Pse me dr. Halimin dhe jo me Erionin

0
141

Nga dr. Ndriçim Mehmeti

Nga dr. Ndriçim Mehmeti Është një pyetje që ma kanë bërë shumë njerëz dhe një pyetje që edhe unë ia kam bërë vetes. Kur të tjerët më pyesnin, bëja edhe unë vetes pyetjen. E kam pyetur veten, në qetësi, për t’u siguruar se përgjigjja do të ishte sa më pak subjektive.

Pse vendosa jo vetëm të votoja, por edhe të ndihmoja mesa të mundja dr. Halimin?

Përgjigjja nuk kërkonte pak kohë, por njëkohësisht nuk të linte dyshime në atë që mendoje. Për këtë duhet të peshoje çka bërë dr. Halimi e çfarë ka bërë Erioni. Erioni gënjeu, u tall, u tregua cinik e së fundi arrogant, me shumë aspekte të punës së ministrisë që drejtoi. Erioni tregoi se ishte një ëndërr e bukur, por thellësisht zhgënjyese, paraqitja e tij në opozitë me punën si ministër. Erioni u mburr kur erdhi e u vetë lavdërua, kur iku se kishte bërë të pamundurën për të ndihmuar të përndjekurit politik, duke u dhënë më shumë dinjitet, veç dëmshpërblimeve. Unë Ndriçim Mehmeti, jam një prej qindra personave që i përkas kësaj shtrese, që nën qeverisjen e Erionit humba vendin e punës. Arsyeja? E thjeshtë, kam përfunduar studimet shkëlqyer në histori, kam prej 5 vitesh gradën “Doktor i Shkencave” po në këtë fushë. Kam statusin nr. 10 të kategorisë “A” të të persekutuarit në ish-rrethin e Sarandës dhe punoja në një sektor që merrej pikërisht me arsimin. Pushimi nga puna pa arsye i një të ish-të persektuari politik, për Erionin është të fitosh më shumë dinjitet. Erioni nuk iu përgjigj asnjëherë shqetësimit tim, në rrugë elektronike apo letra të shkruara. Por shkojmë përtej rastit personal. A është dinjitet për të persekutuarit politikë trashëgimi i institucioneve shtetërore nga babai tek i biri? A është dinjitet të akuzosh si spiunë ata të persekutuar që të pëlqejnë dhe të mbash afër ata që plotësojnë kushtet e qejfbërjes dhe këpucëlëpirësit të ministrit? Besoj se në një shoqëri të lirë, të dyja këto janë të dënueshme dhe të neveritshme. Çështjen e të persekutuarve politikë Erioni e përdori si një kartë, në duart e tij, duke gjetur sigurisht edhe njerëzit që i përshtateshin më mirë marketingut të tij politik.

Erioni në ditët e tij intensive të opozitës, i mbushi plot premtime shqiptarët në emigracion. A ju kujtohet Eri me libra për fëmijët shqiptarë, në Greqi? Pas 23 qershorit Eri nuk e çau më kokën për këta njerëz që i gënjeu në mes të ditës dhe po ashtu i la në mes të rrugës sa u bë ministër. Shoqja e bangës, siç ka qejf t’i thotë Eri ministres Nikolla, e mbylli sektorin e Diasporës në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Er, nuk bëri as gëk e as mëk. Eri nuk ndihet fare për premtimin plot bujë për Ministri Emigracioni, pasi i grumbulloi të gjitha atributet rreth vetes. Eri po ashtu nuk e vret shumë mendjen për premtimin e bërë prej tij se emigrantëve do t’u jepej e drejta e votës në rast se e majta do të fitonte. Ndërsa dr. Halimi nuk ka premtuar parajsën për sa kohë ka punuar si menaxher i një institucioni, që kishte në dorë jetën e njerëzve dhe u jepte jetë disa qindrave të tjerë. Doktor Halimi nuk ka thënë se unë do të bëj disa dhjetëra pishina që nënat të lindin në ujë se është më mirë. Ka thënë e ka bërë, që shtëpia e lindjes me histori shumëvjeçare, të ruante formën e saj të ndërtimit, por të kishte mjedise bashkëkohore që u shërbenin më mirë pacientëve. Dr. Kosova thotë ato që di të bëjë vetë. Ai nuk thotë “unë dhe kryeministri”, “unë dhe stafi i shkëlqyer i Ministrisë së Mjedisit”, a thua se gjithë shteti dhe institucionet e tij duhet të jenë në shërbim të Erit. Doktori nuk merr përsipër 100 kopshte e 200 shkolla, por aq sa ka mundësitë Bashkia dhe aq sa ka nevojë komuniteti. Doktori thotë se ndihmon të rinjtë të ecin vetë në rrugën e tyre të suksesit dhe nuk i gënjen të rinjtë se kam rritur me kaq apo aq për qind pjesëmarrjen në arsimin profesional.

A duhet t’i besoj atij që i ka lekët duke punuar vetë apo atij që ia kanë siguruar të tjerë?

Kjo është pyetja retorike që u kam bërë atyre që më kanë pyetur pse doktor Halimin dhe jo Erionin. Erioni thotë që e ka rritur nëna e tij me shumë mundime pas humbjes së babait të tij. Dhe këtu ai ka mirëkuptimin tim të plotë. Edhe nëna ime rriti tre fëmijë pas humbjes së babait tim dhe i di cilat janë vështirësitë. Por ama unë kam punuar 21 vjet dhe kam një shtëpi me kredi, vëllai im ka punuar 25 vjet në emigracion dhe 4 vjet në Shqipëri dhe po ashtu ka një shtëpi me kredi. A thua ne jemi më pak të zgjuar, punëtorë dhe krijues se Eri? Ndoshta, në gjuhën e përditshme, quhemi budallenj se kemi marrë vetëm atë që na takon me punë. A mund t’i besoj Erionit, që në vend të tregojë se cilat janë të ardhurat me të cilat bën jetë luksoze, u kundërvihet me tërsëllëm atyre që nxjerrin këto lajme? A duhet Erioni që për të shpëtuar veten të hidhej në sulm e të thoshte se sa metra ka njëri apo tjetri më shumë se ai ndërtim? Po në fund të fundit, a duhet t’i besoj paratë e mia një njeriu që nuk ka menaxhuar kurrë paratë e tij? Mendoj se secili ka një përgjigje dhe unë besoj se në shumicë, thonë jo. Të menaxhosh paratë që t’i falin të tjerët për një imazh ndryshe të shoqërisë, të shpërdorosh disa mijëra të tjera në festivale fantazmë, nuk është njëlloj si të marrë një kredi për biznesin tënd, të provosh që je i suksesshëm, me punën tënde dhe profesionin e vënë në dispozicion të jetës së njerëzve. Të menaxhosh një spital, të kursesh paratë e taksapaguesve, me sa mundësi të kesh dhe të shndërrosh institucionin ku lind jeta e njerëzve, në një institucion modern, besoj se është më shumë se të drejtosh një OJF, sado e suksesshme të jetë ajo. Të kesh një shtëpi po edhe dy pas 40 vjet pune nuk është e njëjta gjë me vila disamilionëshe, pa të thënë njeri “hala puna e mbarë”.

Si mund ta votoja Erionin? Kur gjuha e tij të mos ishte aq e mbushur me mllef. Kur të thoshte, “shokë të partisë sime të re, unë nuk e dua në hapje të fushatës Metën, për të cilin ne u ngritëm më 21 janar”. Do ta votoja në rast se Eri nuk do të shprehej me aq mllef, kur ia la detyrën Klosit, se “ekipi që ai ngriti është ku e ku me atë para 23 qershorit”. Me sa di unë, në disa poste kyçe Eri ka specialistë e drejtues të para 23 qershorit, që natyrisht, ka bërë mirë që i ka mbajtur. Do ta votoja Erin, po të mos kishte krijuar frymën rreth tij se “shefi i madh nuk duhet sharë”, sikurse ndodh me stafin e tij të ngushtë, që të hidhet në grykë edhe për një koment të shkurtër në FB. Do ta votoja Erin, po të më tregonte se sa hapësirë kishte mundur të vinte në dispozicion të shkollave profesionale në këto 18 muaj që ishte ministër, të më tregonte se çfarë u bë me premtimin e tij se gjermanët do të ndihmonin në hapjen e shkollave të reja, të më tregonte se sa mësues të arsimit profesional janë trajnuar deri më tani brenda e jashtë vendit, të më tregonte se sa shkolla të reja ndërtoi, la në ndërtim apo projekte të tyre. Të më tregonte se sa u rrit shifra e punësimit prej hapjes së zyrave të tij plot shkëlqim nga jashtë e të zhytura në zymtësi brenda. Por Eri nuk mund të tregojë ndonjë nga këto arritje. Si arritje i mjaftojnë batuta erotike të Ramës dhe ato me taban popullor të Majkos.

Prandaj, mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, duke marrë anën e doktorit. Nuk dua që vota ime, eksperienca, ndihma ime, edhe pse modeste, të ndihmojë karrierën e një njeriu, që ende nuk njeh vetveten.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here