Nebil Çika
Mort e shkuar mortit! Të gjithë ata që besonin e shpresonin te një mundësi e dekriminalizimit të politikës shqiptare kanë të gjithë të drejtën sot të ndihen si në një mort, në një funeral! Dekriminalizimi ka vdekur! Si marrëveshje politike, proces pastrimi dhe si mundësi ligjore. Vdekja e tij ka ardhur pikërisht andej nga nuk pritej, nga pushteti gjyqësor, më i kritikuari si përgjegjës i kriminalizimit të politikës dhe kulturës së pandëshkueshmërisë së politikës dhe pushtetit në Shqipëri. Dy ditë më parë ambasadori amerikan në Tiranë, Lu, tha se kriminelët politikë bredhin me kokën lart rrugëve të pashqetësuar nga drejtësia. Dje dy deputetë të qeverisë, të akuzuar për dhunë fizike ndaj një deputeti të opozitës në Parlament, gjë e provuar me zë e figurë, botërisht dolën me kokën lart nga pallati kryesor i drejtësisë shqiptare, Gjykata e Lartë.
Gjykata gjeti një klauzolë ligjore “procedurale” për të nxjerrë të pafajshëm dy deputetët e qeverisë e rrahën në selinë e Kuvendit kundërshtarin e tyre të opozitës, duke thyer kështu në mes shpresën ndoshta të vetme të shqiptarëve normalë se ky vend mund të bëhej ndonjëherë. Ky gjyq nuk ishte një rutinë. Tek ky ishin ngulur sytë dhe mendjet e miliona shqiptarëve, por edhe ata të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nisja e tij ishte konkretizimi i përpjekjeve disamujore të opozitës që bojkotoi Parlamentin, por edhe i përpjekjeve dhe energjive të jashtëzakonshme ndërkombëtare për të filluar procesin e ndëshkimit të dhunës dhe krimit politik në Shqipëri. Ky gjyq ishte “garancia” ligjore e një marrëveshjeje politike qeveri – opozitë me ndërmjetësimin e BE-së dhe me rënien e tij “procedurale” ka marrë me vete edhe marrëveshjen aq të fryrë të dekriminalizimit qeveri – opozitë.
Në fakt, mbi marrëveshjen pozitë – opozitë për dekriminalizimin u hidhen dyshime që në fillim. Shumë e cilësuan atë si një justifikim i rikthimit në Kuvend të PD-së, mirëpo hapja e procesit penal ndaj dy deputetëve që dhunuan kundërshtarin politik e bëri disi më serioze këtë nismë të iniciuar e realizuar nga PE-ja. Mbi këtë marrëveshje u mbështet edhe procesi politik i dekriminalizimit, i cili dështoi të bëhej një proces juridik e kushtetues, për shkak të refuzimit të qeverisë, gjë që vërtetoi dyshimet se edhe përfshirja në marrëveshje e shumicës ishte fiktive dhe një hile tjetër e Ramës ndaj BE-se dhe presionit politik të saj. Dje, gjykata me një vendim juridik i dha fund marrëveshjes politike, të vetmit konsensus politik të arritur në Shqipëri nga qershori i vitit 2013 e këtej.
Përkundër këtij vendimi po kjo gjykatë dënoi disa ditë më parë kryetarin e grupit parlamentar të opozitës, i akuzuar nga Kryeministri për shpifje e fyerje. Rastet as që mund të krahasohen, pasi Paloka ka bërë akuza politike ndaj Ramës, ndërsa Ndoka e Ndreu kanë sulmuar e dhunuar fizikisht edhe verbalist deputetin e opozitës në Kuvend. Me sa duket, me rendësi nuk është krimi dhe masa e tij, por akuzuesi dhe pozita e tij politike që gjithmonë anon nga qeveria. Këto gjëra kanë ndodhur edhe në kohën e qeverisjes së PD-së. Rasti i Ilir Metës të kapur me “bllok në dorë” dhe i mbyllur po nga kjo gjykatë është ajo që ia zbeh ndjeshëm opozitës reagimin ndaj gjykatës, veçanërisht ish-kryeministrit Berisha të parit që reagoi ndaj vendimit të djeshëm për Ndokën dhe Ndreun. Vendimi i djeshëm dhe krejt situata dëshmon se dekriminalizimi nuk mund të ndodhë po nuk deshi qeveria. Kjo qeveri duket qartë që nuk e dëshiron një gjë të tillë.
Por ky moment është një shuplakë e forte edhe për ambasadorin Lu dhe për negaciatorët e nivelit të lartë të BE-së, Fleckenstein dhe Kukan, të cilët nëse e kanë pasur seriozisht angazhimin e tyre, janë të fyerit kryesorë nga vendimi i djeshëm i GJL. Po le të rrimë tek viktimat e dhunës politike dhe kriminalizimit të politikës që janë opozita dhe shqiptarët normalë. Reagimet e para të saj ishin të forta, por si gjithnjë retorika nuk mjafton. Ai që përcakton e që mund të funksionojë si reagim është aksioni politik, ai bojkot që çoi në firmosjen e marrëveshjes së grisur, edhe nga gjykata, edhe qeveria. Momentin në të cilin u dha vendimi e bën regresin e shënuar prej tij edhe më të rrezikshëm. Dhuna zgjedhore që ka filluar të rishfaqet mund të inkurajohet nga ky vendim, duke rrezikuar zhvillimin normal dhe sidomos lirinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Prania e opozitës në Kuvend në këto kushte është e rrezikshme dhe e panevojshme. Z. Basha, në kushtet e dështimit de jure të marrëveshjes së dekriminalizimit është para një situate shumë serioze që kërkon një vendim po aq serioz. Fakti që ai nuk është në Kuvend nuk justifikon asnjë vendim që i ekspozon deputetët e tij ndaj dhunës së qeverisë. Me numrat që ka opozita nuk ka asnjë ndikim në Kuvend, po nuk pati lirinë e fjalës, arsyen pse u rrah deputeti i saj kohë më parë. Do të jetë e turpshme nëse kjo ndodh përsëri, por kësaj radhe faji nuk do të jetë i qeverisë, por i opozitës. Opozita mund të zgjedhë edhe parimin, kur të qëllojnë më shpullë kthe faqen tjetër, si reagim, por nuk mendoj se ky parim ka vlerë për nivelin kulturor e moral që ka ky Parlament. Askush, as z. Basha nuk e ka të drejtën që në emër të stabilitetit politik apo respektimit të partnerëve ndërkombëtarë t’i çojë deputetët e tij si cjapi tek kasapi, sidomos tani që dhuna e qeverisë në Kuvend u ligjërua edhe me vendim të Gjykatës së Lartë. Do t’u rekomandoja që në këto kushte zgjidhja me paqësore është: Këmbët e shpejta, faqja e bardhë.