-shoqërore, “Bota e Re”, meriton çdo lëvdatë për shërbimin e saj ndaj letrave, por, fatkeqësisht, e pati jetën të shkurtër. Të njëjtin fat me të, vdekjen e shpejtë, kanë patur edhe disa revista të tjera filologjike, si “Rilindja”, “Bota”, “Flaga”….

…”Shtypi i përditshëm ka shumë rubrika letrare. Rruga ku ecin “Arbënia” e “Besa” është gjithë gjemba. Botimet periodikë, si “Minerva”, “Jeta e Re”, “Jeta dhe Kultura” janë plot e përplot me lëndë të zgjedhur letrare. Por, si pasojë e lirisë së papritur, nuk e patën të lehtë të mbanin rrugën e drejtë. Ndaj u desh ndërhyrja e shëndetshme e shtetit. Shtypit të hershëm ia zë vendin i sotmi, me gazetat “Drita” e “Shtypi” dhe revistat “Përpjekja Shqiptare” e “Java”. “Përpjekja Shqiptare”, me drejtor Branko Merxhanin – një i ri me shkollë, eseist i shkëlqyer e mendje e mprehtë –, prekte, për herë të parë në Shqipëri, disa probleme kulturore, që ftilloheshin nga bashkëpunëtorët e zgjedhur të revistës, e cila përbën stacion në letrat shqipe. Ishte e vëllimshme, e ngjashme me revistat tona më serioze, “Vatra e Re”, “Letrat” (e Aleksandrisë) dhe “Letrat e Reja”, sikundër i shkonte për shtat lëndës së saj. Do të kalojnë kohë gjersa Shqipëria të bëhet me një tjetër revistë si kjo. Gjatë veprimtarisë së saj trevjeçare, përkthimet letrare zinin shumë pak vend; ndër të tjera, edhe një poezi e Palamasit. E dyta, “Java”, me drejtor ish-gazetarin grek Aleks Mavraqi, ishte më popullore dhe kishte më shumë përkthime nga greqishtja: tregime të Vutirasit, Melasit, si dhe një artikull prej autorit të këtyre radhëve mbi letërsinë greke. Por sot Tirana nuk ka shtyp periodik.”…

 

Skulptura e Ibrahim Kodrës në “parkun” e Bankës së Shqipërisë

Ka qenë pronë e një koleksionisti shqiptar, por tani është vendosur përpara Bankës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për një skulpturë të rrallë të piktorit Ibrahim Kodra, e vendosur dje, në lulishten e Bankës, dhe që pritet së shpejti të përurohet. Kjo skulpturë ka motive shqiptare, vlerësohet për bukurinë e saj, e përshtatshme për park, duke mbetur një vepër moderne në stil. “Kodra është zanafilla e një qytetërimi të ri”-ky ka qenë vlerësimi i poetit të madh francez Pol Elyar, i befasuar me bukurinë e veprave. Piktori shqiptar, I. Kodra, është një ndër përfaqësuesit më të shquar të kubizmit në Itali e Europë. Studiues e kritikë të artit pamor kanë dalë në konkluzionin se atij i numërohen rreth 6 mijë punime në krijimtarinë e tij, ku përfshihen edhe disa skulptura. Në fondin e Galerisë Kombëtare ruhen tri punime në pikturë të firmosura nga autori, që datojnë në vitet 1938-1942. Veç të tjerash, mjeshtri Kodra ka lënë pas edhe një cikël me poezi të një niveli shumë të lartë artistik. Ibrahim Kodra u lind më 1918 në Ishëm të Durrësit dhe ndërroi jetë më 2006. Në vitet 50, Kodra pikturoi afresket në muzetë dhe ndërtesat më të njohura të Milanos.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here